Ndërlidhjet

Qeveria synon integrimin e Mitrovicës me investime


Mitrovicë
Mitrovicë

Zyrtarët nga Qeveria e Kosovës si dhe ata nga opozita nuk presin që Mitrovica dhe veriu të kenë ndonjë status të veçantë. Sipas tyre, në këtë pjesë të Kosovës vazhdojnë frustrimet e serbëve, por me kohë, besohet se ajo do të integrohet.


Mitrovica nuk do të mbetet konflikt i ngrirë e as nuk do të përkufizohet me ndonjë status të veçantë autonom, thonë zyrtarët në Prishtinë. Sipas tyre, Mitrovica ka hyrë tashmë në procesin e zgjidhjes dhe gradualisht atje do të shtrihet pushteti legal.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se prania e NATO-s në Kosovë është garanci se kufijtë e saj janë më të mbrojturit në tërë rajonin.

Kuçi thotë po ashtu se integrimi i Mitrovicës dhe pjesës veriore të Kosovës nuk do të bëhet me dhunë, por me politika atraktive dhe me investime.

“E kemi dëgjuar edhe premtimin e kryeministrit për investime në atë pjesë dhe po them se Kosova e ka ruajtur tërësinë e vet territoriale, e ka garantuar pavarësinë e plotë të saj dhe ka institucionet e veta funksionale. Atje funksionon KFOR-i, SHPK-ja, Policia e UNMIK-ut dhe besoj se ajo pjesë do të jetë si çdo pjesë tjetër e Kosovës”, thotë Kuçi.

Integrimi i pjesës veriore të Mitrovicës në sistemin legal konsiderohet si një proces i mundshëm edhe nga opozita.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se do të ketë zhvillime si nga qeveria ashtu edhe nga EULEX-i, që kjo pjesë të integrohet dhe të qeveriset jo nga strukturat paralele, por ato legale.

“Do të merren më me përgjegjësi, qoftë nga qeveria, qoftë nga EULEX-i, qoftë nga të gjithë mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që edhe atje institucionet të fillojnë të funksionojnë. Është një gjendje tani e frustrimit të serbëve, por me kohën, konsiderojmë se do të ketë zbutje të tensioneve atje dhe Kosova do të qeveriset në gjithë territorin ashtu si duhet”, thekson Isufi.

Gjatë fundjavës së kaluar, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Faith, tha se qëndrimi i përbashkët i 15 vendeve mbikëqyrëse të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 12 vende të BE-së si dhe Turqia e Zvicra, është se nuk ka dhe nuk do të pranohet ndarja e Kosovës.

Ai tha se Serbia po përpiqet të vë vija ndarëse në mes popullatës serbe dhe qeverisë qendrore, por kjo, sipas tij, nuk do të lejohet.

Faith, këto ditë, ka thënë po ashtu se për Mitrovicën nuk do të ketë as kantonizim dhe as autonomi.

Sidoqoftë, gjatë fazës negociatore për statusin, edhe pala kosovare pati prezantuar një plan për Mitrovicën, i cili parashihte krijimin e dy komunave në veri e jug, por me një qytet të bashkuar e të administruar për një fazë 3 vjeçare nga ndërkombëtarët. Pas kësaj faze, plani parashihte integrimin e Mitrovicës.

Tani mbetet të shihet nëse prania ndërkombëtare do ta përqafojë këtë plan, edhe pse serbët kanë një propozim tjetër, sipas të cilit, pjesa veriore e Mitrovicës do t’i bashkohej Komunës së Zveçanit, ide kjo që ishte kundërshtuar nga institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG