Ndërlidhjet

Rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në institucionet monetare


Dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës pritet që shumë shpejt t’u dërgojë aplikacionet për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Anëtarësimi i Kosovës në këto organizata ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës, thonë ekspertë të ekonomisë.

Skënder Berisha, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se kreditë e këtyre dy institucioneve janë shumë të volitshme, të arsyeshme dhe afatgjate. Kështu që, sipas tij, kreditë e këtyre institucioneve janë bazament i përmirësimit të gjendjes ekonomike në Kosovë.

“Banka Botërore jep linja kreditore për ndërtimin e objekteve të industrisë ushqimore, pra për bujqësi. Por, jep edhe linja kreditore për ndërtimin e objekteve industriale. Kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk jep kredi për zhvillimin ekonomik, por FMN e ka pikësynim stabilizimin ekonomik; ato elementet makroekonomike i përcjell dhe jep sugjerime se si të përcaktohet politika makroekonomike e zhvillimit të Kosovës”, thotë Berisha.

Edhe Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se Kosova me pozitën e re dhe me anëtarësimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare, krijon mundësi më të favorshme për një qëndrueshmëri më të përshtatshme ekonomike.

Megjithatë, ai pohon se përmirësimi i ekonomisë nuk mund të ndodhë shpejt, pasi, sipas tij, edhe procedurat për aplikim kërkojnë shumë kohë.

“Në këtë situatën e re janë krijuar kushtet që vërtet Kosova të futet në një zonë të një zhvillimi më të qëndrueshëm; sigurisht se ndryshimet nuk do vijnë në shprehje menjëherë, në mënyrë automatike. Është një start i ri, është një pozitë e re; ajo që ne presim është që Qeveria e Kosovës ta prezantojë programin, prioritetet sektoriale dhe politikat e veta që do t’i ndjekë në këtë periudhë”, tha Sadiku.

Ndryshe, një shteti që dëshiron të marrë kredi në këto institucione, i caktohet kuota, që është proporcionale me ekonominë e atij shteti si potencialin që ka ajo ekonomi.

Skënder Berisha thotë se kreditë në këto institucione janë konkrete, nuk është ndonjë normë unike për të gjitha kreditë dhe afatet për kthim të kredisë nuk janë unike për të gjitha kreditë.

“Kur është fjala për Kosovën në kuadër të Bankës Botërore, është një institucion shumë i rëndësishëm financiar, quhet Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim; ajo jep kredi gati pa kamatë edhe me një afat të kthimit deri në 40 vjet, me periudhë të pushimit deri në 10 vjet”, tha Berisha.

Kreditë nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim i shfrytëzojnë vetëm vendet që kanë një zhvillim më të dobët ekonomik, thotë Berisha.

“Në radhë të parë Shqipëria, me të ardhura kombëtare për banorë, GDP, nën 900 dollarë në vit. E Kosova nuk i ka 900 dollarë në vit, prandaj plotësisht ka të drejtë të orientohet në shfrytëzimin e kredive në radhë të parë të këtij institucioni, do të thotë Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim në kuadër të Bankës Botërore; ato janë kredi shumë të volitshme”, pohon Berisha.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk kërkojnë nga aplikuesi parakusht për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por duhet të jetë shtet dhe të jetë nën kontrollin e punëve të jashtme.

Por, kusht i nevojshëm është që një shtet të jetë anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar, para se të bëhet anëtar i Bankës Botërore.
Megjithatë, për t’u anëtarësuar në këto institucione, Parlamenti i Republikës së Kosovës duhet të miratojë Ligjin për Anëtarësimin e Kosovës në këto institucione.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG