Ndërlidhjet

Ambasadori Munter akuzoi qeverinë e Serbisë


Ambasadori amerikan në Serbi, Cameron Munter sot ka akuzuar qeverinë e Serbisë se nuk ka urdhëruar policinë që ta ruajë ndërtesën e Ambasadës amerikane në Beograd, gjatë trazirave pas tubimit të protestës kundër pavarësisë së Kosovës, që është mbajtur më 21 shkurt.

"Jemi të inkurajuar me premtimet e qeverisë se kjo nuk do të përsëritet, por edhe për shkak të herës së kaluar dhe qëndrimit të qeverisë, është e kuptueshme se për çfarë arsye jam ngapak skeptik", i tha amabasadori Munter një televizioni lokal në Zrenjanin.

Ai mëtutje ka theksuar se prej se Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk i është lejuar kontakti me ministrat dhe sekretarët shtetëror në qeverinë e Serbisë.

Ambasadori Munter ka ftuar qeverinë e Serbisë që të distancohet nga deklaratat e ministrave Velimir Iliq dhe Sllobodan Samarxhiq, duke vlerësuar se në Serbi ekziston atmosfera që e krijojnë politikanët e papërgjegjshëm, në të cilën, disa ministra thonë gjëra që inkurajojnë dhunën.
XS
SM
MD
LG