Ndërlidhjet

Serbët po bojkotojnë institucionet e Kosovës


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Përfaqësuesit politikë të partive serbe të Kosovës nuk janë duke marrë pjesë në punën e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, për shkak të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.


Që nga 17 shkurti, kur u shpall pavarësia e Kosovës, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk po marrin pjesë as në Kuvend, e as në Qeveri.

Përfaqësuesit e partive politike, të cilët me gjithë kundërshtimin e Beogradit konsiderojnë se vetëm me pjesëmarrjen në institucione mund të luftojnë për të drejtat e serbëve, thonë se pas vendimit për pavarësi, është krijuar një periudhë e ndjeshme për komunitetin serb.

Nenad Rashiq, ministër për Punë dhe Çështje sociale në Qeverinë e Kosovës, nga Partia e Pavarur Liberale, thotë se anëtarët e kësaj partie janë duke abstenuar për shkak të situatës së ndjeshme.

“Ne kemi lajmëruar para 20 ditësh se në rast të shpalljes së pavarësisë, do të abstenojmë dhe kemi kushtëzuar mbetjen tonë në institucione me mospërdorimin e dhunës ose të ndonjë veprimi që mund të cenojë jetët e serbëve”, tha Rashiq.

Sllavisha Petkoviq, lider i Partisë Demokratike Serbe në Kosovë, thotë se vendimi për braktisjen e institucioneve është marrë pasi që Kuvendi shpalli pavarësinë.

“Ne kemi dashur ta shprehim qëndrimin tonë kundërshtues për këtë vendim, por nuk na është lejuar dhe me këtë rast është dëshmuar se jemi të padëshiruar në Parlament. Meqë jemi të padëshiruar, ne e kemi braktisur Kuvendin. Gjithmonë duhet theksuar se ky ka qenë një akt i njëanshëm dhe se përfaqësuesve serbë nuk i është dhënë mundësia që ta thonë në foltore atë çka kanë për ta thënë dhe ku qëndron problemi. Demokracia nënkupton që të dëgjohen të gjitha anët. Nga 17 shkurti nuk ka ndryshuar asgjë, në mënyrë që ne të kthehemi atje”, thotë ish-ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq.

Dhjetëshja serbe nuk ka marrë pjesë në seancën e Kuvendit, në të cilën është shpallur pavarësia. Përveç këtyre dhjetë deputetëve, serbët kanë edhe dy vende të rezervuara në Qeveri.

Partia Liberale Serbe ka 5 deputetë dhe një vend në Kryesi të Kuvendit, si dhe dy ministri. Partia Demokratike Serbe dhe subjektet tjera kanë 5 deputete. Ata aktualisht nuk shkojnë në punë.

Beogradi zyrtar nuk përkrah pjesëmarrjen e serbëve në institucionet kosovare, kështu që shumica e përfaqësuesve serbë janë të angazhuar në organet e Qeverisë serbe, apo në Këshillin Nacional Serb.

Në anën tjetër, zyrtarët kosovarë dhe ndërkombëtarë nxisin pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Prishtinës.

Megjithatë, pas pavarësisë, Partia e Pavarur Liberale dhe Partia Demokratike Serbe thonë se luftën e tyre për mbrojtjen e interesave serbe do ta vazhdojnë jashtë institucioneve.

Sipas Rashiqit, kryesia e partisë se tij po mblidhet rregullisht, ndërkaq vendimi për pjesëmarrjen eventuale do të lidhet me kushtet në të cilat jetojnë dhe punojnë serbët.

“Nëse gjithçka do të jetë në rregull, nëse me kohë tregohet se ka vullnet dhe dëshirë që komuniteti serb të qëndrojë në Kosovë, nëse shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare tregojnë se duan që të jetojnë bashkërisht në Kosovë, ne do të mendohemi. Deri atëherë, nuk do të kemi ndonjë vendim zyrtar në nivel të partisë për vazhdimin e pjesëmarrjes në institucione ose jo”, tha Rashiq.

Sllavisa Petkoviq thotë se edhe pse ka braktisur institucionet, ai nuk ka ndaluar, siç e quan, luftën për mbrojtjen e interesave të serbëve të Kosovës.

“Nuk duhet të jemi fizikisht në Parlament, për të mbrojtur interesat e komunitetit tonë. Ne tani po bëjmë çdo ditë punën tonë, për të cilën jemi zgjedhur, e kjo është mbrojtja e interesave”, thotë Petkoviq, duke theksuar se nuk do të kthehet në Kuvend kurrë, nëse nuk anulohet vendimi për pavarësinë.
XS
SM
MD
LG