Ndërlidhjet

Rice: Kosova është rast i veçantë


Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice ka deklaruar se nuk ka gjasë që Osetia Jugore të fitojë mbështetjen ndërkombëtare për pavarësi.

"Kjo nuk do të ndodhë", tha Rice, e cila sot merr pjesë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

"Ne kemi qenë shumë të qartë se Kosova është një rast i veçantë për shkak të rrethanave speciale, nga të cilat u bë shpërbërja e ish Jugosllavisë", tha Rice.

Rajoni pro-rus në Kaukaz, Osetia Jugore, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta njohë pavarësinë e saj nga Gjeorgjia, me arsyetimin se Perëndimi ka njohur edhe pavarësinë e Kosovës.

Synime të ngjashme sot shprehu edhe rajoni i Abkhazisë në Gjeorgji.

Guram Gumba, kryetar i Komitetit për marrëdhënie të Jashtme tha se parlamenti i Abkhazisë të premten në 7 mars do të miratojë një rezolutë, me të cilën "do t'i kërkojë botës që ta njohë pavarësinë dhe të vendosë marrëdhënie zyrtare".
XS
SM
MD
LG