Ndërlidhjet

Ekspertët thonë mos u trembni nga zgjedhjet në botën islame


Pamje nga zgjedhjet në Pakistan, shkurt 2008
Pamje nga zgjedhjet në Pakistan, shkurt 2008
Lëvizja Fatah për vite është cilësuar si zëri politik i palestinezëve. Për këtë arsye habia qe e madhe kur votuesit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2006 votuan ndjeshëm për Hamasin, duke iu dhënë atyre të drejtën për t'i qeverisur.

Rezultati i atyre zgjedhjeve ishte një goditje dhe për administratën e presidentit amerikan George Bush, e cila hapur kishte mbështetur Fatahun.

Bush përballej me zgjedhje të ngjashme dhe në rastin e votimeve në Pakistan. Partia e presidentit Musharaf humbi ndjeshëm, por për fat të mirë dy partitë e moderuara të opozitës fituan shumicën. Ekzistonte droja se pushteti do shkonte në duart e ekstremistëve, mbështetës të talibanëve.

Rezultatet e zgjedhjeve në Pakistan i nxorrën të gabuar dyshuesit. Por Murhaf Xhouajati, profesor në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington nuk është i befasuar nga rezultatet e zgjedhjeve në Pakistan, ashtu siç nuk qe e papritur për të dhe fitorja e Hamasit, dy vjet më parë.

Xhouajati ka një shpjegim të thjeshtë. Sipas tij zgjedhësit janë zgjedhës, pavarësisht vendit ku jetojnë apo besimit fetar.
Ai sjell shembullin e palestinezëve. Në kohën kur ndërkombëtarët prisnin që ata të votonin bazuar në disa kritere gjeopolitike, ata votuan bazuar në nevojat e tyre të përditshme. Xhouajati shton se ky rregull vlen në të gjitha vendet myslimane kur votuesve iu lejohet të shprehen lirshëm.

"Në botën islame në përgjithësi ka zemërim ndaj Shteteve të Bashkuara. Nëse iu jep atyre një mundësi për zgjedhje demokratike atëherë ata do votojnë kundër SHBA-ve. Por kur njerëzit shkojnë në kutitë e votimit ata nuk mendojnë vetëm për SHBA-të, por dhe për cilësinë e jetës së tyre, pasojat e politikës së brendshme dhe faktin se kush ia vlen të marrë votën e tyre", thotë Xhouajati.

Por si mund ta shpjegojmë idenë se islami dhe demokracia nuk shkojnë bashkë? Si mund të shpjegohen shumë diktarura në Lindjen e Mesme? Çfarë mund të thuhet për një numër të madh islamistësh që bëjnë thirrje për vendosjen e ligjit islamik?

Xhouajati e pranon faktin se ka jo pak diktatorë në Lindjen e Mesme. Por ai shton se një pjesë e këtyre diktatorëve, jo vetëm janë pranuar nga Shtetet e Bashkuara, por dhe mbështeten aktivisht. Udhëheqësit amerikanë, me siguri nuk bien dakort me mënyrën e tyre të qeverisjes, por qëndrimi i tyre në pushtet krijon siguri rajonale.
Xhouajati shton se sundimi i një njeriu nuk ka qenë tradicionalisht rregull i shoqërive myslimane.

"Njerëzit që i shohin nga larg vendet myslimane me dy apo tre përjashtime shohin despotë në pjesën tjetër të botës islame, despotë që qeverisin përmes frikës. Por islami dhe demokracia nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Islami ka konceptin e shura-s apo këshillimit. Udhëheqësit në islam nuk i marrin vendimet vetëm, por përmes këshillimeve me të tjerët", sqaron Xhouajati.

Demokratizimi i botës islame nuk do të ndodhë brenda vitit e ndoshta as në dekadën e ardhshme, por padyshim që do të ndodhë, thotë profesori në Universitetin e Sigurisë Kombëtare në Uashingotn, Murhaf Xhouajati.


XS
SM
MD
LG