Ndërlidhjet

Kosova: Momenti i së vërtetës


Daniel Fried

Daniel Fried

Dëshmi e Daniel Fried, ndihmës-sekretar për çështje euro-aziatike në Komitetin për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, kryesuar nga senatori Joseph Biden dhe anëtari i lartë i këtij komiteti, Richard Lugar.


Gjendemi sot në fund të një episode më tragjike të Evropës: shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Deklarata për pavarësinë e Kosovës e 17 shkurtit i ka dhënë fund agonisë dhe procesit shumëvjeçar të zhdukjes së këtij vendi.

Deklarata për pavarësinë e Kosovës përmbyll një kapitull, por hap tjetrin. Ne duhet të merremi me sfidat afatshkurtra të sigurisë dhe sfidat afatgjata të zhvillimit të Kosovës. Këto janë sfida serioze.

Shumë gjëra mund të shkojnë për të keq dhe disa gjëra mbase edhe do të shkojnë. Por, status quo-ja ishte e paqëndrueshme dhe synimi për ta ruajtur atë do të nxiste sfida madje edhe më të mëdha.

Pavarësia e Kosovës e sjell Evropën më afër synimit për të qenë e tërësishme, e lirë dhe në paqe. Tre presidentë amerikanë – George W. Bush, Bill Clinton dhe George H.W. Bush – kanë artikuluar dhe avancuar objektivin strategjik për ta ndihmuar Evropën që të jetë e tërësishme, e lirë dhe në paqe. Kosova është një prej problemeve të fundit të pazgjidhura që e ka parandaluar përmbushjen e këtij synimi.

Tash, sikur që e patë në televizion para dy javësh, emocionet janë të larta mbi këtë çështje në Serbi. Serbia fuqishëm e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Ne e kemi kuptuar këtë dhe jemi përpjekur që të arrijmë tek serbët nëpërmjet diplomacisë, gjatë kësaj periudhe të dhembshme për ta.

Kjo e bën sulmin e bandave në ambasadën tonë dhe ambasadat tjera në Beograd edhe më të turpshëm. Ajo çfarë ka ndodhur është e gabueshme dhe disa autoritete serbe bartin përgjegjësi të plotë.

Roli i disa liderëve serbë në dhunën e bandave kundër ambasadës sonë dhe ambasadave tjera në Beograd nuk është i qartë dhe mund të mos jetë kurrë i tillë. Por, përtej dyshimeve, disa liderë serbë kanë nxitur popullatën me retorikë nacionaliste, duke krijuar një ambient armiqësie që çoi drejtpërsëdrejti deri tek sulmet. Prandaj, e mbajnë Qeverinë serbe përgjegjëse për atë çfarë ndodhi më 21 shkurt, por edhe për incidentet që mund të ndodhin në të ardhmen.

Dua të shfrytëzoj këtë forum, ashtu siç i kam shfrytëzuar edhe të tjerat, t’i rikujtoj autoritetet serbe për përgjegjësitë që kanë, për të ofruar sigurinë e ambasadave, ashtu siç është paraparë me Konventën e Vjenës.

Në Kosovë, gjithashtu ka pasur nxitje dhuna nga ana e serbëve. Serbët dhe kushdo tjetër kanë të drejtë të protestojnë pavarësinë e Kosovës. Por, nuk ekziston e drejta për dhunë dhe keqtrajtim.

Sulmet në veri të Kosovës kundër personelit ndërkombëtar tashmë kanë ndodhur. Ato janë të papranueshme, sikur që janë edhe deklaratat që provokojnë ose arsyetojnë dhunën e këtillë. Kërkojmë nga liderët në mbarë rajonin që të dëshmojnë përgjegjësinë e tyre.

Zgjedhjet që i kemi pasur për Kosovën kanë qenë të kufizuara dhe ne kemi bërë më të mirën. Është e rëndësishme të rikujtohen zhvillimet që çuan deri tek pavarësia e Kosovës për të kuptuar se si të ecim përpara.

Zhbërja e Jugosllavisë ka qenë jokonsensuale dhe shumë e dhunshme. Filloi me ardhjen në pushtet të diktatorit të Serbisë, Slobodan Milosheviq, duke terrorizuar pjesët tjera konstituive të Jugosllavisë.

