Ndërlidhjet

Ekonomia pas shpalljes së pavarësisë


Ekonomia kosovare duhet të zhvillohet dhe ta bëjë të kuptimtë pavarësinë e Kosovës dhe për këtë qëllim, Kosova duhet të krijojë ambient të përshtatshëm që t’i hap dyert për investitorët e jashtëm.

Kështu është thënë sot në një konferencë “Zhvillimi Ekonomik pas Pavarësisë së Kosovës”, organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

Lidhur me këtë, kjo aleancë, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit kosovar, i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të fillojë menjëherë me nismat konkrete në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend.

Udhëheqësi i kësaj aleance, Agim Shahini, tha se Republika e Kosovës ka potenciale të mjaftueshme, të cilat mund të sigurojnë një rritje të standardit jetësor të qytetarëve.

“Tatimi në paga të ulët nga 20 në 10 për qind. Por, të fillojë menjëherë edhe me zbritjen e dënimeve, që shumë biznese, për arsye të ndryshme, janë atakuar me këto dënime dhe nga 125 për qind, të ulën në kamatat bankiere që marrin edhe bizneset në kredi”, tha Shahini.

Alenaca Kosovare e Biznesit i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që menjëherë të fillojë me aplikimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare dhe me anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, tha Shahini.

“I propozojmë Qeverisë së Kosovës që të marrë nisma të menjëhershme, që të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë. Deri tash ka qenë hendikep për shkak të moszgjidhjes së statusit të Kosovës, e tashmë kjo është një perspektivë e re për Kosovën”, shprehet Shahini.

Përveç këtyre, Shahini tha se Qeveria e Kosova duhet të ndërmarrë masa ligjore për zbutjen e ekonomisë ilegale, posaçërisht në pikat kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe luftimin e korrupsionit dhe kontrabandës.

“...sidomos në pjesën veriore të Kosovës, duke mos anashkaluar pikat kufitare të Podujevës, pikat tjera që hyjnë nga ana e Leskovcit, por edhe nga Dheu i Bardhë. Këto janë pika ku Kosova po furnizohet me produkte të ndryshme, bile edhe të dyshuara për kualitet. Andaj, kërkojmë që të bëhet një kontroll më i rreptë në pikat doganore, sepse këto vende po ushqejnë një pabarazi në treg dhe po krijojnë turbulenca në tregun e Kosovës” pohon Shahini.

Ndryshe, ekspertë tjerë të ekonomisë thonë se në rend të parë, Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë një funksionalitet dhe përgjegjësi më të madhe për të gjitha institucionet që i shërbejnë zhvillimit ekonomik.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, si çështje tjetër përmend edhe kompetencat që do të bartën nga administrata e Kombeve të Bashkuara në institucionet vendore.

“Deri tash kemi pasur një pengesë të madhe dhe tash, pas heqjes së problemit, me pavarësimin e Kosovës, përgjegjësia duhet jetë esenciale e institucioneve vendimmarrëse. Kur them këtë, mendoj edhe në institucionet që jo drejtpërdrejt kanë të bëjnë me sferën ekonomike, siç është sundimi i ligjit”, thotë Kusari-Lila.

Nëse Qeveria e Kosovës fillon me zbatimin e këtyre rekomandimeve, Agim Shahini shpreson se deri në fund të këtij viti do të vërehen hapat e parë të zhvillimit ekonomik.

“Hapat e parë tashmë kanë filluar të vërehen, sepse tash interesimi i investitorëve të huaj ka filluar të rritet. Besoj se në fund të këtij viti do të fillojnë të duken ato investime që kanë munguar para se Kosova të ketë një status definitiv”, tha Shahini.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të institucioneve vendore, në javën e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë është rritur dukshëm, interesim ky që për ekspertët e ekonomisë është shpresa kryesore në uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG