Ndërlidhjet

UNMIK-u (s')është në tranzicion


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Zyrtarët e UNMIK-ut thonë se tranzicioni nuk ka filluar ende, përderisa nga Qeveria e Kosovës thuhet se nga 17 shkurti tranzicioni ka filluar dhe se UNMIK-u do të duhej larguar nga Kosova në qershor të këtij viti.


Administrata e UNMIK-ut dhe Qeveria e Kosovës paraqiten me mendime të ndryshme lidhur me fillimin e periudhës së tranzicionit, që nënkupton se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pason dhe kalimi i kompetencave nga UNMIK-u te institucionet vendore.

Ndërsa nga Qeveria e Kosovës thuhet se me shpalljen e pavarësisë, kjo periudhë tranzicioni ka filluar, megjithatë zyrtarë të UNMIK-ut në Prishtinë thonë se Kombet e Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm nuk i kanë dhënë ende instruksione UNMIK-ut për bartjen e kompetencave.

Zëdhënësi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, Rusell Geekie, thotë se bartja e kompetencave ende nuk ka filluar.

“Nga perspektiva jonë, ne nuk jemi ende në tranzicion dhe kjo çështje i përket Nju Jorkut që ta përcaktojë kur dhe si do të zhvillohet”, thotë zëdhënësi Geekie.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se me 17 shkurtin, Kosova ka një pozitë tjetër juridike, që definohet si shtet i pavarur e sovran.

Andaj, Kuçi thotë se UNMIK-u do të duhej të pritej që ta përmbyllë misionin e vet në Kosovë dhe të largohet qysh në qershorin e këtij viti.

“Mendojmë që 17 shkurti ka bërë që Kosova të jetë me subjektivitet tjetër ndërkombëtar dhe mund të themi se ndryshimi i statusit politik ka bërë edhe ndryshimin e kompetencave dhe mund të themi se jemi në fazën e tranzicionit të plotë”, thotë zëvendëskryeministri Kuçi.

Ndërkohë, një zyrtar i Zyrës Civile Ndërkombëtare thotë se UNMIK-u do t’i bartë përgjegjësitë te institucionet e Kosovës dhe jo te misioni i BE-së.

Zyra Civile Ndërkombëtare, sipas këtij zyrtari, do të jetë në Kosovë në funksion këshillëdhënës dhe mbikëqyrës lidhur me zbatimin e pakos së Ahtisaarit, por nuk do t’i ushtrojë kompetencat e UNMIK-ut.

Kjo, sipas tij, nënkupton se Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, që në këtë rast është Peter Faith, do të ndërhyjë vetëm në rast se institucionet e Kosovës bëjnë shkelje të pakos së Ahtisaarit.

Ndërkaq, lidhur me misionin e ri EULEX, thuhet se ai do të ndihmojë në përparimet që i duhen Kosovës në fushën e policisë dhe gjykatave.

Bazuar në pakon e Ahtisaarit, periudha tranzitore zgjat katër muaj. Gjatë kësaj periudhe, UNMIK-u gradualisht i bart të gjitha përgjegjësitë e veta te qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës. Me bartjen e këtyre përgjegjësive, pas katër muaj tranzicioni, UNMIK-u largohet nga Kosova.

Sidoqoftë, në Prishtinë ka rreth një vit që qeveria vendore, UNMIK-u dhe misioni planifikues i BE-së kanë ngritur trupa të përbashkëta për tranzicionin dhe se me marrjen e shenjave të para nga Nju Jorku për fillimin e tranzicionit, këtu besohet se gjithçka është gati dhe nuk do të ketë zvarritje, pasi që në këtë proces është duke u punuar për një kohë të gjatë.

Andaj, në Prishtinë pritet që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së të numërojë si tranzicion periudhën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kjo nënkupton se me qershorin e këtij viti, UNMIK-u do të largohej nga Kosova.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG