Ndërlidhjet

Kur do ta njohë Maqedonia Kosovën?


Parlamenti i Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë

Kur do ta njohë Maqedonia shtetin e ri të Kosovës? Përgjigjen e kërkuam nga tre ish-ministrat e Jashtëm, Lubomir Frçkovski, Sllobodan Çashule dhe Denko Maleski.


Tre ish-shefat e diplomacive të Maqedonisë thonë se Shkupi ende nuk ka qëndrim të prerë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por shprehen se kjo do të ndodhë së shpejti.

Ish-ministri i Jashtëm, Lubomir Frçkovski (1997-1998), thotë se njohja e Kosovës do të ndodhë në rrethin e dytë, kur të fillojnë ta njohin edhe vendet tjera fqinje.

"Mendoj se njohja do të ndodhë, por do të jetë e bashkërenduar, atëherë kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të sinjalizojnë se Kosovën duhet të fillojnë ta njohin vendet fqinje të rajonit", thotë ai.

Sipas zotit Frçkovski, elita politike e Maqedonisë është e gatshme të ballafaqohet me realitetin e ri të krijuar në Ballkan.

Ish-ministri i Jashtëm, Sllobodan Çashule (2001-2002), thotë se Maqedonia ende nuk ka dalë me një qëndrim rreth njohjes së Kosovës.

Ai thotë se sfida kryesore nuk është statusi i Kosovës, por integrimi i Kosovës në rajon, në mënyrë që rajoni të integrohet në Bashkimin Evropian.

"Elita politika shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoni tash ndodhet para një provimi historik të themelimit të shtetit, tolerancës dhe konstruktivitetit. Nëse arrijmë që me Kosovën të bëjmë demarkacionin e shpejtë të kufirit dhe t'i konsolidojmë marrëdhëniet tona, atëherë nuk shoh pengesë të mos e njohim atë shtet, i cili është në kursin e integrimeve evropiane", thotë Çashule.

Ai pohon se në qoftë se Qeveria e Shkupit dëshiron ta shpijë vendin drejt qëllimit përfundimtar, integrimeve euroatlantike, atëherë duhet të ketë parasysh realitetin.

"Në këtë çast, Qeveria e Maqedonisë duhet ta ndjekë shembullin e Bashkimit Evropian, e jo vibracionet e këqija që vijnë nga Athina dhe Beogradi. Të dyja këto shtete kanë probleme serioze me vetveten. Greqia nuk pranon pakicën turke, maqedonase dhe shqiptare. Ndërkaq, Serbia ende nuk ka kuptuar se nëse bashkëpunon me Prishtinën dhe nëse serbët e Kosovës marrin pjesë në institucionet, atëherë Kosovën do ta ketë aleat më të ngushtë", thotë zoti Çashule.

Frçkovski gjithashtu thotë se Serbia është një ndër katër partnerët kryesorë ekonomikë të Maqedonisë, por, megjithatë, mendon se Shkupi zyrtar do ta marrë mbi vete rrezikun e njohjes së Kosovës, sepse keqësimin eventual të marrëdhënieve me Serbinë mund ta kompensojë ndryshe.

"Mendoj se Maqedonia duhet ta gjejë mënyrën për t'u bërë qendër rajonale për zhvillimin e biznesit drejt Kosovës", thotë ish-ministri i Jashtëm, Lubomir Frçkovski.

Edhe ish-ministri i Jashtëm, Denko Maleski (1991-1993), thotë se lidhjet ekonomike me Serbinë ndikojnë në qëndrimin e Shkupit zyrtar ndaj Kosovës.

"Maqedonia ndodhet në një situatë delikate. Nga njëra anë, dëshiron t'i ruajë marrëdhëniet e mira tregtare me Serbinë, kurse nga ana tjetër, duhet t'u shkojë për shtati dëshirave të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët kërkojnë njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës", thotë zoti Maleski.

Ai thotë se pavarësia e Kosovës e fuqizon pozicionin e shqiptarëve në Maqedoni dhe pjesëmarrjen e tyre në sistemin politik.

"Edhe përkundër dëshirës së pushtetit qendror në Shkup, ne do të duhet të jemi tejet të kujdesshëm dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira si me Shqipërinë, ashtu edhe me Kosovën. Por, problemi është se si të ruhen marrëdhëniet e mira me fqinjët tjerë", thotë ish-ministri i Jashtëm, Denko Maleski.
XS
SM
MD
LG