Ndërlidhjet

SHBA-të "absolutisht e kundërshtojnë ndarjen"


Shtetet e Bashkuara zëshëm kanë theksuar "kundërshtimin absolut" ndaj çfarëdo lëvizjeje për ndarjen e Kosovës.
- Ne absolutisht e kundërshtojmë ndarjen e Kosovës, tha nënsekretari i Departamentit amerikan të shtetit, Nicholas Burns dhe shtoi se "pjesa më e madhe e vendeve në mbarë botën nuk do të jenë për çështjen e ndarjes".

Ai mëtutje, mbrëmë vonë në një konferencë për shtyp në Uashington, i përmendi edhe komentet e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, i cili në Vjenë tha se nuk do të ketë ndarje.

"Ne nuk do ta mbështesim e as nuk do të tolerojmë asnjë lëvizje drejt ndarjes, çoftë ajo de facto ose de jure", tha zoti Burns.

Ai pastaj kërkoi nga autoritetet në Beograd që të mos e "harrojnë historinë, se çka ndodhi në Ballkan në vitet e 90-ta".

"Për shkak të kësaj historie, Kombet e Bashkuara e morën Kosovën nga Serbia në qershor të vitit 1999", tha Nicholas Burns dhe shtoi se "tash Shtetet e Bashkuara dhe e tërë Evropa, me pak përjashtime, fuqishëm po e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Këtë e bëjnë me arsye të mirë, pasi ne nuk e kemi harruar historinë e asaj që ndodhi atje".
XS
SM
MD
LG