Ndërlidhjet

Kushtetuta dhe pakoja e Ahtisaarit - prioritete


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës mëton që deri në fund të marsit të miratojë Kushtetutën dhe ligjet e pakos së Ahtisaarit, kurse deri në fund të vitit agjendën me rreth 200 ligje të tjera.


Përgatitja e bazës ligjore për funksionimin e Kosovës si shtet, duke përfshirë miratimin e Kushtetutës dhe ligjeve nga pakoja e Ahtisaarit, konsiderohen si prioritete të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës gjatë këtij viti.

Në përgjithësi, Qeveria parasheh të dërgojë për këtë vit rreth 175 ligje për miratim në Kuvend, ndërkaq kur këtij numri i shtohen edhe ligjet në procedurë, del se legjislativi pritet të miratojë rreth 200 ligje, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Mirëpo, disa ligje që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, sipas Kuçit, do të hyjnë në fuqi pas fazës katër mujore të tranzicionit, që nënkupton kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet vendore dhe te misioni i BE-së.

“Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Kosova ka status juridik dhe politik krejt tjetër, pra shtet i pavarur e sovran. Hyrja në fuqi e ligjeve do të ketë disa ligje që hyjnë në fuqi menjëherë dhe disa do ta respektojnë kohën e tranzicionit që vjen nga UNMIK-u dhe njëkohësisht EULEX-i”, thekson Kuçi.

Ndërkohë, deputeti nga radhët e opozitës, Ardian Gjini, nga AAK-ja, thotë se Qeveria nuk ka arritur të hartojë një strategji për ligjet e vitit 2008, por i ka proceduar Kuvendit vetëm një listë ligjesh për miratim që buron nga strategjia legjislative e Qeverisë së kaluar.

“Kemi disa probleme procedurale; si shembull mund ta marrim, sot, i kemi kaluar tetë ligje pa i proceduar për shkak se ministrat, sponsoruesit e ligjeve nuk kanë qenë në sallë, kurse ngecja tjetër është se në Qeverinë e Kosovës nuk është punuar në bazë të një strategjie legjislative, të cilën duhet ta hartojë Qeveria dhe tani ne shohim se në atë strategjinë që na është ofruar, më së paku ka strategji, pasi që ajo është një listë ligjesh që na ka ardhur”, pohon Gjini.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se me ligjet e ofruara nga Qeveria, Kosovës i mundësohet që mbi baza legale ligjore të funksionojë si shtet i pavarur.

Hajredin Kuçi, i cili është edhe kryetar i Komisionit Kushtetues, thotë se Kosova do ta ketë të miratuar edhe Kushtetutën e saj deri në fund të muajit mars.

“Jemi në fazën e debatit publik lidhur me Kushtetutën dhe mendojmë që pas mbarimit të fazës së dytë do ta kemi një kohë të domosdoshme, që Komisioni t’i harmonizojë vërejtjet e sugjerimet, t’i shikojë me kujdes ato që kanë ardhur nga debatet me qytetarët në forma të ndryshme, por besoj se fundi i marsit Kosovën do ta gjejë me Kushtetutë të re”, thotë Kuçi.

Sa i përket Kushtetutës, deputeti Ardian Gjini mendon se ka pasur edhe disa ngecje, të cilat, sipas tij, janë reflektuar me vonesa në miratimin e këtij akti juridik.

“Është e vërtetë, ka pasur ngecje dhe ka qenë dashur të ndodhë më herët, por, sidoqoftë, Kushtetuta e Kosovës është një akt shumë i rëndësishëm dhe duhet të merret ndoshta edhe pak kohë që të kompensohen dy muajt e kaluar, të cilët kanë qenë muaj ku nuk është punuar sa duhet. Sidoqoftë, jemi para përfundimit të atij drafti kushtetues; shpejt do ta kemi në Kuvend dhe shpejt do të miratohet”, tha Gjini.

Sidoqoftë, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës i ka përshpejtuar shumë procedurat e miratimit të ligjeve.

Nga 22 sa janë të identifikuara si Ligje të pakos së Ahtisaarit, nëntë prej tyre janë miratuar në pako dhe kështu është thënë se do të veprohet edhe me ligjet tjera të mbetura.

Kurse ligjet tjera tani i janë nënshtruar një procedure të shpejtë të miratimit, duke i vënë ato në lexim e shqyrtim gjatë sesioneve të paradites dhe më pas duke i votuar menjëherë në sesionet e pasdites.

Një nxitim të tillë, ligjvënësit kosovarë e arsyetojnë me nevojat që ka Kosova në mbulimin e vakumeve e zbrazësive ligjore që ka në shumë fusha.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG