Ndërlidhjet

logo-print

Bush e Scheffer diskutuan për Kosovën


Presidenti amerikan George Bush dhe shefi i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer diskutuan gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë konfliktin në Afganistan, planet amerikane rreth mbrojtjes raketore dhe përgatitjet për takimin e Bukureshtit në prill.

Roli i NATO-s në Kosovën e pavarur ishte një tjetër temë e bisedimeve Bush-Scheffer.
"Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni i dytë më i rëndësishëm për NATO-n. 16 mijë trupa të NATO-s janë aty për të mbrojtur gjithë kosovarët, shumicën, pakicën, shqiptarë dhe serbë, në mënyrë që Kosova të ketë një të ardhme", tha de Hoop Scheffer.

Presidenti amerikan nënvizoi rëndësinë e NATO-s në rajon.
"E çmoj shumë rolin e NATO-s dhe ndihmën që jep për të krijuar stabilitet në Ballkan", tha Bush.

Lidhur me zgjerimin e Aleancës në takimin e Bukureshtit, presidenti amerikan shtoi:
"Shpresa jonë është se vendet që kanë aplikuar për t'iu bashkangjitur NATO-s vazhdojnë të përmbushin detyrimet e paraprë në Planin e Veprimit për Anëtarësi. Do ta analizojmë përparimin e bërë prej tre vendeve përpara se të votojmë për zgjerimin", tha Bush.

Shefi i NATO-s nga an e tij ka shtuar se ende asgjë nuk është vendosur për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë.
"Vendet e interesuara duhet të vazhdojnë me reformat. Nuk janë prerë ende biletat për anëtarësim, por zgjerimi i NATO-s do të jetë në planin e punës së takimit të Bukureshtit", tha jaap de Hoop Scheffer.

XS
SM
MD
LG