Më 1989, ai e zhveshi Kosovën nga autonomia, të cilën e kishte gëzuar në kuadër të Jugosllavisë. Me këtë u mbjell fara e konfliktit të Kosovës. Taktikat e Milosheviqit e detyruan Slloveninë që të largohet, e cila u pasua nga republikat tjera konstituive, Kroacia, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi. Milosheviqi u përgjigj duke filluar konflikte të intensitetit të ndryshëm.

Përgjatë viteve të 90-ta, flakët e vazhdueshme nacionaliste të Milosheviqit shkaktuan kaos në Jugosllavi. Prandaj, Jugosllavia nuk ekziston më. Deklarata për pavarësinë e Kosovës ishte akti final i kësaj zhbërjeje.

Politika e Milosheviqit përballë Kosovës, prej vitit 1989 e deri më 1999, është një rrëfim i dhimbshëm shkatërrimi, madje edhe në bazë të standardeve të tmerrshme të luftërave në Jugosllavi.

Fillimisht, diktatori serb ka instaluar një sistem të ngjashëm me aparteidin e sundimit etnik serb në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës, mbi 90% e popullatës, i janë nënshtruar një diskriminimi sistematik dhe përjashtimi nga punët e tyre.

Së pari, populli i Kosovës zgjodhi rezistencën paqësore, duke shpresuar që të shmangin tmerret që ndodhnin në Bosnjë dhe Kroaci. Por, kur disa prej tyre megjithatë morën rrugën e rezistencës së armatosur, gjë të cilën Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përkrahur, përgjigja e Milosheviqit ishte e tmerrshme; fshatra të tëra u bombarduan, qytetarë të shumtë u ekzekutuan, familjet u masakruan. Refugjatët ikën nëpër male, pa strehë dhe nëpër borë.

Që prej vitit 1993, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara filloi të diskutojë situatën në Kosovë dhe të miratojë rezoluta. Më 1999, Këshilli kishte lëshuar jo më pak se shtatë të këtilla, duke kërkuar ndërprerjen e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut. Regjimi i Milosheviqit i injoroi të gjitha.

Më në fund, më 1999, me Qeverinë në Beograd, e cila refuzonte të ndalonte spastrimin etnik në Kosovë përkundër një sërë vërejtjesh të intensifikuara, të 19 aleatët e atëhershëm të NATO-s arritën vendimin unanim për të ndërmarrë një aksion kolektiv kundër policisë dhe forcave ushtarake serbe në Kosovë.

Presidenti Clinton dhe homologët e tij evropianë me të drejtë vendosën se spastrimi etnik nuk mund të vazhdojë. Pas përpjekjeve të shtuara diplomatike, të cilat dështuan t’i japin fund dhunës, NATO lansoi një fushatë bombardimesh kundër forcave të Milosheviqit, në mars të vitit 1999. Milosheviqi u përgjigj duke lansuar një fushatë të papërmbajtur të terrorit kundër civilëve në Kosovë. Në prill, Kombet e Bashkuara raportonin për rreth 850 mijë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe kjo ishte një e dhënë konservative.

Grupe të forcave paramilitare serbe organizuan vrasjet dhe detyruan qytetarët shqiptarë të Kosovës drejt trenave, që i deportonin ata për në Maqedoni – këto pamje kujtonin periudhën e mëhershme të një krimi etnik në Evropë dhe ishin drithëruese.

Pas 79 ditë bombardimesh, Milosheviqi kapitulloi. Në qershor të vitit 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, duke pezulluar qeverisjen e Beogradit në Kosovë dhe duke e vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën rezolutë, Këshilli i Sigurimit autorizoi forcën paqeruajtëse të NATO-s për të ofruar një ambient të sigurt dhe të qetë në Kosovë. Që prej atëherë, Kosova është administruar nga Kombet e Bashkuara në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Rezoluta gjithashtu ofroi një vetëqeverisje lokale, duke parashikuar një proces politik që do të përcaktonte të ardhmen e Kosovës. Ky proces tani rezultoi me pavarësinë e Kosovës.

Kjo është diçka, e cila duhet të nënvizohet. Rezoluta 1244 e hoqi Serbinë nga roli qeverisës mbi Kosovën. Kjo ka ndodhur para nëntë vjetësh ose, thënë më mirë, dhjetë vjet që kur Milosheviqi filloi shkatërrimin e tij në Kosovë. Vota për Rezolutën 1244 ishte 14 - 0, me abstenimin e Kinës, por me përkrahjen e plotë të Rusisë.

Rezoluta 1244 në mënyrë specifike ka nënvizuar një proces të mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara për të adresuar statusin e ardhshëm të Kosovës, një rrugë përpara, të cilën Shtetet e Bashkuara aktivisht e kanë përkrahur. Mbi të gjitha, derisa 1244 synonte një marrëveshje midis palëve, ajo nuk e kërkonte një gjë të këtillë. Hartuesit e kësaj rezolute nuk e kanë hedhur poshtë asnjë opsion të mundshëm për statusin dhe vetë rezoluta madje reflekton mundësinë e pavarësisë si rezultat.

Rezoluta gjithashtu e ka vënë Kosovën, për një periudhë të caktuar, nën administrimin ndërkombëtar. Pas luftës, Kosova ka bërë përparim nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Ata, të cilët Milosheviqi i përjashtoi, u kthyen shpejt në Kosovë. Kombet e Bashkuara ndihmuan popullin e Kosovës për t'i ndërtuar qeveritë lokale, Parlamentin dhe një forcë policore shumëkombëshe. Zemërimi dhe frika megjithatë ende mbizotëronin në mbarë Kosovën, por përparime kishte.

Sidoqoftë, çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës vazhdonte të jetë një hije e rëndë. Administrata, qëllimisht dhe në mënyrë sistematike, kërkonte zgjidhje diplomatike për këtë çështje. Ne kemi përkrahur negociatat midis palëve, të cilat zgjatën dy vjet.
Në fillim të vitit 2006, Kombet e Bashkuara emëruan një diplomat të respektuar evropian, ish presidentin finlandez, Martti Ahtisaari, si të dërguarin e posaçëm, me mandate për të negociuar një zgjidhje mbi problemin e statusit final të Kosovës.

Ahtisaari punoi intensivisht me të gjitha palët, duke diskutuar në veçanti një sërë masash mbrojtëse për pakicat në Kosovë në përgjithësi dhe për komunitetin serb në veçanti. Ata gjithashtu diskutuan edhe për sforcimin e një qeverisjeje efektive, duke përshirë decentralizimin e qeverisjes lokale, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, me theks të veçantë ato serbe dhe promovimin e zhvillimit ekonomik.

Pas 14 muajsh, në prill të vitit 2007, i dërguari i posaçëm Ahtisaari konkludoi se palët janë në një situatë të papajtueshme. Sipas tij, asnjë negociatë shtesë, pavarësisht nga kohëzgjatja, nuk do të mund të prodhojë ndonjë marrëveshje midis palëve. Prandaj, ai ia prezantoi Këshillit të Sigurimit rekomandimet e veta për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në planin e tij përfshiheshin edhe masat për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare në Kosovë. Ai ka rekomanduar gjithashtu që Kosova të bëhet e pavarur, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare për një kohë të caktuar. Kosova e ka pranuar këtë pako kompromisi, Serbia jo.

Pjesa dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u pajtuan me rekomandimet e tij, sikurse edhe të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, të cilët ishin në Këshillin e Sigurimit, por edhe shumica e vendeve tjera në Evropë – rajoni më i prekur nga jostabiliteti i ri në rajon. Administrata i bëri të gjitha ç’kishte mundur të bëjë verën e kaluar, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e Këshillit të Sigurimit për planin e Ahtisaarit. Ne besonim se një veprim i shpejtë i Këshillit të Sigurimit do të dërgonte një mesazh pozitiv për unitetin global mbi këtë çështje, duke hapur rrugën për një tranzicion më të lehtë për Kosovën. Synimi i BE-së dhe SHBA-ve që të menaxhonin situatën në Kosovë nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, u pengua nga Rusia.

Në përpjekjen e fundit për të eksploruar çdo bazë të mundshme për një zgjidhje të negociuar, ne morëm pjesë drejtpërsëdrejti në katër muaj shtesë të negociatave, nën mbikëqyrjen e Treshes ndërkombëtare, në përbërje të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, një propozim ky i bërë nga presidenti francez, Nicholas Sarkozy. Kjo Treshe – me ambasadorin Frank Wisner si përfaqësues amerikan – shqyrtoi të gjitha rezultatet e imagjinueshme, duke përfshirë këtu konfederatën, pavarësinë dhe autonominë substanciale, por palët nuk arritën marrëveshje.

Pas përfundimit të bisedimeve të Treshes, më 10 dhjetor, u bë e qartë se potenciali i negociatave për të arritur një marrëveshje, është shterë. Çështja qendrore në diskutim ishte nëse Kosova udhëhiqet nga Beogradi apo Prishtina dhe kjo thjesht nuk krijonte hapësirë për kompromis apo përafrim qëndrimesh.

Pozicioni i Rusisë ishte se asnjë zgjidhje nuk është e mundshme pa pajtimin e Serbisë. Serbia e ka bërë të qartë se asnjë zgjidhje e propozuar pa sovranitetin serb mbi Kosovën nuk do ta ketë përkrahjen e Beogradit.

Populli i Kosovës me të drejtë refuzoi t’i nënshtrohet paqartësisë së vazhdueshme mbi statusin e ardhshëm politik.
Më 17 nëntor, ata i dhanë fund kësaj çështjeje vetë, duke shpallur Kosovën një shtet të pavarur dhe sovran. Si kundërpërgjigje, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kyçë evropianë koordinuan veprimet e tyre dhe njohën pavarësinë e Kosovës, në një vijë me rekomandimet e të dërguarit të OKB-së, Martti Ahtisaari.

Që prej pavarësisë, kosovarët kanë ecur përpara drejt përmbushjes së detyrimeve nga Ahtisaari. Parlamenti ka miratuar deri më tash nëntë ligje nga pakoja, në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pakicave, imunitetin diplomatik, policinë dhe qeverisjen lokale. Ligjet tjera janë në periudha të ndryshme hartimesh. Kosova e ka përgatitur draft-kushtetutën e vet, për të cilën ne besojmë se është në harmoni të plotë me planin e Ahtisaarit dhe mund të miratohet brenda pak javësh. Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu në vazhdimësi kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre në të gjitha aspektet e planit të Ahtisaarit. Kryeministri Thaçi ka emëruar dy serbë në kabinetin e tij. Qeveria gjithashtu është zotuar në vazhdimësi se do të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. Lidershipi në Kosovë vazhdimisht ia ka shtrirë dorën komunitetit serb në Kosovë dhe vetë Serbisë.

Vendimi për të njohur pavarësinë e Kosovës nuk ka qenë i lehtë. Por, ishte vendimi i vetëm i përgjegjshëm për ta marrë. Realiteti ishte i qartë: Kosova kurrë më nuk do të sundohej nga Serbia. Status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme dhe e padëshirueshme. Megjithëse UNMIK-u kishte bërë mjaft për të ndihmuar Kosovën që të rimëkëmbet nga lufta dhe t'i ndërtojë institucionet demokratike, administrata e OKB-së nuk është menduar asnjëherë të jetë e përhershme e madje as një zgjidhe afatgjate për Kosovën. Në periudhën e paqartësisë së administrimit të OKB-së, Kosova nuk ka qenë në gjendje të marrë hua nga institucionet monetare ndërkombëtare e madje as të joshë investime aq të nevojshme nga jashtë. Pasiguria i pengon investitorët dhe biznesmenët. Administrimi i OKB-së e ka penguar edhe zhvillimin e institucioneve të përgjegjshme demokratike. Po të lihej mënjanë, Kosova do të shndërrohej në një inkubator për frustrime, ekstremizëm dhe jostabilitet, duke kërcënuar të infektojë gjithë Evropën juglindore.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë – Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – morën vendimin për të ecur përpara.

Populli i Kosovës tash e ka pavarësinë. Nga kjo pikë, ata kanë përgjegjësinë, edhe pse me ndihmën tonë, të krijojnë një shtet që përmbushë të gjitha standardet demokratike të komunitetit të shteteve; ne kërkojmë një Kosovë që është funksionale, me një shoqëri të fuqishme shumëkombëshe, me institucione funksionale, duke respektuar rendin dhe ligjin. Udhëheqësit e Kosovës kanë filluar për së mbari në deklaratën e tyre të pavarësisë. Në atë dokument thelbësor, Kosova ka marrë përsipër zotime të mëdha dhe serioze, duke përfshirë këtu edhe premtime për të arritur standardet më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët e të gjitha prejardhjeve etnike. Sikur që ka thënë Presidenti Bush, “këto janë parimet që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera në bazë të të cilave Amerika kërkon miq”.

