Ndërlidhjet

Jessen Petersen: Është një situatë kaotike, e cila duhet menaxhuar


Soren Jessen Petersen
Soren Jessen Petersen

"Ajo, ku gjendemi aktualisht, është një situatë kaotike, e cila duhet menaxhuar. Besoj se do të menaxhohet, për më tepër që misioni i Bashkimit Evropian është në Kosovë", ka thënë ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen.


RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovën e pavarur, Bashkimi Evropian ka dërguar misionin e vet dhe sipas planit Ahtisaari, UNMIK-u duhet të kishte filluar periudhën e tranzicionit. Kjo nuk ka ndodhur dhe pozicioni i UNMIK-ut është i njëjtë. Si e shihni këtë situatë nga pikëpamja ligjore?

SOREN JESSEN PETERSEN
Do të kishte qenë shumë më e preferueshme, nëse do kishim një situatë më të qartë, që do të thotë të kishim një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Tashmë dihet se ky skenar nuk funksionoi, për shkak të kundërshtimit rus dhe kërcënimit me veto.

Ajo ku gjendemi aktualisht, është një situatë kaotike, e cila duhet menaxhuar. Besoj se do të menaxhohet, për më tepër që misioni i Bashkimit Evropian është në Kosovë.

Këtu dua të kujtoj faktin se Bashkimi Evropian ishte në Kosovë edhe më parë si përgjegjës për shtyllën ekonomike të UNMIK-ut.

Tani BE-ja ka marrë më shumë përgjegjësi në fushën e rendit dhe ligjit dhe ka një përfaqësues në terren.

Aktualisht, po shohim ndryshimin e gjendjes dhe rrethanave. Me kohën, kjo do bëhet edhe më e qartë dhe eventualisht do shohim largimin e UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, sipas jush, çfarë po e pengon kreun e Kombeve të Bashkuara ta marrë vendimin rreth UNMIK-ut, kur situata në terren ka ndryshuar. Sa kohë do t'i duhet Ban Ki Moon-it ta marrë një vendim të tillë?

SOREN JESSEN PETERSEN
Kjo është një situatë në zhvillim e sipër. Ndryshimi i rrethanave u bë i qartë me shpalljen e pavarësisë nga Kosova, por njëherësh ne veprojmë bazuar në Rezolutën ekzistuese 1244, që u miratua pas luftës.

Sipas kësaj rezolute, pushteti i kishte kaluar në baza të përkohshme Kombeve të Bashkuara, duke ia pezulluar Serbisë autoritetin mbi Kosovën.

Në dritën e ndryshimit të rrethanave po bëhet gjithnjë e më e qartë se Kombet e Bashkuara do zvogëlohen ndjeshëm. Ato mund ta ruajnë një prani në Kosovë, duke pasur dhe dikë përgjegjës për Kosovën, i cili mund të jetë në Prishtinë, apo edhe në Nju Jork.

Me pak fjalë situata që po ndryshon në terren, do të krijojë edhe bazën për tërheqjen e Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga pikëpamja ligjore, si mund të largohet UNMIK-u nga Kosova?

SOREN JESSEN PETERSEN
UNMIK-u ndoshta nuk do të largohet nga Kosova, por do të kemi një UNMIK shumë, shumë të vogël në numër.

Me ndryshimin e rrethanave do shohim gjithnjë e më shumë marrjen e përgjegjësive nga Bashkimi Evropian. Në fund të fundit, edhe është një përgjegjësi evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të themi se për shkak të mungesës së rezolutës nga Këshilli i Sigurimit pas 6 apo 10 muajsh do kemi BE-në, por dhe UNMIK-un në Kosovë, ndonëse të reduktuar?

SOREN JESSEN PETERSEN
Mendoj se është i saktë ky formulim. Megjithatë, besoj se zvogëlimi i UNMIK-ut mund të jetë edhe më i shpejtë se 10 muaj. Kjo mund të ndodhë në një periudhë 4 deri në 6 muaj.

Ne do shohim zvogëlim të ndjeshëm të pranisë së Kombeve të Bashkuara dhe rritje të shpejtë të pranisë evropiane. Do të jetë kjo e fundit që do marrë drejtimin në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka Ban Ki Moon një pozitë të fuqishme brenda organizatës që drejton, që të marrë një vendim për UNMIK-un?

