Ndërlidhjet

BE, NATO: Do t'i rezistojmë ndarjes etnike


Zyrtarë nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë diskutuar në Bruksel bashkëpunimin e dy organizatave në Kosovë.
NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur se do t'i rezistojnë ndarjes së Kosovës në vija etnike.

"KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë. KFOR-i ka për detyrë të sigurojë Kosovën dhe të mbrojë gjithë qytetarët, pavarësisht ku jetojnë, ka për detyrë të mbrojë si pakicën dhe shumicën", tha kreu i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer.

Edhe shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana, pas takimit të sotëm këmbënguli se misioni i BE-së do mbulojë gjithë territorin e Kosovës. Solana i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të jenë të përgjegjshëm.

"Jemi të shqetësuar dhe i kemi ndarë shqetësimet tona rreth veriut të Kosovës. Ne kemi shfaqur shpresën se çdokush do të sillet me përgjegjshmëri në periudhën që vjen, në mënyrë që bashkëpunimi mes aktorëve ndërkombëtarë që janë në terren të jetë konstruktiv për stabilitetin e rajonit", tha Solana.

De Hoop Scheffer tha se ngjarjet e fundit që kanë përfshirë Serbinë dhe Kosovën e kanë bërë NATO-n të ketë këndvështrim më të gjerë rreth planeve për zgjerim.

Ai shtoi se mund t'i jepet ftesa për anëtarësim Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në takimin e Bukureshtit.
XS
SM
MD
LG