Ndërlidhjet

McConell: "Beogradi lejoi sulmin kundër ambasadave"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Mbi 90 për qind e popullsisë në Republikën e Kosovës janë shqiptarë, pjesa tjetër serbë, boshnjakë, turq, etj. Të parët nuk përmenden gjëkundi në draft-kushtetutën që është hedhur në debat publik, por pakicat po. A do të jenë pa emër shqiptarët në Kushtetutën e Kosovës?... Deputetët e Kuvendit të Kosovës pohojnë se në preambulë duhej cekur populli shumicë shqiptar, por kjo çështje nuk është lejuar për shkak të rrethanave specifike...

BOTA SOT
Debat i ashpër është zhvilluar në përpjekje të prezantimit të koncepteve parimore dhe kundërshtimit të tyre me mbrojtje politike, gjatë debatit kuvendar për projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për skemën sociale... Deputetë të AAK-së kanë pretenduar se kanë gjetur “gurin moral” për të goditur Qeverinë Thaçi, të cilën e kanë vlerësuar të paaftë, ndërkohë që deputetë të PDK-së i kanë dalë në mbrojtje qeverisë që e drejtojnë me retorikë të zjarrtë politike, duke i hedhur poshtë akuzat e deputetëve opozitarë, si vajtim të humbjes së pushtetit...

EXPRESS
“Ecja e gjatë” e kryeministrit Hashim Thaçi pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, ka vazhduar edhe të enjten në Drenicë. Analistët i sugjerojnë të mos i shndërrojë vizitat në fushatë intensive. Opozita thotë se do të ishte më mirë që kryeministri të merrej me njohjet dhe programin qeverisës. Ai gjen mbështetjen tek koalicioni i liderit – LDK-ja. Astrit Salihu, këshilltar politik i kryeministrit, ka qenë shumë i shkurtë dhe nuk ka dashur pyetje. “Vizitat e kryeministrit Thaçi kanë të bëjnë me respektin për familjet që kanë kontribuar për Kosovën”, ka deklaruar Salihu...

KOHA DITORE
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar të enjten në parim edhe pesë projektligje të hartuara nga qeveria e kaluar, duke e ngritur në 18 numrin e projektligjeve të miratuara për vetëm tri ditë. Me shumicë votash, deputetët pas shqyrtimeve të para kanë miratuar në parim: Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis, Projektligjin për inspektoratin e punës, Projektligjin për përkrahjen materiale të familjeve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, si dhe Projektligjin për shitjen e banesave...

ZËRI
Sipas burimeve brenda strukturave të larta të LDK-së, jo gjithçka në LDK është duke shkuar sipas asaj që duket nga jashtë,ndërkohë që lidhja e koalicionit me PDK-në për qeverisjen e vendit ka bërë që brenda partisë të rritet korpusi i atyre që ndihen humbës në rrethanat e reja politike, në të cilat ka kaluar LDK-ja. Pakënaqësitë e ndryshme nuk i ka mohuar dje as nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, por ai ka thënë se të gjithë në Kryesinë e LDK-së dhe në strukturat e tjera partiake duhet ta kuptojnë se LDK-ja tashmë është në rrethana të tjera politike dhe pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, LDK-ja nuk është e para, por partia e dytë në Kosovë...

EPOKA E RE
Zyrtari më i lartë amerikan për zbulimin, ka thënë se Qeveria serbe e ka urdhëruar policinë që të mos ndërhynte për t’i ndaluar protestuesit që sulmuan ambasadat e vendeve perëndimorë ne Beograd, përfshirë atë të SHBA-ve, pasi ata njohën pavarësinë e Kosovës. Drejtoi i Zbulimit Kombëtar, McConell, ka thënë të merkurin para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se Qeveria e Serbisë e ka udhëzuar policinë të mos ndërhynte në demonstratat e dhunshmen Beograd, javën e kaluar...

INFOPRESS
Fillimi i negociatave për përcaktimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë, duket të jetë kushti që ka vënë kjo e fundit në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo së paku është vërejtur nga deklaratat e zyrtarëve maqedonas, të cilët me çdo kusht insistojnë që sa më shpejt të fillojnë negociatat për shënimin e vijës kufitare mes këtyre dy vendeve. Madje, ata patën insistuar edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës që të zgjidhet çështja kontestuese e demarkacionit Kosovë-Maqedoni...

LAJM
Bashkë formuan koalicionin qeverisës. Bënë negociata, lobuan për pavarësinë... Por, “Java e Pavarësisë” i përçau. Ndaras e nderuan familjen jashari në Prekaz, ish-presidentin Rugova në Velani dhe martirët e familjes Ahmeti e Sejdiu në Likoshan. Në “Ditën e Pavarësisë” ndaras shkuan në Kuvend. Prapa “prishjes” së raporteve ndërmjet Presidentit e Kryeministrit qëndron marrëveshja për leximin e “Deklaratës së Pavarësisë” nga kryeministri Thaçi dhe heqja e fotografisë së ish-presidentit Rugova nga holli i Kuvendit...

NACIONAL
E drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit mund të bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në vendimin e marrë pas luftës së dytë botërore në Këshillin e Sigurimit, është bërë rregull që për t’u anëtarësuar një shtet i ri në OKB, duhet të pajtohen të pesë fuqitë e mëdha, anëtare të KS-së. Përndryshe, çështja nuk mund të procedohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këtu çështja mund të ngecë, pasi që Rusia dhe Kina kanë të drejtë të vetos në KS...
XS
SM
MD
LG