Ndërlidhjet

Thaçi: Në Kosovë nuk do të ketë veri dhe jug


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar sot se Kosova do të jetë një territor i pandashëm dhe se kufijtë e saj në asnjë rast nuk do të cenohen. Ai, gjatë një vizite në disa fshatra të Mitrovicës, është shprehur i bindur se më nuk do të ketë veri dhe jug të Mitrovicës.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar sot se territori i Kosovës do të jetë i pandashëm. Ai ka thënë se Kosova nuk do të ketë veri dhe jug, sikurse nuk do të ketë këso ndarjesh as Mitrovica.

Thaçi i ka bërë këto komente gjatë një vizite në fshatrat e banuara me shqiptarë, në veri të Mitrovicës, përkatësisht në Vinarc dhe Gushavcë.

“Sot jam këtu që të përcjell mesazhin e qartë se për Kosovën nuk ka veri dhe jug, për Mitrovicën nuk ka veri dhe jug, ka Mitrovicë për të gjithë qytetarët e saj. Integriteti territorial i Kosovës si shtet është i paprekshëm, unik, i pacenueshëm, është i pandashëm, është i njohur ndërkombëtarisht si shtet. Prandaj, nuk dua të ketë as hapësirën më të vogël për panik ose shqetësim", tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës po ashtu ka thënë se kufijtë e Kosovës janë më të sigurtit në rajon, meqë janë të njohur dhe mbrojtur ndërkombëtarisht.

“Ju e dini dhe të jeni të sigurt në kuptimin se nuk duhet të ketë asnjë tentim prej askujt për ndryshimin e kufijve të pavarur dhe sovranë të Kosovës. Mund të ketë probleme brenda territorit të Kosovës, por çdo problem brenda territorit të Kosovës, të jeni të bindur se është i zgjidhshëm”, tha Thaçi.

Përderisa kryeministri ka siguruar shqiptarët se Kosova do të mbetet shtet i pandarë dhe kufijtë e saj do jenë të pacenueshëm, rreth 150 serbë në veri kanë vazhduar edhe sot me protestat e përditshme kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa, pjesëtarët serbë të SHPK-së kanë vazhduar edhe sot që të refuzojnë të marrin urdhra nga komanda kryesore e këtij shërbimi. Kështu, edhe pjesëtarët serbë të SHPK-së në rajonin e Prishtinës janë suspenduar me pagesë. Këta policë, që kryesisht shërbejnë në Graçanicë, sikurse edhe kolegët e tyre në Gjilan, kanë kërkuar që urdhrat mos t’i marrin nga SHPK-ja, por nga policia e UNMIK-ut.

Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se suspendimi i tyre me pagesë do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar.

“Ne jemi duke u munduar që të jemi fleksibilë, që do të thotë se ata mund të punojnë nga vendet prej nga edhe vijnë, mund të bëjnë ndonjë ndryshim, por jo në hierarkinë komanduese. Kjo nënkupton se ekziston një hierarki e qartë komanduese dhe nuk ka mundësi që kjo të kalojë përmes UNMIK-ut”, tha Elshani.

Në SHPK janë 710 pjesëtarë serbë dhe mbi 200 nga ta tashmë janë suspenduar.
XS
SM
MD
LG