Ndërlidhjet

Casey: Priten edhe njohje të tjera për Kosovën


Tom Casey
Tom Casey

Do të ketë edhe njohje të tjera të shtetit të Kosovës, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tom Casey. Sipas tij, NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë derisa institucionet kosovare të jenë të afta për siguri.


Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që deri tash shumë vende në botë, përfshirë edhe shumë anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tom Casey.

Sipas tij, priten edhe shumë njohje nga shtetet tjera. Në konferencën për gazetarë, mbrëmë, në Uashington, ai më tutje tha se Shtetet e Bashkuara, BE-ja, NATO-ja dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare me vite kanë punuar në gjetjen e zgjidhjes për statusin final të Kosovës, që "tash ka ndodhur".

"Njëra prej çështjeve, të cilën e konsiderojmë se është e rëndësishme, është vazhdimi i angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare jo vetëm në ruajtjen e sigurisë në Kosovë, që do të thotë vazhdim i pranisë së NATO-s, por edhe në ndihmën për popullin dhe Qeverinë e Kosovës në procesin e zhvillimit ekonomik", tha zoti Casey.

Ai më tutje theksoi se forcat amerikane janë të vendosura në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe përkujtoi se është obligim i bashkësisë ndërkombëtare, e para se gjithash i OKB-së dhe NATO-s, që të sjellë mbrojtje dhe siguri në Kosovë.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tom Casey, tha se planifikohet që NATO-ja do të mbetet në Kosovë derisa institucionet e Kosovës të jenë të afta për siguri.
XS
SM
MD
LG