Ndërlidhjet

Pas njohjes, Kosova aplikon për mekanizmat financiarë ndërkombëtarë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Njohja kaq e shpejtë e Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga vendet më të fuqishme botërore, paraqet një rast të veçantë, thonë deputetët kosovarë. Sipas tyre, tani Kosovës i mbetet të konkurrojë për mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.


Njohja e Kosovës si shtet i pavarur e sovran ka kaluar me sukses fazën e parë kualitative, ku janë përfshirë vendet më të fuqishme botërore në njohjen e saj, duke përjashtuar Rusinë, thonë deputetët kosovarë.

Sipas tyre, kjo njohje kualitative tani pritet që të kalojë në një njohje më masive, ku mund të përfshihen edhe vendet e rajonit.

Deputeti i PDK-së dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se Kosova, procesin e shtet-bërjes e ka kaluar njësoj si edhe vendet tjera të rajonit, por me një vonesë të konsiderueshme.

Sidoqoftë, Hoxhaj e konsideron si momentin kryesor njohjen e Kosovës nga ana e vendeve më të fuqishme botërore.

“Vala e njohjes së shtetësisë së Kosovës dhe formulimet që vijnë se e njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe demokratik, janë formulime që neve na bëjnë me dije që Kosova në shtetësinë e saj në formë të njohjes, është shtet i plotë. Kuptohet që do të ketë dinamikë edhe javëve të ardhshme, por ne jemi shumë të kënaqur që faza e parë ka sjellë një njohje kualitative të shteteve që janë realisht politikë-bërës në botë”, thotë Hoxhaj.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Bajram Kosumi, thotë se përkundër një njohjeje mjaft të fuqishme të Kosovës, ka edhe disa vende evropiane që hezitojnë ta njohin Kosovën si shtet.

Sidomos, ai veçon këtu disa vende evropiane dhe ato të rajonit, me theks të veçantë në Maqedoninë, e cila e kushtëzon njohjen e Kosovës me përkufizimin paraprak të vijës kufitare.

“Është një prej rasteve të veçanta që një shtet krijohet dhe njihet shumë shpejt prej një numri kaq të madh të shteteve. Por, në anën tjetër, kihet parasysh se në krijimin e këtij shteti kanë marrë pjesë jo vetëm shqiptarë, por edhe shumë shtete tjera, disa prej të cilave tash po hezitojnë, pra disa shtete evropiane që kanë pasur rol të fuqishëm që tetë vjet këtu... Ndërsa, për vendet tjera, sidomos për Maqedoninë dhe Malin e Zi, mendoj se në radhë të parë diplomacia maqedonase është dashur të jetë shteti që në dhjetëshen e dytë e njeh Kosovën”, thotë Bajrami.

Njohja e Kosovës së pavarur edhe nga ana e vendeve ballkanike, sipas Enver Hoxhajt, do të shënonte dhe fundin e status-quo-s në Ballkan, pasi që çështja e Kosovës ishte çështja e fundit e pazgjidhur.

Ai nuk pret që këtë njohje Kosova ta ketë edhe nga Serbia, por nga vendet tjera nuk pret hezitime.

“Për të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, pavarësia e Kosovës është fakt ndërkombëtar dhe është fakt politik dhe jam shumë i sigurt se një gjë e tillë do të ndodhë në një të ardhme të afërt, e për mendimin tim do të jetë ndoshta çështje e javëve të ardhshme e jo edhe më shumë se disa muaj”, thekson Hoxhaj.

Pas njohjes, Kosovës i mbetet të vendosë edhe marrëdhënie diplomatike me vendet tjera. Ndërkaq, sfidë më vete mbetet edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Përderisa anëtarësimi në Kombet e Bashkuara apo në OSBE besohet se do të vonojë, për shkak të kundërshtimeve të Rusisë, Kosova, sipas Enver Hoxhajt, mund të anëtarësohet dhe të përfitojë nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

“Komplekse është çështja e organizatave, të cilat funksionojnë me një konsensus të brendshëm, por unë mendoj se është në dobi të imazhit të këtyre organizatave që t’ia mundësojnë Kosovës që të anëtarësohet në këto organizata”, thotë Hoxhaj.

Ndërkaq, deputeti Bajram Kosumi thotë se mekanizmat financiarë ndërkombëtarë dallojnë dhe disa mund t’ia kushtëzojnë Kosovës mbështetjen financiare me të qenit anëtare e OKB-së.

“Ato mekanizma që janë të lidhur me OKB-në, kushtëzohen prej të qenit anëtarë të OKB-së. Kosova, si duket, nuk mund të jetë edhe një kohë anëtare e OKB-së, për shkak të qëndrimit rus etj. Mirëpo, ka ekzistuar një diskonim pozitiv i Bankës Botërore, i FMN-së dhe i Bankës Evropiane për Zhvillim, që pavarësisht statusit të Kosovës në OKB, Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejta si shtet në këto mekanizma financiarë ndërkombëtarë”, pohon Kosumi.

Aplikacionet e para që Kosova pritet t’i bëjë për anëtarësim në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Ndërkaq, hapja e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike të para në botë, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, do të bëhet pas tranzicionit në Uashington, Nju Jork e Bruksel, për t’u pasuar më pas me rajonin dhe vendet më të fuqishme evropiane.
XS
SM
MD
LG