Ndërlidhjet

logo-print

Sofje: Kosova lë në hije takimin rajonal


Pakënaqësitë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë lënë në hije takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Sofje të Bullgarisë.

Takimi është i pari i këtij lloji pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç ripërsëriti se Serbia do të bëjë gjithçka për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Në takim, Kosova u përfaqësua nga Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike.

Unë fola "në emër të Republikës së Kosovës dhe kërkova që tash e tutje, Republika e Kosovës të jetë pjesë e të gjitha qasjeve rajonale bilaterale dhe multilaterale", tha Beqaj.

Delegacioni i Serbisë e ka lëshuar sallën kur ka folur përfaqësuesi i Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Ivaylo Kalfin tha se fakti që delegacionet e Serbisë dhe Kosovës u ulën në të njëjtën tryezë "pak pasi Kosova shpalli pavarësinë është shumë i rëndësishëm".

"Bashkëpunimi rajonal duhet t'i përfshijë të gjithë. Nuk duhet të ketë palë të izoluara, apo të tjerë që nuk mund të marrin pjesë", tha Kalfin.
XS
SM
MD
LG