Ndërlidhjet

EULEX tërhiqet nga veriu për shkaqe taktike


Mitrovicë
Mitrovicë

Tërheqja e misionit të Bashkimit Evropian nga veriu i Kosovës, nga disa analistë kosovarë vlerësohet të jetë më shumë si një lëvizje taktike dhe jo si një dorëzim i autoriteteve të sigurisë përballë situatës në veri.


Autoritetet e rendit thonë se situata e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës mbetet e tensionuar, por ajo është nën kontrollin e organeve kompetente.

Misioni i Bashkimit Evropian është tërhequr përkohësisht nga pjesa veriore në atë jugore, për shkaqe sigurie. Pavarësisht këtij fakti, zëdhënësi i KFOR-it, Bertrand Bonneau, nuk sheh indikacione për përshkallëzim të situatës së sigurisë atje.

“Nuk ka indikacione për trazira dhe nuk do ta komentoja vendimin e BE-së.
Sidoqoftë, misioni i KFOR-it është shumë i qartë, është një mision i shtrirë në tërë Kosovën. Ne jemi të vendosur që ta kemi këtë mision për të ofruar siguri në tërë Kosovën, si në veri, jug, ashtu edhe në lindje e perëndim”, thotë koloneli Bonneau.

Megjithatë, zëdhënësi i SHPK-së, Besim Hoti, thotë se situata e sigurisë në Mitrovicë, ku po mbahen protesta të përditshme kundër pavarësisë së Kosovës, vazhdon të jetë e tensionuar.

“Vazhdimisht është gjendja e tensionuar. Mirëpo, është me rëndësi që është nën kontroll të forcave të sigurisë, të autorizuara për sigurinë në Kosovë; e kam fjalën për SHPK-në, policinë e UNMIK-ut dhe KFOR-in", tha Hoti.

I dërguari i BE-së në Kosovë, Peter Faith, ka shfaqur shpresën se misioni i BE-së do të kthehet shpejt në veri, por, sipas tij, duhet pasur pak durim.

Analisti kosovar, Lulzim Peci, nuk e sheh me shqetësim këtë tërheqje. Për më tepër, ai thotë se kjo është një lëvizje taktike.

“Situata në veri të Kosovës dhe tërheqja e misionit prej atje, nuk duhet kuptuar si shenjë të dorëzimit të autoriteteve tona dhe të autoriteteve ndërkombëtare ndaj veriut. Domethënë, nuk është shenjë e dorëzimit. Mirëpo, kjo është një lëvizje taktike, e cila së pari ka të bëjë me sigurinë e njerëzve të misionit dhe, së dyti, të lihet kohë që të shprehen njëherë frustrimet dhe pastaj të fillojë të vendoset shteti i ligjit në veri”, tha Peci.

Megjithatë, në mesin e popullatës shqiptare në pjesën veriore të Kosovës është ngritur shqetësimi për planet eventuale të ndarjes, që mund t’i zbatojë Qeveria serbe.

Në këtë kontekst shihet edhe vendimi i autoriteteve të Komunës së Zveçanit dhe Zubin Potokut për të vendosur në territor të këtyre komunave disa kontenjerë, që thuhet se janë për nevoja të SHPK-së.

Besim Hoti thotë se SHPK-ja nuk ka kërkuar kontenjerë të tillë dhe se nuk dihet se çfarë qëndron pas këtij akti.

“Janë vendosur me pretekst që t’i shërbejnë pjesëtarëve të SHPK-së, në mënyrë që të mos qëndrojnë jashtë. Mirëpo, këto normalisht që nuk do të merren në konsideratë. Ne kemi kërkuar që ato të largohen nga ata që i kanë vendosur ato dhe nëse jo, do të shohim. Me siguri se do të merret ndonjë vendim nga komanda kryesore e policisë, që ato definitivisht të largohen”, shprehet Hoti.

Javën e kaluar, serbët kanë djegur dy pika doganore në vendkalimet kufitare në Jarinë të Leposaviqit dhe atë në Zubin Potok.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, thotë se nëse ka përpjekje që të vendosen doganat e Kosovës në këto vendkalime kufitare, do të ketë reagime të njëjta të serbëve. Ai ka thënë se nuk do të pengohet vetëm puna e KFOR-it dhe e UNMIK-ut.

“I kemi bindur njerëzit që me KFOR-in të mos hyjnë në asnjë konflikt. Për hir të paqes, i kemi bërë thirrje KFOR-it dhe UNMIK-ut që të mos lejojnë që shteti i rremë të vendosë dogana, të vendosë qeverisjen në territorin e komunave tona, që të vendosë simbolet apo pikat doganore”, ka thënë Ristiq, i cili bashkë me përfaqësuesit tjerë të serbëve, kundërshton edhe misionin e Bashkimit Evropian, të koduar me emrin EULEX.

Në anën tjetër, zyratrë të KFOR-it pohojnë se aktualisht, në pikat kufitare nuk ka probleme dhe se kufijtë janë nën kontroll.

“Në kufijtë e Kosovës janë policia e UNMIK-ut; ata janë përgjegjës për kufijtë dhe ne u ofrojmë ndihmë, për të siguruar një ambient të qetë. Aktualisht, secili lejohet që ta kalojë kufirin dhe derisa të mos kërcënohet rendi publik, secili lejohet të hyjë në Kosovë dhe të dalë nga Kosova”, tha koloneli Bonneau.

Sidoqoftë, Lulzim Peci thotë se situata në veri është shumë më e qetë, sesa që është pritur. Ai paralajmëron se kjo gjendje mund të keqësohet në muajin maj, kur Serbia do t'i mbajë zgjedhjet lokale. Një përpjekje e Qeverisë serbe për të zhvilluar zgjedhje në rajonet e banuara me shumicë serbe, sipas Pecit, do të përshkallëzonte situatën e sigurisë.


XS
SM
MD
LG