Parimet e demokracisë dhe shumëkombësisë duhet të zbatohen edhe në praktikë. Ne nuk mund të presim nga Kosova ta arrijë këtë pa mbështetje dhe udhëzime. Prandaj, e kemi mirëpritur ftesën që Kosova ia ka drejtuar entiteteve dhe organizatave ndërkombëtare për të mbikëqyrur zbatimin e planit të Ahtisaarit dhe për ta ndihmuar Kosovën që t'i përmbushë këto parime.

Me pajtimin e saj të plotë, Kosova do të jetë e “mbikëqyrur” për një periudhë nga Zyra Civile Ndërkombëtare. Kjo, para së gjithash, do të jetë përgjegjësi evropiane, por me pjesëmarrje të fuqishme amerikane. Në fund të shkurtit u themelua edhe Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, në krye të të cilit është emëruar Peter Feith. Në këtë cilësi, zoti Feith do të ketë pushtet të caktuar ekzekutiv për të siguruar zbatimin e plotë të planit të Ahtisaarit.

Përveç mbrojtjes së të drejtave për pakicat kombëtare dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare, plani i Ahtisaarit gjithashtu promovon: a) zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, privatizimin, kompensimin, menaxhimin e borxheve; b) krijimin e një sektori të sigurisë që është demokratik, profesional dhe shumëkombësh. Përfaqësuesi Ndërkombëtar ka autoritetin për të mbikëqyrur zbatimin e të gjitha aspekteve të Planit. Ai mund të shfuqizojë ligje dhe rregullore dhe të sanksionojë apo shkarkojë zyrtarë, nëse është e nevojshme.

Zëvendësi i tij do të jetë një zyrtar i lartë i shërbimit të jashtëm amerikan dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të ofrojnë edhe disa pjesë të personelit nga Departamenti i Shtetit. Shtetet e Bashkuara do të mbulojnë 25 për qind të çmimit të Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian gjithashtu do të vendosë edhe një mision për rendin dhe ligjin, me emrin “EULEX”, me rreth 1900 anëtarë ndërkombëtarë dhe 1100 vendorë. Ky mision disavjeçar do të jetë më i madhi, të cilin BE-ja e ka ndërmarrë ndonjëherë. Në këtë mision hyn edhe përkrahja dhe trajnimi për policinë dhe sistemin gjyqësor në Kosovë. Administrata ka bërë një zotim politik për të marrë pjesë në këtë mision. Bashkimi Evropian do të paguajë 190 milionë euro në vit për operacionalizimin e këtij misioni dhe shpenzimet tjera për personel shtesë.

NATO-ja, nëpërmjet KFOR-it, ka vazhduar të ofrojë siguri në terren. Mbetet e autorizuar të veprojë në Kosovë përderisa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mbetet në fuqi. Presim që NATO-ja gjithashtu të luajë një rol kyç në themelimin e Forcës së Sigurisë në Kosovë dhe një agjenci civile, e cila do ta mbikëqyrë atë. Kosova është e etshme për të kontribuuar në NATO, organizatën e cila intervenoi për të shpëtuar popullin e Kosovës në orët më të errëta.

Këto tri institucione: ICO (Zyra Civile Ndërkombëtare), EULEX dhe KFOR do ta ndihmojnë Kosovën të ecë në drejtimin e duhur, drejt Evropës dhe larg ciklit të diktaturës, nacionalizmit dhe luftërave në Ballkan.

A është Kosova e qëndrueshme? Mund të mos jetë një shtet i fuqishëm tani, por me ndihmën tonë dhe mbështetjen e institucioneve monetare, Kosova do të jetë e qëndrueshme. Ajo ka rezerva masive të linjtit të thëngjillit. Ka një popullatë të re dhe të motivuar, e gatshme për t’iu bashkuar familjes evropiane. Të ardhurat për kokë banori dhe mbledhja e tatimeve këtë vit kanë tejkaluar madje edhe pritjet e ministrive në Kosovë, por edhe të llogaritjeve të komunitetit ndërkombëtar. Na duhet, megjithatë, të përqendrohemi tek burimet ndërkombëtare, për të krijuar potencial ekonomik për njerëzit industrialë në Kosovë.

Për ta bërë këtë, Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në një konferencë donatorësh këtë verë. Edhe pse Evropa do të kontribuojë me pjesën më të madhe për ndihmën në Kosovë, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë do të luajnë një rol të rëndësishëm për ta zhvendosur Kosovën nga stagnimi ekonomik i dekadave të fundit.

Ne presim që BE-ja dhe disa vende anëtare të ofrojnë rreth 50 për qind të ndihmës, e cila Kosovës i nevojitet në tre deri në pesë vjetët e ardhshme.

Kosova gjithashtu do të ketë nevojë për një përkrahje të gjerë në themelimin e institucioneve të gatshme për qeverisje të mirë. Fatmirësisht, e dimë se si t'i ndihmojmë vendet post-komuniste, të cilat zgjodhën rrugën e reformimit. Kemi mësuar që prej vitit 1989 si ta bëjmë këtë më së miri. Shumica e vendeve të Evropës Qendrore që kanë dalë nga dominimi sovjetik më 1989, tani kanë arritur shumë me ndihmën tonë. Kosova do të jetë vetë përgjegjëse për të ardhmen e saj, por SHBA-të dhe Evropa do të jenë në terren për ta ndihmuar atë në mënyrën që e përshkrova.

E përmenda më herët Serbinë dhe rolin që ka luajtur në procesin e Kosovës. Tani dua të ndalem pak mbi këtë çështje dhe të flas për Rusinë.

Nuk ia duam të keqen Serbisë. Përkundrazi. Disa prej nesh, sikurse që jam edhe vetë, kemi shërbyer atje dhe flasim serbisht. Serbia është një vend i madh, i cili na qëndroi pranë në të dyja luftërat botërore. Serbia mund të ketë një të ardhme të ndritur si pjesë e një Evrope të pandashme. Evropa e ka bërë të qartë se do ta mirëpresë Serbinë.

Tani, Serbia përballet me dy zgjidhje: të ecë përpara drejt Evropës apo të vetizolohet. Autoritetet në Serbi mund të mos pajtohen me vendimin e komunitetit ndërkombëtar për Kosovën, por ato duhet të zbatojnë një lidership tash e tutje. Ata nuk duhet t’ia lejojnë vetes që të zihen nga cikli i urrejtjes dhe dhunës, i cili na kthen në dekadën e kaluar.

Serbia ka çdo të drejtë dhe në fakt çdo mundësi për të marrë pjesë nëpërmjet provizioneve të planit të Ahtisaarit, për të ofruar mirëqenie të serbëve në Kosovë. Por, për t’i gëzuar këto të drejta, duhet lënë anash politikat e shkatërrimit dhe pengimit.

Serbia mundet, nëse bën zgjedhjen e duhur, të shikojë përpara ditën kur Kosova dhe Serbia ta gjejnë veten bashkërisht në Bashkimin Evropian. BE-ja ka qenë institucioni nëpërmjet të cilit janë zgjidhur konfliktet më kryeneçe kombëtare në Evropë dhe kjo mund të vlejë edhe për Serbinë. Është zgjedhje e Serbisë.

Më lejoni ta diskutoj edhe rolin e Rusisë në këtë çështje. Kundërshtimi i Rusisë mbi pavarësinë e Kosovës nën planin e Ahtisaarit është i ditur për të gjithë. Por, më pak i njohur është fakti se Rusia ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit dhe ka qenë intimisht e angazhuar në procesin Ahtisaari, duke përfshirë këtu edhe planin për të ofruar mbrojtje për serbët në Kosovë dhe objektet e tyre fetare. Kontributi i Rusisë ishte i çmueshëm dhe na vjen keq pse Rusia nuk ishte në gjendje të mbështesë një rezolutë kompromisi në Këshillin e Sigurimit, verën e kaluar.

