Ndërlidhjet

Kthimi i fondit pensional nga Serbia


Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga vendet më të fuqishme botërore, gjasat janë më të mëdha për kthimin e fondit pensional, i cili që nga viti 1998 gjendet në Serbi, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Sindikatës së Pensionistëve.

Sipas tyre, mënyra për kthimin e fondit është që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të fillojnë negociatat për këtë çështje; në të kundërtën, ata thonë se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ngrenë padi ndërkombëtare kundër Beogradit zyrtar.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, megjithatë është optimist se Serbia shpejt do ta pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe do të vendosë për një bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës.

“Do të ishte mirë për të dy vendet, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Atëherë do të fillonte edhe bashkëpunimi, jo vetëm në sferën e çështjeve sociale, por edhe bashkëpunime të tjera. Ndryshe, kjo është një ndër çështjet parësore për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thotë Dedaj.

Në anën tjetër, Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, pohon se kjo çështje është e drejtë ligjore e pensionistëve kosovarë, e që është e garantuar edhe me konventën ndërkombëtare, kështu që kjo e drejtë, thotë ai, nuk mund të shkelet nga askush.

Ai thotë se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova i ka duart e lira që të bëjë presion politik ndaj Beogradit zyrtar.

Fehmiu thotë se për këtë çështje, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë ashtu siç kanë vepruar vendet tjera të ish-Jugosllavisë, e që tashmë janë shtete të pavarura.

Ai sqaron më tepër se si e kanë zgjidhur këtë problem vendet tjera të rajonit:

“Në qoftë se ka pasur qytetarë, p.sh. të Sllovenisë dhe Kroacisë në territorin e Serbisë, kanë punuar dhe kanë fituar të drejtën në bazë të punës së tejshkuar; ashtu edhe qytetarët e Serbisë në Kroaci dhe Slloveni. Mirëpo, me ligjet e asaj kohe ishte që aty ku është pensionuar herën e fundit, duhet ta gëzojë pensionin. Kjo është një e drejtë që nuk është e kufizuar vetëm në territorin e ish-RSFJ-së, por edhe në Evropë, e që quhet totalizim i pensioneve”, thotë Fehmiu.

Megjithatë, Fehmiu pohon se të gjitha vendet e rajonit e kanë zgjidhur këtë problem, kështu që, sipas tij, nëse ekziston vullneti politik, edhe Kosova do ta zgjidhë këtë çështje.

“Të gjitha e kanë zgjidhur problemin, vetëm Kosova ka mbetur si pikë e zezë në rajon, por edhe në Evropë dhe botë, sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë prej historisë të së drejtës së pensionit, që ka filluar që nga shekulli XIX“, shprehet Fehmiu.

Por, Gjergj Dedaj thotë se edhe Kosova shpejt do ta zgjidhë këtë problem.
Ai thotë se nëse Serbia nuk pranon që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për kthimin e këtij Fondi, atëherë institucionet e Kosovës do të ngrenë padi ndërkombëtare.

“Nëse vazhdojnë me politikën përjashtuese, posaçërisht ndaj kësaj kategorie për të cilën po bëjmë fjalë, atëherë normalisht se gjejmë mënyra edhe për padi ndërkombëtare, qoftë në Strasburg dhe institucionet tjera ndërkombëtare, në mënyrë që kësaj kategorie të pensionistëve t’i dilet në ndihmë dhe t’ua kthejmë djersën e tyre”, thotë Dedaj.

Ndryshe, me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia, në mënyrë anti-ligjore kontributet e pensionistëve shqiptarë janë bartur në Serbi, shuma e të cilave vlerësohet të jetë mbi 2 miliardë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG