Ndërlidhjet

Qeveria, UNMIK-u, KFOR-i zotohen se kanë nën kontroll veriun


Joachim Ruecker, Hashim Thaçi

Joachim Ruecker, Hashim Thaçi

Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë janë zotuar sot se pushteti i vetëm që do të funksionojë në Kosovë është ai legal dhe nuk do të tolerohet funksionimi i strukturave paralele që dirigjohen nga Serbia.

Krerët e institucioneve të Kosovës dhe ata të pranisë ndërkombëtare u zotuan sot se në Kosovë nuk do të ketë funksionim të strukturave paralele që dirigjohen nga Serbia.

Pas një takimi trepalësh të mbajtur në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë, ndërmjet kryeadministratorit Joachim Ruecker, kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Xavier de Marnahc, u tha se mandati i institucioneve legale, si i atyre vendore, ashtu edhe i pranisë ndërkombëtare, do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore.

Zhvillimet në veri të Kosovës, udhëheqësit e lartë vendorë e ndërkombëtarë i cilësuan si sfida me të cilat Kosova u ballafaqua në ditët e para të shtetësisë së saj, por, sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, këto sfida janë tejkaluar dhe do të tejkalohen në të ardhmen.

“Kemi pasur sfida, të cilat janë tejkaluar. Kemi autoritetin e plotë të tejkalimit të të gjitha problemeve që janë paraqitur apo do të paraqiten. Dhe, natyrisht, bashkëpunimi ynë i ngushtë me UNMIK-un e KFOR-in janë garancitë më të mira për paqen, stabilitetin e Kosovës si shtet i pavarur e sovran”, theksoi Thaçi.

Bazuar në Rezolutën 1244, autoriteti numër një në Kosovë mbetet UNMIK-u edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Shefi i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker, tha se e ka mbështetjen e Nju Jorkut, që të zbatojë mandatin ekzekutiv në Kosovë, pra edhe në veri pa përjashtim.

Si rezultat konkret të këtij angazhimi, Ruecker përmendi kthimin nën kontroll të Hekurudhave të Kosovës, pasi një ditë më parë, autoritetet serbe nga Beogradi kishin vënë ato nën kontroll.

Ruecker tha se veprime të ngjashme të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës do të ndërmerren edhe në çështje tjera, ku ka funksionim të strukturave jolegale.

“UNMIK-u me ndihmën e KFOR-it, sa herë që të kemi nevojë për ndihmën, do të mbrojë dhe zbatojë mandatin e vet ekzekutiv, si kur është në pyetje policia, doganat, sistemi gjyqësor; po ashtu, nuk do të lejojmë ndërhyrje në çështjen e Hekurudhave të UNMIK-ut, përkatësisht të Kosovës”, tha shefi i UNMIK-ut.

Ky mandat, sipas tij, do të shtrihet pa dallim në gjithë territorin e Kosovës.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali francez Xavier de Marnahc, tha se forca ushtarake e KFOR-it e ka të përcaktuar mirë misionin e vet në Kosovë dhe këtë do ta bëjë si deri më tani.

“Sa i përket KFOR-it është shumë e qartë se me Rezolutën 1244 ne kemi përgjegjësinë për sigurinë dhe mjedisin paqësor dhe këtë do ta vazhdojmë si edhe deri më tash”, tha gjenerali de Marnahc.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi potencoi se veriu i ka veçoritë e veta krahasuar me pjesët tjera, por, sipas tij, as atje dhe në asnjë pjesë të Kosovës, nuk do të tolerohet shkelja e kushtetutës dhe ligjit.

“Jam i zotuar që Qeveria e Kosovës ta ushtrojë autoritetin e vet legal në gjithë territorin e Kosovës. Kjo po ndodh e do të ndodhë në të ardhmen dhe nuk ka sfidë që nuk do të jetë e përballueshme për institucionet legjitime të Kosovës. Në anën tjetër, e them qartë se nuk do të lejojmë askënd që të cenojë rendin kushtetues të Kosovës dhe ligji do të funksionojë në gjithë territorin e vendit”, tha kryeministri i Kosovës.

Ndryshe, Thaçi tha se këto ditë ai ka biseduar me disa nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, gjithnjë e më shumë po e pranojnë realitetin e ri në Kosovë dhe së shpejti do të kyçen në jetën institucionale.

Takimet e nivelit të tillë trepalësh janë të rregullta, por që nga shpallja e pavarësisë e këndej, ato kanë qenë takime shumë më të shpeshta, ku është analizuar gjendja e përgjithshme e sigurisë, me theks të veçantë në zhvillimet në veri të Kosovës dhe në pikat kufitare me Serbinë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG