Ndërlidhjet

Obama dhe Clinton përplasen për politikën e jashtme


Hillary Clinton dhe Barack Obama
Hillary Clinton dhe Barack Obama

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në qendër të interesit ndërkombëtar; veçanërisht, në kampin demokrat, beteja mes senatorëve Clinton dhe Obama për të fituar kandidimin, ka hyrë në një fazë kyçe.


Fushata zgjedhore presidenciale në SHBA edhe kësaj radhe ka qenë e fokusuar kryesisht në ekonominë. Mirëpo, nuk kanë mbetur anash as debatet për politikën e jashtme, ku të dy kandidatët demokratë kanë pasur qëndrime përafërsisht të njëjta.

Ja se si e formulojnë qëndrimin e tyre për politikën karshi Rusisë, kandidatët brenda partisë demokratike:

"Me rikthimin e rolit të Rusisë në Evropë, me disa ligësi që po bëjnë duke ndihmuar ambiciet iraniane për programin bërthamor, është e nevojshme që ne të fillojmë të kemi një strategji më realiste dhe efektive karshi Rusisë", ka thënë senatorja Hillary Clinton.

Ndërkaq, Barack Obama, i cili gjithashtu lufton për të marrë votën e demokratëve si kandidat në zgjedhjet e nëntorit, thotë:

“Presidenti Bush është takuar me Putinin, ka shikuar në sytë e tij, ka parë shpirtin e tij dhe ka kuptuar se mund të bëjë biznes me të. Ai, pastaj, filloi të ketë moskujdes në marrëdhëniet tona me Rusinë, në kohën kur Vladimir Putin kishte shtypur çdo opozitë në vend dhe kishte konsoliduar forcat e tij", ka thënë Obama, i cili si temë qendrore kishte kritikat ndaj administratës së presidentit Bush për mbështetjen që ka pasur më shumë në fuqinë ushtarake, sesa diplomatike në politikën e jashtme.

Obama theksoi po ashtu se ka kundërshtuar që nga fillimi luftën e udhëhequr nga SHBA-të në Irak. Ai mbështeti bisedimet e drejtpërdrejta me liderët e Kubës dhe Iranit.

"Vlerësimet në raportin e fundit të Shërbimit të Inteligjencies sugjerojnë, se nëse i takojmë me ata, bisedojmë dhe iu ofrojmë politikën e shkopit dhe karotës, ata do të jenë më të gatshëm të ndryshojnë sjelljet e tyre. Këtë mund ta bëjmë në atë mënyrë që mos të kushtojë miliarda dollarë, mijëra jetë dhe të dëmtojë reputacionin tonë në botë", ka thënë Barack Obama.

Ndërkaq, Hillary Klinton ka deklaruar se nuk është gjë e mençur të mendohet se të takosh liderët armiqësorë, do të ndryshojë shumëçka.

"Nëse mua më besohet presidenca, Amerika do të ketë kurajën të takohet me kundërshtarët tanë. Por, nuk do të shënojë në kalendarin presidencial takimet me liderët e Kubës, Venezuelës, Iranit apo Koresë Veriore, pa pasur vlerësimet e qëllimeve të tyre", ka thënë Klinton.

Nga ana tjetër, kandidati republikan, John McCain, e ka vlerësuar idenë e Barack Obamas si “naive”.

Por, debati i vërtetë për politikën e jashtme amerikane do të nisë kur partitë zyrtarisht do të kenë nominimet për president të vendit.

"Nëse demokratët do të zgjedhin Obaman ose Klintonin, qëndrimet e tyre do të jenë më të ndryshme sesa të republikanit, John McCain. Për shembull, McCain dëshiron mbajtjen e trupave amerikane në Irak për aq gjatë sa komandantët ushtarakë rekomandojnë. Ndërkaq, të dy kandidatët demokratë duan të kenë një orar të tërheqjes së tyre. Këto ditë u zbuluan disa detaje, mirëpo bota duhet të presë ende për të kuptuar më shumë për planet e politikës së jashtme të kandidatëve për president të SHBA-ve".
XS
SM
MD
LG