Ndërlidhjet

Policët serbë në SHPK - t'u binden urdhrave


SHPK

SHPK

Pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës, në rajonin e Gjilanit, refuzojnë t’u përgjigjen urdhrave të komandës së SHPK-së dhe kërkojnë që t’i zbatojnë vetëm urdhrat e autoritetit të UNMIK-ut.


Në Kosovë do të ketë funksionim vetëm të institucioneve të saj dhe atë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjin, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, lidhur me kërkesat dhe veprimet e një pjese të pjesëtarëve të SHPK-së nga radhët e komunitetit serb në pjesën veriore dhe lidnore të Kosovës, të cilët thonë se do t’u binden vetëm urdhrave të UNMIK-ut.

Ministri Pajaziti rikujton se administrata e UNMIK-ut gradualisht do të largohet nga Kosova, ndërkaq kompetencat do të kalojnë tek vendorët.

Sidoqoftë, ministri i Brendshëm kosovar thotë se me pjesëtarët e komunitetit serb në SHPK do të punojë me kujdes, që t’i bindë se rruga e vetme e funksionimit është respektimi i ligjeve në fuqi.

“Ne vazhdojmë t’i kuptojmë një pjesë të pjesëtarëve të policisë sonë që mund të jenë të frustruar nga ngjarjet e fundit, e po ashtu po mundohemi ta kuptojmë gjendjen e tyre të presionit apo kërcënimit nga dikush. Mendojmë që kjo situatë nuk do të zgjasë shumë; njerëzit do t’u kthehen vendeve të tyre të punës; ne do të jemi tolerantë të mos kemi përgjigje të ashpra, të egra në raport me ta. Po mundohemi t’i kuptojmë dhe është me rëndësi që policia e SHPK-së po funksionin normalisht”, thotë Pajaziti.

Ministri Zenun Pajaziti thotë se veprimet e policëve serbë në SHPK janë të nxitura edhe nga Beogradi.

Ndërkaq, me kalimin e tranzicionit dhe largimin e UNMIK-ut, ai thotë se në Kosovë do të ketë shumë më pak institucione ndërkombëtare, andaj i fton policët serbë që t’u kthehen detyrave të tyre të përditshme në SHPK.

“Minimumi që duhet të bëjnë është që të vazhdojnë si deri më tani. Jemi të sigurt dhe kjo është më se e qartë se ka manipulime nga Beogradi. Ata do ta kuptojnë së shpejti që në Kosovë nuk do të ketë shumë institucione. Do të ketë vetëm një institucion ose vetëm institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë ato që do të rregullojnë jetën e përditshme, shoqërinë kosovare”, thekson Pajaziti.

Lidhur me sjelljet e këtyre ditëve të policëve serbë në rajonin e Gjilanit, zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, sqaron se ky stacion qysh moti është transferuar nga UNMIK-u tek vendorët.

Andaj, ai thotë se do të duhej të pritej këto ditë një vendim nga qendra në Prishtinë se si të veprohet me ta, pasi që dallon nga Mitrovica, ku ndërkombëtarët kanë më shumë autorizime, për shkak të ndjeshmërisë së gjendjes së atjeshme.

“Ata thonë se dëshirojnë të punojnë nën autoritetin e UNMIK-ut dhe jo atë të SHPK-së. Kjo është arsyeja që ata e thonë. Sidoqoftë, kjo mbetet të vendoset më vonë, duke pasur parasysh se rajoni i Gjilanit ka qenë në tranzicion dhe është i pavarur që nga marsi i vitit 2005. Do të thotë se aty autoriteti i UNMIK-ut është si këshillëdhënës dhe jo vendimmarrës, pra nuk është si në rastin e Mitrovicës”, thotë Elshani.

Në anën tjetër, ministri Zenun Pajaziti thotë se përkundër faktit që një pjesë e policëve serbë në veri dhe në lindje të Kosovës nuk ka pranuar t’u përgjigjet urdhrave të SHPK-së, por vetëm atyre të UNMIK-ut, ende ata nuk e kanë njoftuar Ministrinë me qëllimin dhe kërkesat e tyre.

Në çdo rast, ai thotë se në Kosovë të gjitha institucionet do të duhet të funksionojnë në harmoni me Kushtetutën dhe në përputhje me ligjet që dalin nga Paketa Ahtisaari.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG