Ndërlidhjet

logo-print

Serbia do që ta paraqesë Kosovën si shtet jofunksional


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Analistët politikë kosovarë konsiderojnë se ndërhyrjet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës kanë për qëllim që ta paraqesin Kosovën si një shtet jofunksional.


Ndërhyrjet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë në Kosovë, kryesisht në pjesën veriore, sipas analistëve kosovarë, janë përpjekje që të tregohet se Kosova nuk mund të jetë shtet funksional si dhe tendenca që pjesa veriore e Kosovës të shndërrohet në një konflikt të ngrirë.

Analisti Ilir Dugolli thotë se me këto përpjekje nuk mund të cenohet imazhi i Kosovës si shtet funksional e as të humbet legjitimiteti i shtetit. Por, sipas tij, do të shkaktohen telashe brenda Kosovës.

“Problemet, të cilat serbët po përpiqen t’i bëjnë, janë probleme jo aq të kontestimit të shtetit si të tillë, por janë më shumë probleme të përpjekjes për ta vënë shumicën shqiptare para një akti të kryer të ndarjes. Pra, janë thjesht tendenca për ta shkëputur një pjesë të territorit të Kosovës, për ta çimentuar një gjendje faktike, me shpresë se ajo gjendje do të jetë vështirë për t’u zhbërë në të ardhmen”, tha Dugolli.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë hapa në forcimin e strukturave paralele në veri, si dhe ka bërë përpjekje që të shtrijë kontrollin edhe në ato fusha, që deri tani nuk i ka kontrolluar.

Analisti tjetër politik, Driton Lajçi, thotë se me këto veprime, është duke u cenuar integriteti i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ai për këtë fajëson procesin e ngadaltë të shuarjes së UNMIK-ut.

“Qeveria serbe është duke e shfrytëzuar në njëfarë mënyre neglizhencën e transferimit të kompetencave nga UNMIK-u te misioni i EULEX-it dhe Qeveria e Kosovës. Prandaj, institucionet ndërkombëtare duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur, ta bëjnë përgjegjëse Qeverinë dhe shtetin e Kosovës për të shtrirë integritetin, autoritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin e Kosovës”, tha Lajçi.

Lajçi thotë se Qeveria Koshtunica ka synim që me veprimet e tilla, të tregojë se Kosova nuk mund të funksionojë si shtet dhe të ndikojë negativisht në njohjen e mëtejme të shtetit të Kosovës.

“Ky është qëllimi i Qeverisë Kushtunica, të krijojë përshtypjen se shteti i ri i Kosovës nuk do të jetë funksional, stabil e i prosperimit, por do ta destabilizojë vetë Kosovën dhe rajonin. Prandaj, kjo është tendencë e Serbisë, që të krijojë një imazh në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, të atyre shteteve që e kanë njohur dhe në njëfarë mënyrë të pengojë njohjen e shteteve që tashmë kanë planifikuar për njohjen e shtetit të ri të Kosovës”, tha Driton Lajçi.

Ndërkaq, Ilir Dugolli tërheq vërejtjen se nëse vazhdohet me akte të tilla, veriu i Kosovës edhe mund të shndërrohet në konflikt të ngrirë.

“Rreziku ekziston dhe nuk mendoj se duhet nënvlerësuar, por duhet trajtuar me seriozitet maksimal, në mënyrë që edhe ky kapitull të mbyllet, ose së paku të vihet në binarë të një mundësie normalizimi”, u shpreh Dugolli.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pothuajse çdo ditë janë duke vizituar Kosovën, vizita këto që po i shfrytëzojnë për t’i shpalosur planet mbi forcimin e strukturave paralele serbe.

Shumica e serbëve të veriut të Kosovës, që kanë punuar në sistemin kosovar të drejtësisë, tashmë kanë kaluar në atë serb.

Së fundi, e njëjta gjë ka ndodhur me punëtorët e hekurudhave. Ndërkaq, rreth 300 policë serbë të SHPK-së tashmë janë suspenduar me pagesë, për shkak se nuk iu kanë bindur urdhrave të komandës së SHPK-së.
XS
SM
MD
LG