Ndërlidhjet

Sahatçia: Puna e parë - rikthimi i ORA-s në skenën politike


Teuta Sahatçia

Teuta Sahatçia

"Partia Reformiste ORA do të jetë shumë aktive dhe do të ketë një bazë shumë të fuqishme. Puna e parë që duhet të bëhet është që të rikthehet ORA në skenën politike", thotë kryetarja e sapozgjedhur e ORA-s, Teuta Sahatçia.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Sahatçia, cilat do të jenë hapat tuaj të parë si kryetare e Partisë Reformiste ORA? Çka do të jetë më ndryshe nga ORA e mëparshme?

TEUTA SAHATÇIA
ORA në këtë kohë, prej Kongresit deri tash, ka pasur një abstenim prej paraqitjeve publike dhe prej aktivitetit.

Puna e parë që duhet të bëhet është që të rikthehet ORA në skenë politike, të rikthehet fuqia e ORA-s në degë, të punohet me degë për konsolidimin, për funksionalizimin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të bëhet kjo?

TEUTA SAHATÇIA
Kjo do të bëhet me mbledhjen shumë të shpejtë të Këshillit të Përgjithshëm, të themelimit të një kryesie, të themelimit të organeve të partisë, që do të merren me këto punë jo të lehta që na presin.

ORA do të jetë më aktive, ORA do të jetë prezente dhe do të jetë e fuqishme në bazë. Është pikërisht ajo që na ka munguar, sepse në këtë pjesën tjetër të paraqitjeve të punës sonë në Parlament, në Grupin Negociator, ORA ka qenë mjaft e fuqishme dhe është ndjerë mjaft.

Por, ajo që ka munguar në partinë tonë, ka qenë puna me degë dhe pikërisht kjo do të jetë prioritet shumë i rëndësishëm dhe punë mjaft e madhe që na pret.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se do të jenë vështirësitë më të mëdha përballë jush?

TEUTA SAHATÇIA
Do të jenë së pari vështirësitë financiare, sepse ne, duke mos qenë pjesë e Parlamentit, do të kemi mungesën e mjeteve që ndahen prej buxhetit të Kosovës.

Vështirësi tjetër që na pret është t’i rikonsolidojmë degët. Kemi pasur dëme gjatë kësaj kohe të abstinencës sonë, gjatë kësaj kohe kur ishim duke kërkuar një rrugë për të ecur dhe kjo kohë ndikoi negativisht në degë dhe një pjesë e tyre nuk e ndjenë se kanë mjaft energji për të vazhduar, energji politike.

Prandaj, mendoj se nën një është konsolidimi i atyre degëve, ku energjia është në minimum, apo rivendosja e degëve aty ku nuk janë dhe fuqizimi i atyre degëve që e shohin veten që mund të vazhdojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si keni menduar t’i tejkaloni këto vështirësi që përmendet?

TEUTA SAHATÇIA
Ne kemi një plan, por atë plan do ta detajizojmë më tepër me konsolidimin e kryesisë.

Do të angazhohemi së pari në këto burimet tona të brendshme, përmes anëtarësisë, do të bëjmë kërkesën e donacioneve të vogla, ashtu siç e kemi bërë edhe gjatë kohës tjetër dhe do të mundohemi që ta mbajmë funksionale partinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tashmë ka shpallur pavarësinë e saj, të cilën e kanë njohur fuqitë më të mëdha perëndimore. Cilat mendoni se do të jenë sfidat e reja përballë shtetit të ri?

TEUTA SAHATÇIA
Kosova për një kohë shumë të gjatë ishe në një gjendje jo të definuar dhe pikërisht ajo gjendje e statusit të padefinuar i linte në hije apo i eklipsonte të gjitha problemet tjera reale, problemet e përditshme, me të cilat ballafaqoheshin qytetarët e Kosovës.

Tash, menjëherë pas pavarësimit të Kosovës, pas formimit të shtetit më të ri në botë, shtetit të Kosovës, kjo çështje më nuk do të jetë në rendin e ditës.

Edhe pse edhe si shtet i ri do të përballet me probleme, me sfida jashtëzakonisht të mëdha, mendoj se tash do të dalin në pah probleme tjera, problemet ekonomike, probleme të ndryshme që e rëndojnë jetën e përditshme të qytetarit.

Mendoj se pikërisht këto sfida do të na mundësojnë që të shndërrohemi në një shtet të vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si e shihni rolin e partisë suaj në këtë drejtim?

TEUTA SAHATÇIA
Roli i partisë sonë është që në këtë moment të jemi një opozitë, një opozitë jashtë Parlamentit, një opozitë konstruktive, të jemi aktivë ashtu siç është mësuar votuesi ynë dhe qytetari i Kosovës ta shohë Partinë Reformiste ORA.

Mendojmë se kualiteti i ndërtimit të shtetësisë, i këtij transformimi shoqëror, pikërisht varet nga kualiteti i punës së partive politike, sepse, në fund të fundit, edhe Parlamenti, edhe Qeveria, të gjitha janë produkte të partive politike.

Në këtë aspekt, ne e shohim rolin tonë pikërisht si një katalizator të ndryshimeve, si një rol aktiv në dhënien e ideve të reja, në influencën e mendimeve të ndryshme prej asaj çka është në rrjedha qeveritare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG