Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u po vazhdon me të njëjtat kompetenca në Kosovë


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Një javë pas shpalljes së pavarësisë, UNMIK-u vazhdon të punojë në përputhje me Rezolutën 1244. Ende nuk ka filluar të transferojë kompetencat as te autoritetet vendore e as te misioni i ardhshëm i BE-së.


Kosova tash shtet i pavarur, por misioni i Kombeve të Bashkuara, që e administroi vendin për 8 vjet, vazhdon t'i kryejë funksionet njëjtë sikurse para pavarësisë.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk ka filluar ende të marrë asnjë kompetencë nga UNMIK-u, ashtu sikurse nuk kanë marrë as autoritetet vendëse.

“Nuk kemi filluar ende të transferojmë asnjë komeptencë, pasi nuk kemi instruksione për ta bërë një gjë të tillë, kështu që po punojmë si më parë në përputhje me Rezolutën 1244", thotë drejtori për informim në UNMIK, Aleksander Ivanko.

Misioni i sundimit të ligjit, i koduar me emrin EULEX, do të ketë mbi 1800 pjesëtarë, të cilët do të mbikëqyrin fushën e drejtësisë dhe policisë. Kompetencat për këto fusha i mban UNMIK-u.

Zëdhënësja e Ekipit planifikues të Bashkimit Evropian, Karin Limdal, thotë se EULEX gjendet ende ne fazën përgatitore.

“Misioni i EULEX-it nuk ka filluar ende të funskionojë në Kosovë. Ne ende jemi ekip planifikues i BE-së dhe do të jemi kështu gjatë periudhës së tranzicionit, pra për 120 ditë të ardhshme. Gjatë kësaj periudhe ne do ta ndërtojmë misionin e EULEX-it, pëderisa UNMIK-u do të mbetet plotësisht operacional. Pra, EULEX nuk ka përgjegjësi operacionale derisa t’i marrë ato”, tha Karim Limdal.

Para se të vijë në Kosovë, EULEX duhet të marrë ftesë nga UNMIK-u dhe nga autoritetet vendore. Por, meqë Kombet e Bashkuara ende nuk kanë marrë vendim për shuarjen e UNMIK-ut, ky mision mbetet funksional.

Limdal nuk e sheh këtë si çështje problematike, meqë pas 120 ditëshit, ajo është e bindur se EULEX do të jetë zbarkuar në Kosovë.

“Ne nuk e shohim këtë si problem, si çështje. Mandati ynë bazohet së pari te nënshkrimi i vendeve anëtare të BE-së, për nisjen dhe dërgimin e misionit. Pastaj, UNMIK-u do të na thërrasë këtu dhe më pas duhet pritur edhe ftesa e autoriteteve kosovare natyrisht. Pra, nuk e shohim këtë si çështje diskutabile”, thotë Limdal.

Në anën tjetër, eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Visar Morina, thotë se nga interpretimet e ndryshme që janë bërë nga juristë evropianë, tashmë është nxjerrë përfundimi se Rezoluta 1244 nuk pengon instalimin e misionit të BE-së në Kosovë.

”Në skenën ndërkombëtare ka pasur disa interpretime rreth asaj nëse një mision i tillë është i ligjshëm dhe konform Rezolutës 1244, të aprovuar nga Këshilli i Sigurimit. Në arenën ndërkombëtare mbizotëron qëndrimi veçanërisht i mbështetur në aleatët perëndimorë, se misioni i EULEX-it është në përputhje me Rezolutën 1244", tha Morina.

Këshilli i Sigurimit vazhdon të jetë i përçarë rreth statusit të Kosovës, mes bllokut përëndimor që tashmë ka njohur pavarësinë, si dhe Rusisë, e cila vazhdon ta kundërshtojë atë. Marrë parasysh këtë se kush do të vendosë për shuarjen e UNMIK-ut, Visar Morina ka një shpjegim për këtë.

"Sipas dokumentit të Ahtisaarit, i cili tani ka fituar legjitimitet të brendshëm dhe ndërkombëtar, do të jetë një periudhë 120 ditëshe për ndërprejen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Sa i përket mënyrës se si do të largohet dhe koordinimit të veprimeve, mendoj se nuk duhet harruar çështja kohore. Me këtë dinamikë të zhvillimeve politike dhe kushtetuese në Kosovë, këtu kam parasysh edhe miratimin e ardhshëm të Kushtetutës, vetë Rezoluta 1244 do të pësojë një zbehje", tha Morina.

Një problem tjetër, me të cilin, sipas analistëve, mund të përballet misioni i EULEX-it në Kosovë, është edhe pjesa veriore e Kosovës.

Serbët tashmë kanë kundërshtuar misionin e BE-së, duke e quajtur atë si ilegal.

Sidoqoftë, Karin Limdal, thotë se në BE janë të vendosur që këtë mision ta funksionalizojnë në tërë Kosovën.

”Siç ka qenë gjithmonë plani ynë, ne do të zbarkohemi në tërë Kosovën, ne nuk do të bëjmë ndonjë dallim mes Mitrovicës veriore apo asaj jugore. Ne e shohim Kosovën si një zonë dhe do të zbarkohemi gjithandej”, thotë Limdal.

Misioni i EULEX-it vendoset në Kosovë në bazë të planit gjithëpërfshirës për statusin të Martti Ahtisaarit.

Misioni ka për qëllim që të monitorojë, të mbikëqyrë dhe të këshillojë në të gjitha fushat që ndërlidhen me sundimin e ligjit.

Zyrtarë të ekipit për planifikim thonë se një staf më me përvojë prej 10 personash do të arrijë në Kosovë brenda disa javësh, përderisa pjesa më e madhe e policëve, gjykatësve dhe prokurorëve do të jenë këtu pas 3 ose 4 muajsh, atëherë edhe kur përfundon periudha tranzitore.

XS
SM
MD
LG