SOREN JESSEN PETERSEN
Është e qartë që pozita e Sekretarit të Përgjithshëm nuk është e lehtë, kur dihet ndarja që ekziston në mesin e pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Nga ana tjetër, siç e thashë dhe më sipër, prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për gati 10 vjet përfshinte në vetvete një prani të konsiderueshme të Bashkimit Evropian.

Fakti që BE-ja po merr përgjegjësi më të mëdha në Kosovë është në realitet vazhdim i asaj që ata kanë bërë deri tani.

Ajo çfarë është e re, është ndryshimi i rrethanave. Kosova është e pavarur dhe njihet çdo ditë që kalon nga më shumë shtete. Ne tani kemi punë me institucione vendore përgjegjëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia gjatë marsit ka kryesinë e radhës së Këshillit të Sigurimit. A mund të marrë Rusia ndonjë hap shtesë lidhur me Kosovën në këtë pozitë dhe sa ndikon presidenca ruse në vendimin për largimin e UNMIK-ut?

SOREN JESSEN PETERSEN
Nuk pres që Rusia të jetë në gjendje të marrë ndonjë hap të rëndësishëm, pasi çështja tashmë ka dalë jashtë Këshillit të Sigurimit.

Në momentin kur Treshja ndërmjetësuese tha vjet se nuk mund të arrihej një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, atëherë çështja doli jashtë Këshillit të Sigurimit.

Ky i fundit nuk ishte në gjendje të gjente një gjuhë të përbashkët për Kosovën.

Fatkeqësisht, situata është e njëjtë edhe sot, kështu që Rusia nuk mund të bëjë asgjë edhe si kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësia e Kosovës tashmë është njohur nga fuqitë perëndimore, por jo vetëm. Nga pikëpamja ligjore, sa e vështirëson pozitën e Kosovës si shtet i ri në planin ndërkombëtar fakti që Rezoluta 1244 nuk është shfuqizuar?

SOREN JESSEN PETERSEN
Siç e thashë, nuk jemi në situatën më të pëlqyeshme. Skenari më i mirë do kishte qenë një rezolutë e Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë Rezoluta 1244 nuk ka folur për statusin, por vetëm për lehtësimin e procesit që do çonte në përcaktimin e statusit të Kosovës.

Rezoluta 1244 nuk përcakton as llojin e procesit që duhet ndjekur, as përfundimin e tij. Në këtë mënyrë, vendimi i Kosovës për pavarësi dhe njohja që e pasoi është bazuar në Rezolutën 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova nuk mund të bëhet për momentin anëtare e Kombeve të Bashkuara. A ka ndonjë mënyrë për ta tejkaluar veton ruse dhe të mundësohet anëtarësimi?

SOREN JESSEN PETERSEN
Është për të ardhur keq që Kosova, vendi i cili ka qenë për kaq vite nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, të mos mund të anëtarësohet në organizatën botërore.

Kjo është kundërthënëse dhe për keqardhje. Rusia vazhdon ta bllokojë një gjë të tillë.

Në të njëjtën kohë, ajo çfarë është e rëndësishme për Kosovën, është anëtarësimi në institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore.

Sapo të kemi një masë të konsiderueshme shtetesh që e kanë njohur Kosovën, Banka Botërore do të jetë në gjendje të veprojë lidhur me anëtarësimin e Prishtinës. Kjo do ta ndihmonte Kosovën në kohën e vështirësive shumë të mëdha ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është numri që keni në mend kur thoni të njihet nga një numër i konsiderueshëm shtetesh?

SOREN JESSEN PETERSEN
Nuk e di, pasi kjo duhet të vendoset nga Banka Botërore. Mendoj se jemi shumë pranë arritjes së pikës, kur Kosova është njohur nga një numër i konsiderueshëm shtetesh.

Pas kësaj, Banka Botërore do jetë në gjendje të ndërmarrë veprime konkrete për të ecur përpara.

Sa më shpejt të arrihet kjo, aq më mirë është për të ardhmen ekonomike.

Është për të ardhur keq që Rusia do bllokojë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, por besoj se me kohën dhe kjo do të zgjidhet.
XS
SM
MD
LG