Ndërlidhjet

Malcolm: “Kosova nuk është djep i serbëve”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Kosova është shtet i pavarur, nuk do të ndahet dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e Serbisë, deklaroi të martën nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns. Nënsekretari i Departamentit të Shtetit i bëri komentet në një forum të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington. Ai tha se Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën. E humbi atë në periudhën mars-qershor të vitit 1999, kur ajo u përpoq t’i dëbojë një milion njerëz nga ai vend. “Kur u miratua Rezoluta 1244 në qershor 1999, ajo në fakt bëri që Kombet e Bashkuara t’ia merrnin Kosovën Serbisë. Serbia nuk do ta marrë më kurrë Kosovën. U deshën nëntë vjet që kjo pyetje të merrte përgjigje dhe rreth një vit më parë SHBA-të erdhën në përfundimin se nëse e vononim ende pavarësinë e Kosovës, atëherë mundësia më e madhe sot ë ishte që kjo të provokonte dhunë dhe mungesë qëndrueshmërie në Ballkan”, tha Burns...

NACIONAL
Kosova që nga viti 1999 është shndërruar në një poligon veprimi të shumë shërbimeve sekrete të partive politike dhe të vendeve tjera. Secili vend që ka dashur dhe që ka pasur interes, kanë pasur mundësi që shërbimet e veta të spiunazhit t’i instalojnë në Kosovë. Ndonëse Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur, shërbimet e huaja vazhdojnë të veprojnë këtu. Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, i cili vjen nga radhët e PDK-së, pas së cilës për shumë vjet është fshehur SHIK-u, hesht, edhe pse kemi provuar që disa herë të flasim me të. Në rast të formimit të një shërbimi sekret legal në Kosovë, shtrohen dilemat se sa mund të jenë të infiltruara ato partiake...

KOSOVA SOT
Qeveria e Tiranës ka shprehur interesimin e saj për t’u bërë pjesë e projektit më të madh që aktualisht ka Republika e Kosovës – një termocentral i ri energjetik. Një vizitë e një delegacioni kosovar, të kryesuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, është shfrytëzuar për të hedhur në tryezën e diskutimeve edhe bashkëpunimin në sferën ekonomike. Në një treg me rreth 50 milionë konsumatorë, siç është tregu rajonal, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve për Tregti të Lirë, shqiptarët mund të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre, tani që ekzistojnë dy shtete, ndërsa dalja në Adriatik përbën një përparësi të jashtëzakonshme. Kur jemi te problemi energjetik, që shqetëson shqiptarët këndej dhe andej kufirit, mundësitë e largimit të krizës dhe zgjidhjes njëherë e përgjithmonë të furnizimit me rregull, janë optimale...

BOTA SOT
Demilitarizimi i Kosovës Lindore është kërkesë e kamotshme e përfaqësuesve institucionalë dhe politikë të shqiptarëve të Kosovës Lindore. Baza ushtarake serbe “Cepotin” në Komunën e Bujanocit, që nga fillimi i ndërtimit të saj, është kundërshtuar nga lidershipi shqiptar. Ndaj ndërtimit të kësaj baze, përfaqësuesit e spektrit politik dhe institucional shqiptar të Kosovës Lindore edhe njëherë kanë reaguar; kësaj radhe kanë ardhur pasi janë publikuar shifrat që i ka ndarë Qeveria e Serbisë për ndërtimin e kësaj baze, si dhe ka shpallur tenderin e ndërtimit të saj. Baza ushtarake “Cepotin”, në të cilën janë paraparë të vendosen rreth një mijë ushtarë, është duke u ndërtuar në një lokalitet mes Bujanocit dhe Preshevës...

EXPRESS
Fati e ka dashur që vetëm disa ditë pas lindjes së Kosovës së pavarur të vdesë dr Janez Drnovsek, kryeministri shumëvjeçar e më pas edhe presidenti i Republikës së Sllovenisë. Ai ishte burrështetasi i parë, i cili qysh në vjeshtën e vitit 2005, publikisht ka shprehur bindjen e tij se Kosova do të bëhet shtet i pavarur. Beogradi zyrtar në momentin e fundit ia kishte anuluar vizitën e aranzhuar. Beogradi nuk deshi të pranojë njeriun, i cili në mënyrë shumë të sinqertë dhe pa frikë do të shprehë bindjen e tij të thellë, se është më mirë që Serbia e Kosova të merren vesh për ndarjen paqësore, në mënyrë që më pas, sikur të gjithë popujt evropianë, sërish të jenë së bashku në kuadër të Bashkimit Evropian. Në vend të Beogradit, Drnovsek atë vit vizitoi Kosovën dhe atje brenda mureve të Manastirit të Graçanicës dërgoi porosinë e paqes, porosinë shqiptarëve dhe serbëve, se nuk mund të influencojnë të kaluarën, por që së bashku mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë...