Ne duhet të shohim përpara. Shpresoj se Rusia do të luajë një rol të përgjegjshëm drejt Kosovës, përkundër kundërshtimeve mbi pavarësinë e saj. Përderisa kemi mosmarrëveshje me Rusinë mbi Kosovën, padyshim mund të pajtohemi se dhuna dhe jostabiliteti nuk e ndihmojnë askënd. Prandaj, e ftojmë Rusinë, që në mënyrë eksplicite, të bëjë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi, në atë mënyrë që të jetë e dëgjueshme dhe e qartë edhe për Serbinë, për serbët në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Shpresojmë, shkurtimisht, që të përmbajmë mospajtimin tonë me Rusinë rreth Kosovës dhe shpresojmë që Rusia të bashkëpunojë me ne për të ndihmuar në ndërtimin e stabilitetit në rajon. Do të jemi shumë më mirë të bashkëpunojmë me Rusinë se të mos bashkëpunojmë.
Në fund, dua t’i adresoj shqetësimet e ngritura nga disa, se pavarësia për Kosovën mund të jetë presedan për konfliktet tjera në botë.

Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, Kosova nuk përbën kurrfarë presedani. Situata në Kosovë është e përbërë nga faktorë që thjesht nuk mund të gjenden askund tjetër. Këtu hyn zhbërja e dhunshme dhe jokonsensuale e Jugosllavisë; spastrimi etnik që shoqëroi kolapsin e Jugosllavisë; krimet brutale kundër civilëve në Kosovë dhe dëbimi i tyre i dhunshëm; vendimi i Këshillit të Sigurimit më 1999 për të hequr pa asnjë dyshim qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën; themelimi i administratës së Kombeve të Bashkuara dhe procesi politik, i paraparë me Rezolutën 1244, për të përcaktuar statusin final. Sërish, këta faktorë nuk gjenden gjëkundi. Qeveritë e huaja që pohojnë se janë të shqetësuara për presedanin, duhet të përmbahen ta trajtojnë si të tillë. Qeveritë dhe separatistët duhet të përmbahen nga synimet që ta rrëmbejnë Kosovën për motivet dhe interesat e tyre të fshehta. Çdo konflikt në Euroazi do të trajtohet në mënyrë dhe në rrethana të veçanta dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerët në rajon, për të kërkuar zgjidhje paqësore të këtyre konflikteve separatiste.

Përkundër të gjithave, mundësia ekziston që disa do të zgjedhin të eksploatojnë zhvillimet në Kosovë. Në veçanti, u bëjmë thirrje liderëve në Bosnjë e Hercegovinë që të mbajnë në mend se e ardhmja e vendit të tyre është me Evropën dhe se barrierat e vetme midis tyre dhe ardhmërisë së ndritshme janë ata që duan ta shkatërrojnë vetveten. Përderisa struktura kushtetuese e Bosnjës është komplekse dhe kërkon përmirësime, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë janë të qartë: ne përkrahim përmirësimin e aranzhimeve nga Daytoni nëpërmjet negociatave dhe konsensusit, jo nëpërmjet ultimatumeve. Dhe, ne nuk i përkrahim dhe nuk do t’i përkrahim thirrjet radikale për të shfuqizuar marrëveshjen e Daytonit apo integritetin e Bosnjë e Hercegovinës. Jemi të gatshëm të punojmë në bashkëpunim me liderët e Federatës Boshnjako-Kroate dhe Republikës Serbe mbi këtë bazë dhe këtë e kemi bërë të qartë.

Gjithashtu kemi punuar ngushtë edhe me liderët e vendeve tjera në rajon, Maqedoninë dhe Malin e Zi veçanërisht dhe besojmë se pavarësia e Kosovës nuk paraqet ndonjë problem thelbësor për ta.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë kanë bërë gjithçka çka ka qenë në pushtetin e tyre për të arritur deri tek një zgjidhje e qëndrueshme për mozaikun e Kosovës. E kemi bërë këtë në mënyrë legjitime dhe morale, duke çuar përpara vlerat e komunitetit euroatlantik. Kolapsi i Jugosllavisë, një tragjedi e përmasave të mëdha në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, i ka prezantuar shpesh Amerikës dhe Evropës zgjidhje të vështira. Në këtë vlim kompleks nacionalizmi, konflikti dhe mosbesimi, çdo veprim – përfshirë këtu edhe vendimin për të mos vepruar – ka sjellë rreziqe dhe pasoja. Në Kosovë, sikurse edhe në raport me problemet tjera, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë pasur përpara zgjidhjen pa rreziqe. Mund t’ju them, pa ekuivokë, se rruga që kemi marrë është rruga e duhur.
XS
SM
MD
LG