Ndërlidhjet

Liderë botërorë i urojnë fitoren Medvedevit


Vendet perëndimore dhe të Bashkimit Evropian i kanë uruar fitoren Dmitry Medvedevit në zgjedhjet presidenciale në Rusi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush tha se ai "mezi po pret" që të punojë me Medvedevin.

Kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso tha se është i bindur se Brukseli dhe Moska mund të zhvillojnë partneritetin e tyre strategjik.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Christiane Hohmann tha se komisioni dëshiron ta përmirësojë dialogun me Rusinë.

"Nga pikëpamja jonë, dialogu është gjithmonë më i mirë se mbyllja e derës. Prandaj ne duam që më intenzivisht të angazhohemi me Rusinë në një sërë fushash që i mbulojnë marrëdhëniet tona, përfshirë lirinë e mediave, zhvillimet e demokracisë, lirinë e tubimit, të drejtat e njeriut e të tjera", tha Hohmann.

Kryeministri britanik Gordon Brown tha se ai da ta gjykojë administratën e re në bazë të veprimeve të saj.

Zyra e kancelares gjermane Angela Merkel tha se ajo ka shprehur keqardhje për parregullsitë që janë paraqitur gjatë votimit.

Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner i tha radios franceze se "zgjedhja është kryer në stilin rus, me fitore që dihej qysh më parë".

Medvedev fitoi 70 % të votave. Pas tij u radhit komunisti Gennady Zyuganov me rreth 18 %, ndërsa i treti ultranacionalisti Vladimir Zhirinovski me rreth 10 %.

Vëzhguesit perëndimorë thanë se zgjedhjet kanë ngritur mjaft pikëpyetje rreth demokracisë në Rusi.

Kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Andreas Gross tha se zgjedhjet janë pasqyrë e vullnetit të elektoratit, potenciali demokratik i të cilit për fat të keq nuk mundi të realizohet".

Gross tha se zgjedhjet ishin "plebishit" apo "votëbesim për presidentin aktual Vladimir Putin".

OSBE-ja i ka bojkotuar zgjedhjet për shkak të kufizimeve parazgjedhore që autoritetet u vunë vëzhguesve ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG