Ndërlidhjet

logo-print

QKUK vazhdon të ballafaqohet me mungesë të barnave


Qendra Klinike Universitare e Kosovës po ballafaqohet me mungesë të barnave të përgjithshme.

Shumë pacientë në këtë qendër detyrohen që barnat e nevojshme t’i sigurojnë me mjetet e tyre financiare, thotë zëdhënësi i kësaj qendre, Shpend Fazliu.

Ai ndërkaq thotë se mungesa e barnave është trashëguar me vite të tëra, por edhe përkundër këtij problemi, Qendra Klinike Universitare ka arritur që t’i mbajë shërbimet emergjente, sallat e operimit dhe mjekimin intensiv.

“Po, është e vërtetë dhe na vjen keq që pacientët në disa raste janë detyruar t’i blejnë barnat edhe për shërbimet emergjente. Ka mungesa të përgjithshme. Këto mungesa janë trashëguar me vite, nuk është problem i sotëm, as i djeshëm, por është problem që është trashëguar me vite në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thotë Fazliu.

Edhe drejtori i Qendrës së Emergjencës, Basri Lenjani, pohon se kjo qendër është duke u ballafaquar me mungesë të madhe të barnave.

Ai pohon se qendra i posedon vetëm barnat bazike që bëjnë shpëtimin e jetës së të rrezikuarve, mirëpo pengesë më të madhe në këtë qendër paraqet mungesa e materialit shpenzues.

“Strategjia e Qendrës Emergjente është që ta shpenzojë materialin vetëm për ato raste që duhet t’u ofrohet ndihma emergjente mjekësore. Kur e dimë se numri i aksidenteve brenda 24 orëve është 24-30 aksidente dhe numri i tyre fatal mund të jetë dy-tre, prioritet duhet t’u japim vetëm rasteve që janë me karakter emergjent. Prandaj, rastet e ftohta mund të presin”, pohon Lenjani.

Ndryshe, Shpend Fazliu pohon se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, që urgjentisht të sigurohen medikamentet për shërbimet emergjente.

“Po mundohemi që së paku shërbimet emergjente, ato që janë të domosdoshme për shërbimet emergjente të sigurohen, në mënyrë që trajtimi i pacienteve të jetë më i mirë dhe të mos ketë probleme në këtë drejtim. Këtu hyjnë infuzioni dhe të gjitha të tjerat që janë të domosdoshme për shërbimet emergjente”, pohon Fazliu.

Megjithatë, drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, thotë se me gjithë premtimet e Ministrisë së Shëndetësisë se gjendja me barna do të përmirësohet në qendrën që ai menaxhon, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Në shkresën e tyre zyrtare na dëftojnë se qendra emergjente, kujdesi intensiv, apo shërbimet emergjente do të furnizohen me barna dhe me material periferik. Kjo gjë ende nuk ka ndodhur; eksiton supozimi në letër se do të ndihmohet”, thotë Lenjani.

Skënder Berisha, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkaq pohon se javën e ardhshme pritet që Qendra Klinike Universitare e Kosovës të furnizohet me barnat esenciale.

“Nga depoja qendrore e Ministrisë së Shëndetësisë, çka posedon dhe çka ka nevojë QKUK-ja, dërgohet menjëherë. Ato që mungojnë janë pjesë e vonesave që kanë ndodhur, për shkak të procedurave obligativo-ligjore për tenderin që ishte kohë më parë. Java e ardhshme do të jetë javë e furnizimit me barna për sektorët e caktuar, siç është emergjenca, njësia intensive, salla e operacionit”, thotë Berisha.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG