Ndërlidhjet

Kermabon: Kosova është e pandashme


Yves de Kermabon

Yves de Kermabon

Misioni i BE-së "ka për qëllim mbrojtjen e minoriteteve, mbrojtjen e lirisë së lëvizjes, mbrojtjen e hapësirave të trashëgimisë, në mënyrë që në Kosovë secili të mund të jetojë në paqe", tha Yves de Kermabon.



Shefi i misionit policor të Bashkimit Evropian në Kosovë, Yves de Kermabon, deklaroi se Kosova është e pandashme.

"Komuniteti ndërkombëtar ka ripërsëritur se Kosova është e pandashme", i tha zoti Kermabon Agjencisë Frans Pres në Bruksel.

Përderisa vendosja e misionit, që kryesohet nga ai, pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme, megjithatë ky mision "nuk do të jetë i gatshëm për katër muaj, pra aty kah mesi i qershorit", shpjegoi Yves de Kermabon, që në periudhën 2004-2005 ishte komandant i misionit paqeruajtës ndërkombëtar KFOR, në Kosovë, që udhëhiqet nga NATO-ja.

Sipas tij, kjo krijon hapësirë kohore për të parë "se si po zhvillohet situata".

Më tutje, ai tha se deri në qershor shpreson për kontakte të shumanshme, përfshirë serbët e Kosovës dhe autoritetet e Serbisë, për lejimin e këtij misioni që të operojë në rrethana më të mira të mundshme dhe paqësore.

"Ky mision ka për qëllim mbrojtjen e minoriteteve, mbrojtjen e lirisë së lëvizjes, mbrojtjen e hapësirave të trashëgimisë, në mënyrë që në Kosovë, secili të mund të jetojë në paqe", tha Yves de Kermabon.

"Është vështirë të besohet se ky qëllim nuk do të pranohet nga të gjithë", tha zoti Kermabon.

Ai, më tutje, përkujtoi se në dhjetor të vitit të kaluar "askush nuk e ka kundërshtuar këtë mision, bile as rusët dhe serbët. Përkundrazi, ata e kërkonin atë".

Yves de Kermabon mendon se edhe sikur kushtet për mision të mos jenë ideale, ai këmbëngul se misioni duhet gjithsesi të vendoset që "gradualisht ta rikthejë besimin".

Bashkimi Evropian zyrtarisht e ka emëruar zotin Kermabon për ta udhëhequr misionin, ndërsa holandezi Pieter Feith është emëruar përfaqësues special i BE-së në Kosovë.
XS
SM
MD
LG