Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova ka kufijtë më të mbrojtur në rajon


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Gjendja e sigurisë në Kosovë është nën kontroll të plotë të mekanizmave vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.


Kufijtë e Republikës së Kosovës janë më të sigurtit dhe më të mbrojturit në gjithë rajonin, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi.

Ai tha se organet e rendit, si ato vendore dhe ndërkombëtare, bashkë me KFOR-in, po mbajnë situatën nën kontroll si përreth kufijve, ashtu edhe në pjesët tjera të Kosovës, ku ditëve të fundit ka protesta apo edhe provokime që vijnë nëpër pikat kufitare me Serbinë.

Kryeministri Thaçi i bëri këto komente në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Dua t’ju siguroj se gjendja e sigurisë në Kosovë është në kontroll të plotë të mekanizmave të sigurisë kosovare dhe atyre ndërkombëtare. Kufijtë e shtetit të Kosovës, mund të konkludoj me përgjegjësi të lartë se janë më të sigurtit dhe më të mbrojturit të të gjitha vendeve në rajon”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se policia vendore, ajo ndërkombëtare dhe KFOR-i kanë një bashkëpunim të ngushtë me punën e tyre profesionale që kanë treguar.

“Ky është një angazhim permanent për t’ju përgjigjur të gjitha rrethanave dhe sfidave që ka kaluar Kosova këto ditë”, theksoi Thaçi.

Në vijim, kryeministri kosovar tha se po vazhdon edhe njohja e shtetit të Kosovës me intensitet dhe me një vlerë e cilësi të shtuar prej shteteve, qeverive të vendeve të fuqishme.

Në këtë aspekt, Thaçi tha se Kosova do të aplikojë shumë shpejt për anëtarësim në disa prej organizatave e mekanizmave ndërkombëtarë, duke u përgatitur që një ditë të konkurrojë edhe për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian.

“Tanimë është dita e dhjetë e funksionimit të Kosovës si shtet sovran dhe demokratik dhe ne duhet të fillojmë menjëherë, si institucione të Kosovës, procesin e aplikimit për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Shumë shpejt fillojnë procedurat për anëtarësim edhe në OKB, BE, me angazhimet që janë të domosdoshme paraprake, që të jemi pjesë e përkushtimit dhe vizionit tonë për NATO dhe OSBE”, tha Hashim Thaçi.

Me kalimin e periudhës katër mujore të tranzicionit, Kosova do të mund të formojë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në këtë drejtim, Qeveria po përgatitet që të hapë dhe ambasadat e saj gjatë këtij viti në vendet që e kanë njohur dhe do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se janë caktuar edhe prioritetet lidhur me ambasadat dhe përfaqësitë e para diplomatike të Kosovës.

“Kosova i ka kapacitetet e veta edhe buxhetore që t’i ndërtojë, jo megalomani, se ne nuk do të jemi në mesin e shteteve, ta zëmë si Vatikani me mbi 170 ambasada, po një shtet solid dhe përfaqësimi ynë do të jetë në vendet ku kemi interesa politike, por, njëkohësisht edhe bashkëpunim ekonomik, kulturor, etnik, e kështu me radhë. Mendoj që Uashingtoni, Nju Jorku e Brukseli do të jenë vendet ku do të hapen ambasadat e para”, tha Kuçi.

Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës janë duke përgatitur bazën e nevojshme ligjore që t’i trashëgojnë përgjegjësitë, të cilat UNMIK-u, para largimit, brenda katër muajve të tranzicionit do t’i bartë te vendorët.

Andaj, në Prishtinë vlerësohet se vetëm pas tranzicionit, do të mund të flitet për funksionimin e Kosovës si shtet, brenda suazave të përcaktuara me Paketën Ahtisaari, duke pasur parasysh se do të ketë edhe mbikëqyrje ndërkombëtare nga misioni i BE-së dhe prani të vazhdueshme të NATO-s.
XS
SM
MD
LG