Ndërlidhjet

logo-print

Konfuzion rreth bartjes së kompetencave


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Profesorë të së drejtës ndërkombëtare në Prishtinë thonë se institucionet e Kosovës kanë hyrë në një fazë të konfuzionit, sa i përket bartjes së kompetencave. Ata thonë se kjo çështje nuk do të ishte dashur t’i dëmtojë institucionet kosovare, pasi që, sipas tyre, Republika e Kosovës i ka qëllimet e veta.


Çështja e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u te institucionet kosovare ka hyrë në një fazë konfuzioni, thonë profesorë të së drejtës ndërkombëtare.

Ata vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që të dëmtohet nga bartja e kompetencave dhe nga ndryshimet e misioneve ndërkombëtare.

Iliriana Islami, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thonë se Qeveria e Republikës së Kosovës i ka objektivat e veta dhe nuk do të duhej të ketë çështje të paqarta në ketë drejtim.

“Qeveria duhet t’i ketë qysh në fillim objektivat e reja dhe të veta për krijimin e shtetit të ri. Prandaj, duke u nisur nga objektivat e saj, bashkësia ndërkombëtare do të jetë në fazë që ta ndihmojë apo përshpejtojë në proces të caktuar. Nuk mund të jetë bashkësia ndërkombëtare ajo që e pengon procesin, për shkak që vendimmarrja qëndron në anën e qeverisë sonë. Në qoftë se kemi të bëjmë me një vendimmarrje nga ana e qeverisë, ajo sigurisht duhet t’i ketë të qarta objektivat edhe synimet ku duhet t’i shpijnë ato. Prandaj, kjo do të jetë një mënyre e konsultimeve, monitorimeve, për të arritur në fazë të caktuar të procesit”, thotë zonja Islami.

Problem tjetër, sipas zonjës Islami, tani është mosqartësimi i transferimit të kompetencave, nëse ato do të barten nga ndërkombëtarët tek vendorët apo sërish tek ndërkombëtarët.

“Tash shtrohet çështja se a do të jetë kontratë e re në mes të qeverisë apo kemi të bëjmë me një transferim nga bashkësia ndërkombëtare përsëri në bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, këto çështje ende nuk janë të qarta për qeverinë tonë. Mirëpo, besoj se brenda kësaj faze transitore, faktikisht edhe do të qartësohet se në çfarë masash do të jetë roli i EULEX-it në qeverinë tonë, a kemi të bëjmë me një lloj bashkëqeverisjeje në një pjesë të caktuar, apo kemi të bëjmë ekskluzivisht me monitorim”, tha Islami.

Nga ana tjetër, edhe Bekim Sejdiu, profesor i së drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Prishtinës, thotë se kjo çështje do të pasqyrohet negativisht në punën e Qeverisë së Kosovës dhe në punën e misionit të ri ndërkombëtar, EULEX-it.

Sipas tij, kjo situatë ka ardhur si pasojë e, siç thotë ai, moszgjidhjes së statusit të Kosovës me një rezolutë të dalë nga OKB-ja.

“Një prej pengesave ka të bëjë me faktin se do të vështirësohet bartja e kompetencave tek institucionet e Kosovës, të kompetencave që lidhen me pushtetin sovran. Pengesa të tjera do të dalin në ndërlidhje me mbikëqyrjen e këtij sovraniteti nga bashkësia ndërkombëtare dhe tash do të ketë njëfarë mbikëqyrjeje të paktën për këtë fazë, derisa nuk sqarohet raporti në mes të UNMIK-ut dhe prezencës së re ndërkombëtare në Kosovë. Do të ketë konfuzion në bazë të asaj se kush duhet t’i mbikëqyrë institucionet e Kosovës dhe kush duhet t’i ushtrojë ato kompetenca”, u shpreh Bekim Sejdiu.

Ai tha se problemet më të mëdha në këtë kohë mund të jenë në ngadalësimin e punës së Qeverisë së Kosovës.

“Në radhë të parë, një pjesë e madhe e energjisë tani mund të konsumohet në qoftë se faktori ndërkombëtar dhe faktori vendor e diskutojnë këtë çështje. Do të thotë, çështjen se kush është kompetent dhe çka do të ndodhë dhe çka thotë faktori ndërkombëtar. Kjo do të konsumojë një pjesë të madhe të energjisë. Ndërsa me ndërlidhjen e faktorit vendor, do të ketë ngadalësim ose mund të ketë. Shpresojmë të mos ketë ngadalësim të madh të transferimit të kompetencave tek institucionet vendore”, tha Bekim Sejdiu.

Ditëve të fundit janë krijuar dilema rreth fillimit të fazës së tranzicionit; me këtë rast kanë dalë në shesh qëndrime të ndryshme ndërmjet institucioneve të Kosovës, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Për Qeverinë e Kosovës, faza e tranzicionit ka filluar që nga 17 shkurti, dita kur është shpallur pavarësia e Kosovës; për Bashkimin Evropian më 28 shkurt, ndërsa për Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk ka nisur ende.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG