Ndërlidhjet

logo-print

Pezullohen nga puna pjesëtarë serbë të SHPK-së


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

Pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës nga rajone të ndryshme, të cilët nuk i kanë respektuar urdhrat e komandës së SHPK-së dhe kërkojnë t’i zbatojnë vetëm urdhrat e administratës së UNMIK-ut, janë pezulluar nga detyra për dyzetetetë orë, thonë autoritetet e policisë.

Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së, thotë se pjesëtarët e policisë, të cilët nuk kanë pranuar t’i kryejnë detyrat e tyre, janë pezulluar nga puna.

“Sot është mbajtur një takim tjetër; ata nuk kanë pranuar të hyjnë në komandën e rajonit të Gjilanit dhe me urdhër të komandës kryesore të policisë në Prishtinë, ata suspendohen nga detyra për 48 orë me pagesë. Pas 48 orëve, lënda shkon në inspektoratin policor në Prishtinë dhe mandej vendoset se çka të bëhet më tutje”, tha Elshani.

Elshani nuk ka dashur të japë detaje sa i përket numrit të pjesëtarëve serbë, të cilat janë pezulluar, pasi që, sipas tij, një numër i pjesëtarëve të policisë gjenden në pushime vjetore.

“Nuk mund të them për numrin e saktë që ne e kemi suspenduar, për arsye se nuk i kam ato statistika. Mirëpo, regjioni i Gjilanit i ka 129 policë. Tani mbetet të shihet se kush janë ata, të cilët do të dalin në detyrë, sepse ne kemi pasur policë, të cilët kanë qenë nëpër pushime mjekësore, ditore apo edhe vjetore. Kështu që ne nuk mund të flasim për ata, të cilët nuk janë paraqitur sot aty”, tha zëdhënësi i SHPK-së.

Në ato pjesë të Kosovës, ku transferi i kompetencave është bërë tashmë te autoritetet e Kosovës, nuk mund të kthehet më në ato ndërkombëtare, theksojnë zyrtarët e policisë.

Sipas Veton Elshanit, policët që pezullohen nga puna, dorëzojnë armët personale dhe disa gjëra të tjera, gjë që, sipas Elshanit, nuk do të thotë që ata nuk janë më pjesëtarë të SHPK-së.

“Është procedurë e rregullt që në momentin që dikush suspendohet me pagesë, ai i dorëzon pajisjet e veta, radio-lidhjen, armën, kartelën identifikuese. Mirëpo, ata mbesin pjesëtarë të SHPK-së derisa nuk vjen ndonjë vendim për largimin e tyre. Një vendim për largimin e tyre ne nuk e kemi”, tha Elshani.

Nga pjesëtarët serbë të SHPK-së, kërkesa që të punohet nën urdhrat e policisë së UNMIK-ut ka pasur edhe nga rajonet e Prishtinës dhe të Ferizajt, ka bërë të ditur zoti Elshani.

Ndryshe, edhe sot, në veri të Mitrovicës është mbajtur protesta e përditshme kundër pavarësisë së Kosovës, e cila filloi në orën 12 e 44.

Zëdhënësi Besim Hoti thotë se ajo ka kaluar pa incidente.

“Protesta me simbolikën e saj me fillim rreth orës 12:44, ka përfunduar rreth orës 13:10. Përveç disa mjeteve piroteknike që janë përdorur nga ana e protestuesve dhe ato janë hedhur prapa radhëve të pjesëtarëve të policisë, nuk ka pasur incidente të tjera”, ka theksuar zoti Hoti.

Kurse, katër vetura të policisë së Kombeve të Bashkuara që gjendeshin në kompleksin e policisë dhe të gjykatës, në veri të Mitrovicës, janë dëmtuar nga një shpërthim i fuqishëm, i cili ka ndodhur mbrëmë, kanë njoftuar autoritetet e policisë.

Protestuesit serbë, sot, kanë shfrytëzuar edhe dy eskalatorë, në përpjekje për të hyrë në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, por janë përballur me forca të shumta të sigurisë.

Aktualisht, sipas autoriteteve të rendit, situata e sigurisë në veri është e tensionuar, por nën kontroll.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG