Ndërlidhjet

Vazhdon suspendimi i policëve serbë


Pjesëtarët serbë të SHPK-së
Pjesëtarët serbë të SHPK-së

Statusi i mbi 200 pjesëtarëve serbë të SHPK-së mbetet suspendim me pagesë, për shkak të mosbindjes ndaj komandës kryesore të SHPK-së. Më pas, rezultatet e hetimeve nga Inspektorati i Policisë do të pasojnë edhe vendimin përfundimtar për fatin e këtyre policëve të suspenduar.


Rreth 260 pjesëtarë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës vazhdojnë të jenë të suspenduar, meqë javën e kaluar refuzuan që të marrin urdhra nga Shërbimi Policor i Kosovës.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se periudha fillestare prej 48 orësh e pezullimit, tashmë ka kaluar dhe lëndët i janë dërguar Inspektoratit të Policisë.

Kthimi ose jo në punë i këtyre pjesëtarëve të SHPK-së do të varet nga hetimet e Inspektoratit të policisë dhe më pas vendimit që mund të merret brenda 2 muajve.

“Kjo është çështje e Inspektoratit policor, nuk është e jona. Sa kam unë njohuri, ata i kanë afat dy muaj që të zhvillojnë hetimet. Ndërsa në ndërkohë, ne vazhdimisht do të bisedonim me kolegët tonë, për të kërkuar nga ana e tyre që ata të kthehen, sepse SHPK-ja ka nevojë për ta. I lusim ata që të kthehen te komuniteti i tyre, sepse komuniteti i tyre ka nevojë për ta”, tha Elshani.

Këta pjesëtarë janë nga rajoni i Gjilanit dhe i Prishtinës, por ka edhe policë kufitarë, por edhe staf civil, të cilët janë të pezulluar me pagesë, që nënkupton se armët u janë marrë, por ata vazhdojnë të paguhen.

“Vendimi mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar, përderisa të zhvillohen hetimet nga ana e Inspektoratit policor dhe këtë vendim e merr komanda kryesore e policisë në Prishtinë”, tha Elshani.

Ndryshe, mbi 400 pjesëtarët tjerë serbë të SHPK-së vazhdojnë t’i mbajnë uniformat e SHPK-së.

Pjesëtarët serbë të SHPK-së në rajonin e Ferizajt, përkatësisht të Komunës së Shtërpcës, po ashtu kanë kërkuar që urdhrat t’i marrin nga policia e UNMIK-ut e jo nga SHPK-ja.

Elshani thotë se pas bisedimeve me këta pjesëtarë, gjendja është kthyer normalitetit dhe pjesëtarët serbë janë duke punuar normalisht.
XS
SM
MD
LG