Ndërlidhjet

Dispozitat e pakos së Ahtisaarit të paprekshme në draftin e Kushtetutës


Ndërtesa e Kuvendit të Ksoovës
Ndërtesa e Kuvendit të Ksoovës

Në Kosovë po vazhdon debati publik nëpër komuna lidhur me draftin e Kushtetutës. Anëtari i Komisionit Kushtetues, Riza Smaka, thotë se ka mjaft vërejtje lidhur me dispozitat e përfshira nga pakoja e Ahtisaarit.


Drafti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është vënë në debat publik që nga dita e shpalljes së pavarësisë.

Parashihet që pas këtij debati, Komisioni Kushtetues t’i shqyrtojë të gjitha vërejtjet e qytetarëve si dhe organizatave joqeveritare për inkorporimin e tyre në draft, para se Kushtetuta t’i procedohet Kuvendit për miratim.

Riza Smaka, është anëtar i Komisionit Kushtetues. Ai thotë se ka vërejtje që mund të inkorporohen, por edhe të atilla që nuk mund të përfshihen në draftin final.

Duke pasur parasysh se pakoja e Ahtisaarit është një dokument i miratuar edhe nga Kuvendi, Smaka thotë se ka shumë vërejtje për dispozitat e këtij plani që janë përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, por ato nuk mund të ndryshohen.

“Sa i përket propozimit të Ahtisaarit, këtë e them, sepse dikush nuk e thotë, vërejtje ka shumë, edhe unë kam vërejtje; aty mund të diskutojmë, por pothuajse janë të paprekshme për momentin. Është konsensusi politik që e ka miratuar Kuvendi më parë, e po ashtu edhe ky Kuvend e ka ratifikuar, e janë ato kompromise makropolitike e koncesionet e caktuara për hir të statusit e tjera e tjera”, thotë Smaka.

Ndërsa dispozitat e pakos së Ahtisaarit janë vija të kuqe që nuk mund t’i ndryshojë as Kuvendi i Kosovës, ka disa vërejtje, që, sipas Riza Smakës, mund të përfshihen në tekstin final të Kushtetutës së Kosovës.

Ai ndërlidhet sidomos me termet që përdoren për institucionet si edhe me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

“Temat që mund të diskutohen, ‘pro et kontra’, ta zëmë nëse e marrim kryetarin e Kosovës, pse ta quajmë president e jo kryetar, apo kuvendin, pse ta quajmë parlament e jo kuvend, ose a thua mos do të ishte më mirë që kryetarin e Kosovës ta zgjedhë populli, sepse ne kemi nevojë për autoritete publike, e kryetari i tillë do të kishte autoritet që në rast të ndonjë krize qeveritare a politike, do të ishte ai që do të ishte një arbitër, por legjitim”, thekson Smaka.

Sa i përket afatit kohor, Riza Smaka beson se Kushtetuta e Kosovës do të mund të miratohet në një afat prej dy muajve.

Miratimi i Kushtetutës dhe i ligjeve bazike shtetërore që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, nga disa vende është vënë dhe si kusht për njohjen e Kosovës së pavarur.

Nisur nga fakti se ky akt juridik mund të jetë shumë i nevojshëm në një afat sa më të shkurtër kohor, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë këto ditë se në rast nevoje, Kuvendi do të jetë gati që edhe me procedura të shpejtuara ta miratojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG