Ndërlidhjet

Kosova do ta paguajë borxhin e jashtëm, jo Serbia


Kosova do të marrë përsipër pjesën e vet të borxhit që ka ndaj organizatave të huaja financiare, pavarësisht deklarimeve të Qeverisë së Serbisë se ajo do të paguajë borxhin e Kosovës, për të treguar, siç kanë thënë ata, se Kosova është pjesë e Serbisë, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Çdo borxh i Kosovës, i cili është nënshkruar nga institucionet e atëhershme të Kosovës dhe është shfrytëzuar për nevojat e Kosovës, do të paguhet nga institucionet e Republikës së Kosovës, thotë Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave. Ai ndërkaq pohon se kjo çështje është e rregulluar edhe me pakon e Ahtisaarit.

“Kosova është shtet i pavarur, Kosova i ka pranuar obligimet e veta ndërkombëtare; është e rregulluar edhe me pakon e Ahtisaarit; ne e kemi pranuar pakon e Ahtisaarit, ne do ta zbatojmë pakon e Ahtisaarit dhe ne i marrim obligimet tona”, pohon Hamza.

Në pakon e Ahtisaarit, sa i përket borxhit ndërkombëtar, thuhet se një vit pas fuqizimit të marrëveshjes për statusin, nëse Kosova dhe Republika e Serbisë nuk pajtohen për përmbushjen dhe caktimin e borxheve, atëherë Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të emërojë një arbitër që do të merret me ndarjen e borxheve në mes të dy vendeve.

Bedri Hamza thotë se institucionet e Kosovës janë të gatshme që ta zbatojnë pakon e Ahtisaarit.

“Është e precizuar që ne nuk merremi vesh në një kohë të caktuar me Serbinë, që unë dyshoj se ne do të merremi vesh. Atëherë, faktori ndërkombëtar do të vendosë për këtë çështje dhe do të caktohet një person përgjegjës për zgjidhjen e këtij problemi”, thotë Hamza.

Ndryshe, edhe ekspertë kosovarë për çështje ekonomike pohojnë se Kosova duhet të marrë përsipër shlyerjen e borxhit ndërkombëtar, deri në vitin 1999, në rastin kur përfituesi përfundimtar është vendosur në Kosovë.

Bedri Selmani, profesor në Universitetin Viktoria, tha se pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt, Kosova e ka adresën juridiko-shtetërore. Dhe, prej atij momenti, Selmani thotë se të gjitha obligimet që kanë rrjedhur nga ish – Jugosllavia dhe janë të lidhura me Kosovën, duhet t’i shlyejë Kosova si subjekt i ri shtetëror.

“Është paradoksale që dikush me subjekt tjetër juridiko-shtetëror të marrë pjesë në obligimet e subjektit tjetër. Kjo është çështje që nuk mund të ndodhë. Edhe Klubi i Parisit, edhe ai i Londrës, sigurisht se tashmë e dinë adresën se me kë duhet biseduar për këto borxhe”, tha Selmani.

Bedri Hamza, ndërkaq pohon se shpagimi i borxheve të jashtme nuk paraqet ndonjë problem për Kosovën. Ai thotë se tashmë Qeveria e Kosovës, nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, për këtë vit ka ndarë një shumë të mjeteve për kthimin e këtyre borxheve.

“Ne kemi ndarë këtë shumë për këtë vit, mirëpo ne edhe në konferencën e donatorëve dhe në vitet e ardhshme do të ndajmë fonde. Normalisht se do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona financiare në raport me borxhet e jashtme”, tha Selmani.

Megjithatë, ende mungojnë shifrat zyrtare se sa i ka borxh Kosova organizatave të huaja financiare, por, sipas disa ekspertëve të ekonomisë, kjo shumë duhet të jetë prej 500 mijë deri në më pak se një miliard dollarë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG