Ndërlidhjet

Mbyllja e doganave në veri zvogëlon kontrabandën e mallit


Janë bërë më shumë se dhjetë ditë kur në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët kishin djegur pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të Shërbimit Doganor të Kosovës, pikat kufitare në këtë pjesë tashmë kontrollohen nga pjesëtarë të shërbimit policor të UNMIK-ut dhe pjesëtarë të KFOR-it, kështu që aty ka qarkullim të njerëzve, por nuk ka në masë të madhe qarkullim të mallrave.

Zëdhënësi i Shërbimit Doganor, Adriatik Stavilevci, thotë se ky shërbim ende nuk është vendosur atje.

“Fillimisht procedura doganore nuk ka, pasi që nuk ka prezencë doganore. Për këtë arsye, edhe kamionët që vijnë dhe që janë shumë pak, dërgohen në terminalin e Mitrovicës Jugore për zhdoganim”, tha Stavilevci.

Në anën tjetër, ekspertët kosovarë të ekonomisë thonë se menaxhimi i kufirit verior nga pjesëtarët e UNMIK-ut dhe KFOR-it, ka zvogëluar dukshëm nivelin e kontrabandës dhe korrupsionit.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se kufiri verior midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë i qëndrueshëm për të bërë një kontroll të mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe kjo ka qenë arsye pse kontrabanda e mallit në këtë pjesë ka qenë në nivel të lartë.

Arsye tjetër e kontrabandës së mallit, sipas Gërxhaliut, ka qenë se punëtorët e Shërbimit Doganor në ato pjesë janë të komunitetit serb.

Ai thotë se vetëm gjatë kësaj periudhe, kur dogana po kontrollohet nga UNMIK-u dhe KFOR-i, është minimizuar kjo dukuri që i ka kushtuar shumë ekonomisë dhe buxhetit të Kosovës.

“Ju e dini fare mirë se problemi esencial i ekonomisë së Kosovës ka qenë Mitrovica. Dhe, për këtë arsye, nuk ka pretendim të rritjes së kontrabandës; përkundrazi, me këtë menaxhim do të ketë vetëm rritje të një dukurie të tillë negative për ekonominë e Kosovës, sepse vetëm tashmë ka kontroll më efektiv, sesa deri më tani”, tha Gërxhaliu.

Adriatik Stavileci thotë se edhe pas mbylljes së doganave në ato pjesë, nuk vërehet më ndonjë rritje e kontrabandës. Ndërkaq, sa i përket asaj se në ato pika kufitare kanë punuar pjesëtarë të komunitetit serb, Stavileci thotë se kjo nuk ka qenë arsye pse në ato pjesë kontrabanda ka qenë në nivel më të lartë, sesa në pikat kufitare tjera të Kosovës.

“Nuk është e thënë se në ato pika kanë punuar vetëm pjesëtarë të komunitetit serb. Ndoshta nuk kanë punuar shqiptarë, por ne kemi pasur patrullat anti-kontrabandë që e kanë kontrolluar atë pjesë dhe njëkohësisht ende e kontrollojnë atë pjesë. Përveç serbëve, atje ka pasur edhe boshnjakë, ka pasur edhe minoritete tjera, kështu që nuk ka pasur ekskluzivisht vetëm pjesëtarë të komunitetit serb”, tha Stavilevci.

Një pjesë e mallrave që kanë hyrë në pikat doganore me Serbinë, iu kanë shmangur tatimit dhe kanë krijuar pabarazi në tregun kosovar, thotë edhe Nazmi Zeqiri, profesor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji.

Megjithatë, edhe ai pohon se tashmë kjo dukuri është zvogëluar, kështu që, sipas tij, nuk ka nevojë për shqetësim.

“Unë mendoj se nuk do të ketë rritje të kontrabandës, ose rritja e tillë nuk do të vërehet, për arsye se në atë pjesë të Kosovës, në masë të madhe ose të vogël ka pasur kontrabandë, pasi edhe vetë zyrtarë të Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut kanë deklaruar se ka kontrabandë. Kështu që nuk duhet të jetë një çështje që duhet të na brengosë aq shumë”, tha Zeqiri.

Ndryshe, sipas vlerësimeve të disa organizatave të biznesit, më shumë se 40 për qind e mallit që hyn nga Serbia në Kosovë, nuk i nënshtrohet procedurave të rregullta doganore.

Pjesa më e madhe e këtij malli ka hyrë në pikat doganore në veriun e Kosovës, ku buxheti i Kosovës thuhet se ka humbur deri në 200 mijë euro në vit.
XS
SM
MD
LG