Ndërlidhjet

Rezoluta për Kosovën përçan liderët serbë


Kuvendi i Serbisë

Kuvendi i Serbisë

Pika e parë e rendit të ditës në Kuvendin e Serbisë do të jetë një projekt-rezolutë që do të deklaronte se Serbia do të futet në Bashkimin Evropian vetëm së bashku me Kosovën, si pjesë të saj. Por, kjo rezolutë ka nxitur debate në koalicionin qeveritar dhe mund t’i japë atij goditjen e fundit.


Kuvendi i Serbisë pritet të diskutojë lidhur me projekt-rezolutën e propozuar nga Partia Radikale e Serbisë, e cila parasheh që Serbia të deklarojë se në Bashkimin Evropian do të futet vetëm me Kosovën si pjesë të saj.

Ky propozim ka përçarë thellë edhe një herë koalicionin qeveritar, pasi që Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq është kundër një ideje të tillë.

Megjithatë, këtë rezolutë ka gjasa ta mbështesin përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Serbisë, së udhëhequr nga kryeministri Vojisllav Koshtunica dhe kjo mund të sjellë qeverinë deri në përçarjen e saj të fundit.

Partitë politike të bllokut demokratik kanë thënë se kjo nuk mund të ndodhë, por nëse një gjë e tillë kalon në Kuvend me përkrahjen e shumicës radikale, atëherë marrëdhëniet në Qeveri do të shqyrtohen seriozisht.

Këto parti kanë thënë se një rezolutë e tillë nuk ka për qëllim të mbrojë Kosovën dhe as ta ruajë tërësinë territoriale, por të izolojë Serbinë. “Kjo do të ishte e tmerrshme për Serbinë, por edhe për koalicionin”, është thënë në një deklaratë.

Kryeministri Koshtunica ka theksuar se është mirë që brenda Kuvendit, partitë të tregojnë një unitet. Por, ai ka thënë se partia e tij do të mbështet një rezolutë të tillë.

“Ftoj partitë parlamentare që të vërtetojnë në Kuvend politikën e përbashkët shtetërore dhe kombëtare që Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë Koshtunica, duke shtuar se më pas mund të mbështetet ideja e integrimit të Serbisë së bashku me Kosovën.

“Me një politikë të tillë të përbashkët mund të jenë të kënaqura edhe partitë që insistojnë në integrimin evropian dhe ato që insistojnë në mbrojtjen e Kosovës”, ka thënë Koshtunica.

Megjithatë, këto deklarata nuk kanë bindur presidentin Boris Tadiq, i cili ka thënë se rezoluta e radikalëve nuk është as në shërbim të integrimeve, e as të Kosovës, por ka për qëllim që më të mos bisedohet kurrë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Askush nuk ka mendim tjetër në Serbi. Por, në rezolutë kërkohet që Bashkimi Evropian ta njohë Serbinë në tërësi dhe BE-ja nuk njeh shtete. Në këtë rast, meqë s’do të kishte mundësi të përgjigjej në një kërkesë të tillë, do të ndërpriste integrimin”, ka thënë Tadiq.

Megjithatë, kjo rezolutë është mbështetur edhe nga Partia Socialiste e Serbisë, që dikur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi dhe ka shumë gjasa të aprovohet. Por, presidenti Tadic ka thënë se për ta izoluar Serbinë duhet një mazhorancë tjetër dhe një koalicion tjetër.
XS
SM
MD
LG