Ndërlidhjet

Rogozin: “Ushtarët rusë s’do të kthehen në Kosovë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Lagjja Jashari në Prekaz të Skenderajt, dhjetë vjet pas luftës së lavdishme dhe të rezistencës dhe të qëndresës së Jasharëve dhe të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ka marrë pamjen e një qyteze të vogël, të cilës pavdekësia i bën roje. Pesëdhjetë e shtatë dëshmorët e rënë heroikisht përballë makinerisë ushtarake dhe policore serbe, të cilët shkuan në pavdekësi, i bëjnë roje vendit të kthesës së madhe në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. E shndërruar në vend pelegrinazhi për vizitorë nga të gjitha trojet etnike dhe nga vende të ndryshme të huaja, lagjen Jashari në Prekaz të Drenicës, e kanë vizituar deri tash mbi gjashtë milionë njerëz nga pothuajse të gjitha vendet e botës...

EPOKA E RE
Asnjë shtet në Evropë nuk do të përfitojë më tepër nga pavarësia e Kosovës, sesa vetë Serbia, ka deklaruar ambasadorja amerikane në Shkup, Xhilian Milovanoviq. Ajo ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës liron edhe popullin që jeton atje, edhe fqinjët e tyre dhe u mundëson atyre t’i tejkalojnë konfliktet e viteve ’90 dhe ta ndjekin vizionin e gjerë të integrimit, në një komunitet euro-atlantik të pandarë. “SHBA-të, Evropa dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të KS të OKB-së u pajtuam se zgjidhja e vetme e mundshme për Kosovën ishte pavarësia. Si rezultat i historisë së konfliktit dhe mosbesimit të ndërsjellë, nuk ekziston mënyrë që populli i Kosovës dhe Serbisë të mbesin në një shtet demokratik funksional”, ka thënë Milovanoviq...

KOSOVA SOT
Debatet për Draft-kushtetutën e Republikës së Kosovës kanë përfunduar, ndërsa anëtarët e Komisionit Kushtetues vazhdimisht theksuan “produktivitetin” e mundshëm të komunikimit me qytetarët. Formalisht, debatet zgjuan interesim, sepse kjo dëshmohet me argumentet konkrete, nga propozimet dhe vërejtjet që kanë depozituar tek autoritetet përgjegjëse, individë, organizata të ndryshme, apo institucione, si Akademia e Shkencave. Deri në dërgimin e dokumentit në Parlamentin e Kosovës ka disa ditë ose javë në dispozicion për Komisionin Kushtetues që t’i përfshijë sugjerimet në draftin final...

LAJM
Edhe përkundër deklaratave optimiste për ushtrimin e sovranitetit të plotë në çdokënd të Kosovës, disa qytetarë serbë të Kosovës nuk i nënshtrohen rendit dhe ligjit të vendit. “Aktualisht, KEK-u vazhdon ta ketë të pamundur operimin në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha Nezir Sinani, duke shtuar se humbjet vjetore të KEK-ut në veri të Mitrovicës llogariten të jenë rreth 10 milionë euro. As Postë-Telekomi i Kosovës nuk ka mundur ta shtrijë autoritetin e tij në gjithë vendin. “Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka ndonjë ndryshim të veçantë”, tha Fadil Lepaja, nga zyra për informim e PTK-së...

EXPRESS
Një rezolutë, e cila me gjasë do të miratohet nga Parlamenti i Serbisë, këtë javë, bën thirrje që vendi t’i heqë të gjitha lidhjet formale me Bashkimin Evropian derisa blloku të tërheqë mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës. Drafti, i dërguar nga Partia Nacionaliste Radikale, të martën, mbështetet nga partia e kryeministrit Koshtunica dhe nga socialistët e autokratit të ndjerë, Sllobodan Millosheviq. Rezoluta kundërshton dërgimin e një misioni “ilegal” mbikëqyrës të BE-së në Kosovë, pasi që ish-provinca serbe u shkëput muajin e kaluar dhe i bën thirrje BE-së ta tërheqë atë...

NACIONAL
Përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Dimitri Rogozin, ka deklaruar se është gjë joreale kthimi i ushtarëve dhe policëve rusë në Kosovë. Megjithatë, ai ka thënë se vendimi përfundimtar për këtë çështje është nën kompetenca të presidentit të Rusisë. “Nuk ka arsye që Rusia të kthehet ushtarakisht në Ballkan. Mendoj se kthimi i ushtarëve rusë në Kosovë do t’i pamundësonte Serbisë që të mbrohet, ngase mendoj se Serbia ka kapacitete që të mbrohet vetë”, ka thënë Rogozin, për “Veçernje Novosti”. Ai ka vlerësuar, po ashtu, se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës mund të jetë sinjal për serbët në Republikën Serbë të Bosnjës dhe ka shtuar se janë “fjalë boshe” ato se Kosova është rast unik...

KOHA DITORE
Budapesti do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar të martën kryeministri i Hungarisë, Ferenc Gyurcsany, pas takimit që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. “Hungaria ka filluar rrugën drejt njohjes së Kosovës dhe do ta përfundojë në një të ardhme të afërt. Hungaria konsideron se Kosova nuk mund të mbetet pjesë e Serbisë, por do të dëshironte që në vend të vendimit të njëanshëm për ndarje nga Serbia, kjo të arrihej nëpërmjet bisedimeve, ka vlerësuar kryeministri i Hungarisë, Ferenc Gyurcsany...

INFOPRESS
Liga e socialdemokratëve të Vojvodinës ka dënuar aksionin e një grupi qytetaresh, të cilët në Sombor ndajnë falsa bukë, në mënyrë që qytetarët të mos blejnë në furrat e bukës në pronësi të shqiptarëve. “Gjesti i tillë mund të karakterizohet si fashist, sepse të përkujton kohën kur patriotët e rremë gjermanë në vitet tridhjetë bojkotonin tregtarët çifutë, gjë që në fund përfundoi me holokaust”, thuhet në reagim të kësaj partie të Vojvodinës...

BOTA SOT
“Misioni i BE-së në Kosovë duhet të përfundojë në ditën e hyrjes së Kosovës në BE. Evropa është në Kosovë, por ne do të punojmë shumë që Kosova të jetë në Evropë”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi me temën “Angazhimi i BE-së në Kosovë: Këndvështrimet nga brenda dhe jashtë”, që kishte për qëllim informimin e të rinjve dhe organizatat joqeveritare për BE-në dhe punën e saj në Kosovë. Ai tha se hyrja në BE duhet të jetë e përnjëhershme me vendet e tjera të rajonit, apo edhe më parë...
XS
SM
MD
LG