Ndërlidhjet

Njohja nga Sllovenia-shembull që do ndiqet nga rajoni


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Njohja e shtetit të Kosovës nga Sllovenia është vlerësuar nga liderët e Republikës së Kosovës si fillimi i njohjeve nga vendet e rajonit, përkatësisht të ish-Jugosllavisë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë pritur shefin e Zyrës sllovene, Vojko Volk, i cili zyrtarisht i ka njoftuar për vendimin e Parlamentit slloven për njohjen e Kosovës.


Liderët kosovarë shpresojnë se shembullin e Sllovenisë do ta ndjekin shumë shpejt edhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë.

Parlamenti slloven mbrëmë ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës, përderisa shefi i Zyrës sllovene në Prishtinë, Vojko Volk, ka thënë se Sllovenia ka njohur realitetin e krijuar në terren, edhe pse një gjë të tillë simbolikisht e kishte bërë edhe para 20 vjetësh.

Presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar si një rrjedhë të natyrshme vendimin e Parlamentit slloven.

“Ne shprehim edhe njëherë admirimin tonë (për shtetin slloven), për qasjet që ka pasur në gjithë proceset, edhe të vështira, për të qenë shumë e guximshme në deklarimet dhe mbështetjet e saj, duke përfshirë edhe kohën e konflikteve të përgjakta, por edhe në periudhat e mëvonshme. Sllovenia është një model jashtëzakonisht i mirë për ne, që të mbështetemi në rrugën e mëtejme të integrimeve dhe besojmë se do të vazhdojmë këtë partneritet të mirë që e kemi në të gjitha fushat”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se vendimi i Sllovenisë hap rrugën që edhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë ta njohin shtetin e Kosovës.

“Nuk ka ngecje; përkundrazi ka një përkrahje shumë të fuqishme. Kemi fillimin e njohjes nga vendet e ish-Jugosllavisë, do të thotë nga Sllovenia; në vazhdim do të kemi njohje nga Kroacia dhe kemi përkrahjen e vendeve tjera. Është aspekt procedural i vendeve përkatëse, që duhet respektuar patjetër për njohjen e Kosovës”, tha Thaçi.

Shefi i Zyrës së Sllovenisë në Prishtinë, Vojko Volk, ka thënë se ky është një moment thelbësor në marrëdhëniet midis Sllovenisë dhe Kosovës.

“Sot, ne njohëm realitetin që është këtu dhe nesër do të dëshmonim që vizioni për të cilin Sllovenia po punon, të realizohet”, tha Volk, duke shfaqur dëshirën që të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë të takohen në Bashkimin Evropian.

“Ky është plani ynë, kjo është strategjia jonë kundrejt Ballkanit. T’i sjellim të gjitha kombet e ish-Jugosllavisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Volk.

Ndryshe, liderët e Kosovës kanë thënë sot se debatet mbi demarkacionin e kufirit me Maqedoninë nuk do ta pengojnë këtë shtet që ta njohë shpejt shtetin e Kosovës dhe kanë hedhur poshtë pohimet se njohja nga vendi fqinj mund të ngecë dhe të komplikohet.

Kryeministri Thaçi ka konfirmuar se ka marrë garanci nga krerët e shtetit maqedonas, se njohja do të ndodhë shpejt.

“Nuk ka ndonjë qasje dalluese të Shkupit nga Uashingtoni, apo Bashkimi Evropian. Natyrisht ne duhet t’i respektojmë procedurat që duhet t’i kalojë Shkupi”, tha Thaçi.

Sllovenia është e para nga vendet e ish-Jugosllavisë që ka njohur Kosovën. Liderët kosovarë kanë pohuar se Kroacia mund ta njohë Kosovën brenda këtij muaji.

Kryeministri Thaçi, ndërkaq, ka pohuar se njohja e shtetit të pavarur të Kosovës do të ndodhë edhe nga vetë Serbia, pas, siç ka thënë ai, ndryshimeve dhe rrethanave që janë duke i kaluar si institucione dhe si popull, meqë ky, sipas tij, është një proces i pakthyeshëm.

XS
SM
MD
LG