Ndërlidhjet

Rikthimi i Hillari Klintonit

  • Heather Maher

Senatorët Hillari Klinton dhe Barak Obama

Senatorët Hillari Klinton dhe Barak Obama

"Klintoni është kthyer në jetë", tha një nga gazetarët televiziv amerikanë pas fitores së saj në garën presidenciale brenda demokratëve në shtetin e Ohajos.

Në të vërtetë rikthimi i saj në garë ishte i jashtëzakonshëm pas 11 humbjeve rradhazi. Gruaja që dukej e pathyeshme gjashtë muaj më parë tani po zhvillonte betejën për mbijetesën e saj politike. Shtypi i kishte bërë gati shkrimet lamtumirëse për largimin e Hillari Klintonit nga fushata presidenciale.

Por ndryshe mendonte vetë Klintoni.
"Rrugën e Ohajos e ndjek gjithë kombi. Ky komb është kthyer e bashkë me të dhe fushata. Populli i Ohajos e tha me zë të lartë dhe qartë: Ne po vazhdojmë dhe do të vazhdojmë deri në fund", tha Klintoni pas fitores, para mbështetësve të saj në Ohajo.
Duket se duke qenë buzë greminës ajo nuk u rrëzua dhe ky moment të kujton ecurinë e fushatës zgjedhore të bashkëshortit të saj Bill Klinton në vitin 1992.

Instikti luftarak për mbijetesën politike është karakteristikë e të dy Klintonëve, thotë Pol Bek nga Universiteti i Ohajos.
"Ata mund të pësojnë goditje dhe kthehen për të luftuar ditën tjetër. Kjo padyshim ishte karakteristikë e Billit dhe Hillari përdori gjuhën e tij pas fitores në Ohajo. Edhe ajo është fëmija që rikthehet, siç e quajtën dikur Bill Klintonin."

Fakti se Hillari Klinton arriti të kthehej është një temë që intrigon shumë nga mbështetësit e demokratëve dhe rrethet brenda partisë. Natyrisht nuk mungojnë edhe zërat pro e kundër.
Ka nga ata që humbjet e Klintonit i lidhin me faktin se askush nuk ka pritur që Obama të shkonte kaq larg e të krijonte atë që tani quhet "Fenomeni Obama".

"Kush e ka ditur se ai do arrinte deri këtu? Është e pabesueshme", thotë Bob Hakfeld nga Universiteti i Kalifornisë. Hakfeld merret me studimin e sjelljeve të votuesve. Ai e quan Hillari Klintonin si udhëheqëse të shkëlqyer të politikave, por kandidate të dobët.
"Ajo ka pasur vështirësi për të artikuluar kandidaturën e saj para votuesve. Disa janë kandidatë me të mirë se të tjerët. Dhe të jesh kandidat i mirë ka të bëjë me disa cilësi që një president duhet t'i ketë", thotë Hakfeld.

Hillari Klinton punoi si asnjëherë më parë në Ohajo para votomit të së martës që shkoi. Ajo shfaqej në disa ngjarje parazgjedhore brenda një dite. Ohajo njihet si një nga shtetet më të goditura nga kriza ekonomike. 80% e votuesve thanë se ekonomia përbënte shqetësimin e tyre kryesor.

Pol Bek nga Universiteti i Ohajos thotë se Klinton i dha votuesve mesazhet që ishin të interesuar të dëgjonin.
"Ajo foli për veten si luftëtare, si dikush që do të luftonte për atë shtresë të mesme punëtorësh që kanë pasur vite të vështira së fundi. Dhe votuesit në Ohajo kishin nevojë për dikë që lufton për problemet e tyre", thotë Bek.

Por megjithë fitoret e kësaj jave në tre shtete Klintoni është pas Obamës sa i përket numrit të përgjithshëm të delegatëve. Hillari Klinton ka aktualisht 1447 delegatë përballë 1542 delegatëve që ka Obama.

Beteja vazhdon.
XS
SM
MD
LG