KOHA DITORE
Historiani i njohur anglez, Noel Malcolm, i ka hedhur poshtë si të pavërteta parullat serbe se “Kosova është djep i popullit serb”. Në një koment të botuar të martën në gazetën londineze “The Guardian”, Malcolm u është përgjigjur serbëve që me pankarta “Kosova është Serbi”, “Pyeteni cilindo historian”, kanë protestuar të dielën kundër pavarësisë së Kosovës në Bruksel. “Kjo është nxitëse për historianët; nuk kërkohet shpesh nga ne që të gjykojmë”, ka shkruar historiani i njohur, i cili është autor i librit “Kosova një histori e shkurtër”. Ai ka sqaruar se “historia për serbët ka filluar në fillim të shekullit të shtatë, kur ata janë vendosur në Ballkan. Baza e tyre e fortë ka qenë jashtë Kosovës, të cilën pastaj ata e kanë pushtuar plotësisht në fillim të shekullit trembëdhjetë, kështu që pohimi se Kosova ka qenë “djepi” i serbëve është i pavërtetë”...

ZËRI
Deputetët e LDK-së janë të ndarë në mendime lidhur me atë që ndodhi mbrëmjen e 15 shkurtit në hollin e Kuvendit. Heqja e fotografisë së presidentit të ndjerë, Rugova, sipas disa deputetëve nga kjo parti, kërkon sqarim shtesë nga kreu i Kuvendit. Ndërkaq, pjesa tjetër e deputetëve të LDK-së beson se sqarimi është dhënë dhe se heqja e fotografisë ishte vetëm çështje teknike e pastrimit të Kuvendit për ditën e shpalljes së pavarësisë. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Eqrem Kryeziu, thotë se Grupi Parlamentar, përkundër disa shkrimeve në media, nuk është iniciuar asnjëherë që LDK-ka të kërkojë sqarime shesë apo të ngrejë këtë çështje në debat parlamentar...

EPOKA E RE
Komandanti i Dërgatës Shumëkombëshe të Lindjes, gjenerali amerikan John Davoren, ka thënë të martën se ndjehet i kënaqur me rrjedhën e aktiviteteve të javëve të fundit. “Situata e sigurisë në sektorin e lindjes është e qetë. Unë me bashkëpunëtorët e mi nga afër i përcjellim zhvillimet. Situata vazhdon të jetë e qetë, ndërsa ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çdo ngjarje, që mund të ndodhë gjatë ditëve në vijim”, ka thënë gjenerali Davoren... Në komentet e tij rreth protestave të serbëve në Shtërpcë me motive kundër pavarësisë së Kosovës, gjenerali Davoren ka thënë se ato ishin paqësore, ndërsa ushtarët e KFOR-it dhe partnerët e tjerë të sigurisë, policia, kanë mbikëqyrur zhvillimin e këtyre aktiviteteve...

INFOPRESS
Shtabi i ushtrisë ruse, me rekomandim të Kremlinit, ka përgatitur një plan të detajuar për dërgimin e një mijë ushtarëve rusë në territorin e Kosovës. Kështu shkruan gazeta ruse “Press”. Sipas saj, gjeneralët rusë kanë vlerësuar se për një ndërhyrje të tillë në “krahinën jugore serbe” dhe pozicionimin në vendet e nevojshme nuk nevojiten më shumë se dy javë nga marrja e urdhrit. Sipas burimeve të gazetës “Press”, zyrtarët e lartë rusë seriozisht kanë shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një baze ruse në veri të Kosovës, në afërsi të Mitrovicës. “Presidenti rus është në prag të vendimit për shfrytëzimin e së drejtës që i jep 1244-shi për dërgimin e ushtarëve në Kosovë”...
XS
SM
MD
LG