Ndërlidhjet

Feith: “As kanton, as autonomi për veriun”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Pieter Feith, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe njëherësh përfaqësues civil ndërkombëtar, në një intervistë dhënë Kohës Ditore ka theksuar se nuk do të ketë autonomi apo kanton për serbët në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka dënuar kërcënimet në veri “që po ndikojnë në punën e serbëve të Kosovës në projektin evropian”. Sjelljet e serbëve ia kujtojnë vitet nëntëdhjetë dhe thotë se kishte kujtuar se ajo kohë kishte përfunduar në mentalitetin e atëhershëm. I porosit serbët e veriut që të distancohen nga dhuna dhe ta pranojnë realitetin. Mirëpo, shton se, megjithatë, armiku më i madh i Kosovës është krimi i organizuar dhe shton se mandati i tij do të vazhdojë “me ose pa Rusinë”...

INFOPRESS
Zyrtarë të NATO-s po japin sinjale të tjera se aleanca nuk do të lejojë një ndarje të Kosovës me gjithë përpjekjet e Beogradit për të shkëputur lidhjet mes pakicës serbe dhe qeverisë qendrore në Prishtinë. Komentet u bënë në Uashington nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. “Më shqetësojnë ato që thuhen për pjesën veriore të Kosovës. Nuk ka pjesë veriore. Sigurisht, në sensin gjeografik, ka një pjesë veriore, por Kosova është një. Dhe, absolutisht, nuk duhet ta pranojmë idenë se do të ketë dy Kosova. Nuk do të ketë dhe nuk mund të jenë dy Kosova”, ka thënë Scheffer...

BOTA SOT
Nëse merremi vetëm me zhurmën serbe, e harrojmë punën që duhet të bëjmë për Kosovën, i japim fuqi asaj zhurme. Këtë gjë duhet ta ketë parasysh politika jonë. Ndërsa sa i përket asaj se Kosova e ka vështirë të anëtarësohet në OKB, ky nuk është shqetësimi që të dalin zëra se “po qe se nuk do të bëhet kjo, duhet kërkuar unifikimin me Shqipërinë, që të shkojmë në OKB me një karrige”. Edhe këta zëra janë të gabueshëm tash menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duhet ta kuptojmë të gjithë se bashkësia ndërkombëtare nuk e pranon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë politikisht...

KOSOVA SOT
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh edhe kryetar i Komisionit Kushtetues, thotë se Kosova do ta ketë të miratuar Kushtetutën më së largu deri në fund të muajit mars. “Jemi në fazën e debatit publik lidhur me Kushtetutën. Mendojmë se pas mbarimit të fazës së dytë do ta kemi një kohë të domosdoshme, që komisioni t’i harmonizojë vërejtjet e sugjerimet, t’i shikojë me kujdes ato që kanë ardhur nga debatet me qytetarët në forma te ndryshme, por besoj se fundi i marsit, Kosovën do ta gjejë me Kushtetutë të re”, ka thënë Hajredin Kuçi...

EXPRESS
Rreth 2.000 hektarë tokë rrëzë kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë rrezikojnë t’i prishin marrëdhëniet mes dy vendeve, për të cilat ndërkombëtarët kanë investuar shumë që nga viti 2000. Në fund të kësaj jave, raportet mes Qeverisë së Prishtinës dhe asaj të Shkupit u acaruan dukshëm. Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, kushtëzon njohjen e pavarësisë së Kosovës me përcaktimin e vijës kufitare. Ai i ka dërguar një letër kryeministrit Hashim Thaçi për t’ia rikujtuar obligimet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit për çështjen e demarkacionit të kufirit. Qeveria e Kosovës këmbëngul që fillimisht duhet të vijë njohja, e më pas kontesti kufitar...

XS
SM
MD
LG