Ndërlidhjet

logo-print

DiCarlo: Kosova shumetnike, në kufijtë ekzistues


Rosemary DiCarlo

Rosemary DiCarlo

"Paqja është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për ne që jemi të përfshirë. SHBA-të kërkojnë nga të gjithë që ta ruajnë qetësinë në muajt që vijnë", thotë Rosemary DiCarlo, zyrtare e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Di Carlo, si ndiheni pas kaq vitesh përfshirjeje në Ballkan, tani që statusi i Kosovës është zgjidhur? Si do ta vlerësoni procesin e njohjes së shtetit të ri?

ROSEMARY DICARLO
Së pari më lejoni t'ju them se për gati tre vjet kemi përsëritur qëndrimin se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet.

Zgjidhja duhet të jetë e tillë që nxit stabilitetin afatgjatë në rajon dhe forcon të ardhmen euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit.

Kosova tashmë e ka shpallur pavarësinë dhe një numër i konsiderueshëm shtetesh e kanë njohur në dy javët e para.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët evropianë, e njohën Kosovën vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë.
Me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë shtete po e njohin Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka nevojë për ndihmën amerikane pas shpalljes së pavarësisë, po aq sa dhe më parë, por tani në të tjera drejtime. A planifikojnë Shtetet e Bashkuara ta ndihmojnë Kosovën për t'u anëtarësuar në organizmat financiarë ndërkombëtarë?

ROSEMARY DICARLO
Është plotësisht e saktë se Kosova ka nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qarta angazhimet e tyre për ta ndihmuar zhvillimin e Kosovës, ashtu siç mbështesim edhe vendet tjera në rajon.

Në rastin e Kosovës po ndihmojmë zbatimin e nismave që janë hartuar posaçërisht për Kosovën.

Javën e kaluar morëm pjesë në krijimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën. Ishte ky grupi që emëroi zotin Peter Feith si përfaqësues special, i cili do ndihmojë kosovarët në zbatimin e Planit Ahtisaari.

Në Bruksel, euro-komisionari Rehn foli për organizimin e konferencës së donatorëve në fund të pranverës, që do ndihmojë në përmbushjen e nevojave të Kosovës.

Është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare. Kosova nuk ka pasur qasje në këto institucione për tetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e ndjejnë nevojën që ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha këto fusha.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndihma amerikane për anëtarësimin e Kosovës në institucionet financiare ka filluar apo pritet të konkretizohet së shpejti?

ROSEMARY DI CARLO
Me sa di, ndonëse nuk jam specialiste e kësaj fushe, janë një mori kërkesash që duhen përmbushur.

Këto kërkesa kanë të bëjnë me planet ekonomike të vendit dhe mekanizmat financiarë që duhet të ketë një vend. Për të gjitha këto çështje, ne do punojmë në muajt që vijnë.

Anëtarësimi i Kosovës në FMN apo Bankën Botërore duhet të miratohet pastaj nga bordi i këtyre institucioneve.

Siç e kemi parë, pavarësia e Kosovës është mbështetur nga shumica e vendeve evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët konferencën e donatorëve. A mund të na jepni me shifra se cili do jetë angazhimi financiar amerikan gjatë konferencës në fjalë?

ROSEMARY DICARLO
Nuk jam në gjendje të them për momentin se cila do jetë shuma e angazhimeve tona.
Ajo që mund të them me siguri është fondi prej 335 milionë dollarësh për Kosovën, i miratuar nga Kongresi.

Ne po shohim edhe nismat në fusha të tjera, pasi jemi të interesuar të ndihmojmë në fushën e rendit dhe ligjit, si dhe në zhvillimin ekonomik.

Ne do punojmë shumë ngushtë me donatorët kryesorë, në mënyrë që të bashkërendojmë mbështetjen tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi parë reagime të ndryshme nga fqinjët e Kosovës. Shqipëria e njohu shtetin e Kosovës, derisa nuk e kanë marrë këtë hap Maqedonia dhe Mali i Zi. Si e vlerësoni qasjen e Shkupit dhe të Podgoricës ndaj Kosovës?

ROSEMARY DICARLO

Mendoj se është e qartë se vendet e rajonit duan të kenë raporte të mira me të gjitha vendet fqinje.

E dimë se Maqedonia ka marrëdhënie të mira si me Serbinë dhe me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për Malin e Zi.

