Ndërlidhjet

Bush diskuton për Kosovën dhe zgjerimin e NATO-s


Presidenti George Bush në takim me shefin e NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer

Presidenti George Bush në takim me shefin e NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer

Presidenti amerikan, George Bush, gjatë fundjavës po diskuton për zhvillimet në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, në takime të ndara me kreun e NATO-s dhe kryeministrin danez.


Presidenti amerikan, George Bush dhe shefi i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, diskutuan gjatë takimit, në Shtëpinë e Bardhë, konfliktin në Afganistan, planet amerikane rreth mbrojtjes raketore dhe përgatitjet për takimin e Bukureshtit në prill.

Roli i NATO-s në Kosovën e pavarur ishte një tjetër temë e bisedimeve Bush - De Hoop Scheffer.

"Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni i dytë më i rëndësishëm për Aleancën. 16 mijë trupa të NATO-s janë aty për t'i mbrojtur gjithë kosovarët, shumicën, pakicën, shqiptarë dhe serbë, në mënyrë që Kosova të ketë një të ardhme", tha Jaap de Hoop Scheffer.

Presidenti amerikan nënvizoi rëndësinë e NATO-s në rajon.

"E çmoj shumë rolin e NATO-s dhe ndihmën që jep për të krijuar stabilitet në Ballkan", tha Bush.

Lidhur me zgjerimin e Aleancës në takimin e Bukureshtit, presidenti amerikan shtoi:
"Shpresa jonë është se vendet që kanë aplikuar për t'iu bashkangjitur NATO-s, do vazhdojnë t’i përmbushin detyrimet e parapara në Planin e Veprimit për Anëtarësi. Do ta analizojmë përparimin e bërë prej tre vendeve, përpara se të votojmë për zgjerimin", tha Bush.

Shefi i NATO-s nga ana e tij ka shtuar se ende asgjë nuk është vendosur për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë.

"Vendet e interesuara duhet të vazhdojnë me reformat. Nuk janë prerë ende biletat për anëtarësim, por zgjerimi i NATO-s do të jetë në planin e punës së takimit të Bukureshtit", tha Jaap de Hoop Scheffer.

Kosova dhe takimi i NATO-s, në prillin e këtij viti në Bukuresht, do të jenë ndër temat e diskutimit edhe në takimin mes presidentit amerikan Bush dhe kryeministrit të Danimarkës, Anders Fogh Rassmusen.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë, John Gondroe. Ai shtoi se ndër temat e diskutimit do të jenë edhe zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.

Bush e ka pritur kryeministrin e Danimarkës në fermën e tij në Krauford, Teksas.

Zyrtarët amerikanë thanë se Bush dhe Rassmussen pritet të diskutojnë edhe për luftërat në Irak dhe në Afganistan, përfshirë përpjekjet për dërgimin e më shumë trupave të NATO-s në Afganistan.

Danimarka është e pranishme me trupa në Kosovë, Irak dhe Afganistan.

XS
SM
MD
LG