Ka shumë lidhje në mesin e vendeve të rajonit dhe këto lidhje do vazhdojnë dhe ne duam marrëdhënie të mira mes të gjitha vendeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në dallim nga fqinjët e tjerë, Serbia ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Sa e vështirë është për administratën tuaj bashkëpunimi me Serbinë në këtë moment dhe si do t'i përshkruanit marrëdhëniet mes dy vendeve?

ROSEMARY DICARLO
Ne duam marrëdhënie shumë të mira me Serbinë, siç i kemi pasur historikisht. Ne kemi qenë aleatë në dy luftëra botërore. Marrëdhëniet tona u vështirësuan gjatë periudhës së Millosheviqit.

Ne duam ta shohim Serbinë të ecë përpara. Ne e duam rrugën e integrimit euroatlantik për Serbinë, po aq sa edhe për Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Kroacinë dhe Malin e Zi.

Ne synojmë t’i vazhdojmë të gjitha projektet që kemi nisur me Serbinë. E dimë se Qeveria serbe nuk e mbështet politikën tonë rreth Kosovës dhe nuk e mbështet pavarësinë e Kosovës.

Duam ta bëjmë të qartë se pavarësisht dallimeve në këtë çështje, synojmë të kemi raporte të mira. SHBA-të duan që Serbia të ecë përpara dhe që kjo të ndodhë, Serbia duhet t'i tejkalojë konfliktet e viteve '90. Kosova është një prej tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, Serbia po merr hapa konkretë për të mbajtur në kontroll pjesë të caktuara të Kosovës, siç është veriu. Me gjithë deklaratat e fuqishme nga faktori ndërkombëtar, çfarë hapash konkretë mund të merrni për të mos lejuar ndarjen e Kosovës?

ROSEMARY DICARLO
Ne e kemi njohur Kosovën në kufijtë ekzistues dhe jemi të vendosur të shohim një Kosovë shumetnike. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe për politikën evropiane.

Ne nuk duam të shohim ndarje, siç mund të jetë ajo në veri të Kosovës, që është ndarje thjesht në baza etnike.

Ne mbështesim administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur stabilitetin në rajon.

Mendojmë se është shumë e rëndësishme që serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë t'u jepen të gjitha mundësitë që të jenë qytetarë të barabartë.

Plani Ahtisaari lejon të drejta të shtuara për serbët dhe pakicat e tjera, ashtu siç mundëson dhe mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe fetare. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për popullsinë lokale.

Kjo është rruga për të ecur përpara: të sigurohen të drejtat e serbëve dhe të sigurohet përparimi i gjithë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh se serbët e Kosovës, nën ndikimin e Beogradit, nuk e pranojnë planin e Ahtisaarit dhe bashkë me të institucionet e Kosovës, a shihni mundësi për dhunë në rajon?

ROSEMARY DICARLO
Kemi kërkuar nga të gjitha palët të jenë të qeta dhe të mos përqafojnë dhunën. Duam të shohim që gjërat të ecin qetësisht. Besoj se kështu e shohin gjendjen dhe shumica e shqiptarëve dhe e serbëve.

Paqja është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ata që jetojnë atje, por edhe për ne që jemi të përfshirë. Ne kërkojmë nga të gjithë që ta ruajnë qetësinë në muajt që vijnë.

Gjithashtu mendojmë se do të marrë kohë procesi i shtrirjes së dorës serbëve të Kosovës. Ne do t'u shpjegojmë atyre se bashkësia ndërkombëtare është shumë e vendosur t'i shohë të ecin përpara dhe të integruar në Kosovë.

Institucionet e Kosovës dhe shumica e popullit kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur, që të ecim përpara në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Rusisë në Ballkan në këto momente?

ROSEMARY DICARLO
Kemi punuar për shumë vite me Rusinë në Ballkan. Ne dhe Rusia kemi qëndrime të ndryshme rreth Kosovës, por duam të punojmë në mënyrë konstruktive me Rusinë.

Ne punojmë me ta edhe në Bosnjë dhe duam të vazhdojmë të punojmë dhe në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
A i druheni mundësisë se Rusia mbështet grupe që mund të nxisin dhunën në rajon?

ROSEMARY DICARLO
Rusia është angazhuar dhe ka bërë thirrje për qetësi në rajon.

Kur pamë së fundi incidentet në Beograd, Rusia iu bashkëngjit pjesës tjetër të Këshillit të Sigurimit në një deklaratë të ashpër që dënonte dhunën.

Siç e thashë dhe më sipër, ne kemi pasur dallimet tona rreth asaj se si duhej zgjidhur çështja e Kosovës, por, megjithatë, Rusia ka qenë një lojtar i përgjegjshëm.
XS
SM
MD
LG