Ndërlidhjet

Holbrooke: “S’do ketë luftë të ftohtë për shkak të Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Mos të ishte 7 marsi, s’i bie në mend njeriu për mësuesin. I shkreti arsimtar i Kosovës punon gjithë muajin për një rrogë, që... rrogë i thënçin. Në UNMIK, edhe pastruesja paguhet nja dy herë më shumë. Me më pak se 200 euro, njerëzit që na edukojnë fëmijët, duhet të sforcohen për të mbajtur familjen, për të paguar faturat e fund-muajit... Mësuesi kosovar, duhet ta themi, ishte gjithnjë produkt i harresës qeveritare, neglizhencës institucionale, u la në mëshirë të fatit dhe kush s’u interesua për të prej kohësh. Deri dje as grevat s’pinin ujë. Kishim statusin e pazgjidhur, por, sot, e kemi shtetin... Kjo ditë e mësuesit shënoftë një ndërgjegjësim për ata që vendosin, politikanët, deputetë apo ministra. Një popull i pashkolluar mirë, s’na shpie gjëkundi...

LAJM
Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. As qeveria nuk ka ide si mund të ndryshojë këtë gjendje. Madje, as që e ka pasur të qartë pse ka shpallur gjendjen e krizës nacionale dhe çfarë efektesh do të arrinte me të. Duket se kjo gjendje më shumë ka nxitur krizë në raportet ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe KEK-ut, si dhe një polemikë me fjalë mjaft të ashpra. Asnjë efekt tjetër – reduktimet vazhdojnë, në kohën kur flitet se duhet të nisë zhvillimi i hovshëm ekonomik. Sektori i energjetikës në Kosovë ndodhet përballë një kaosi. Për mungesën e energjisë elektrike fajësohen menaxherët dhe punëtorët e KEK-ut. Madje, janë quajtur edhe sabotues të Qeverisë së re të udhëhequr nga Hashim Thaçi...

EXPRESS
Ish i dërguari amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, ka deklaruar se nuk do të kthehet Lufta e Ftohtë për shkak të Kosovës dhe se pavarësia e saj nuk do të krijojë precedent për vendet tjera të botës që kërkojnë pavarësinë. Në një intervistë për gazetën ruse “Nezavisimaja gazeta”, Holbrooke tha se kundërshtimet në mes të SHBA-ve dhe Rusisë rreth çështjes së Kosovës do të ishin shmangur nëse Qeveria amerikane do të kishte zhvilluar “dialog të gjatë” me Moskën, ndërsa Rusia të ketë futur më pak tensione në zgjidhjen e kësaj çështjeje...

NACIONAL

Kryetari i Republikës, Fatmir Sejdiu, kundërshtoi të enjten mundësinë e komplikimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, për faktin se kjo e fundit po kushtëzon njohjen e pavarësisë së vendit me demarkacionin e kufirit. Kryetari kosovar tha se në asnjë mënyrë nuk do të komplikohen marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, për sa i përket çështjes së përcaktimit të vijës kufitare. Sejdiu tha se këto janë procese normale që do të zhvillohen në bazë të planit të Ahtisaarit. “Kosova është shumë e gatshme që të hyjë në procese të bashkëpunimit edhe me bashkësinë ndërkombëtare, për të bërë atë çështje që ne e kemi quajtur teknikë të përfunduar dhe kjo do të ndodhë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Sejdiu...

KOHA DITORE
Serbët e Graçanicës kanë paralajmëruar të enjten për forma më radikale të protestës, duke filluar nga java e ardhshme, nëse kreu i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, nuk i përmbush kërkesat e tyre. “Pas së dielës do të protestojmë në formë më radikale”, ka paralajmëruar Goran Arsiq, kryeshef i “rrethit të Kosovës”. Rreth 200 serbë të tubuar në qendër të Graçanicës, kot pritën që në protestën e tyre të radhës, të mbajtur të enjten, t’u drejtohej shefi i UNMIK-ut, Reucker. Në mesin e protestuesve ishte përhapur lajmi se shefi i UNMIK-ut do të takohej me ta për t’i dëgjuar kërkesat e tyre...

INFOPRESS

Dita e dytë e manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, ka tubuar në Prekaz krerët më të lartë të institucioneve dhe partive politike të Kosovës, të cilët krahas mijëra qytetarëve të tjerë, kanë bërë homazhe dhe kanë vërë kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Prekaz... Kryetari i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se familja Jashari është një simbolikë e veçantë e përkushtimit dhe sakrificës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Është lavdi e përhershme e gjithë këtyre njerëzve, komandantit legjendar dhe gjithë njerëzve të tjerë që kanë dhënë veten për Kosovën”, ka thënë Sejdiu...

BOTA SOT
Qeveria e Gjermanisë ka vendosur për dërgimin e 180 policëve në kuadër të misionit të BE-së EULEX, në Kosovë. Kështu është vendosur nga Parlamenti gjerman. Misioni EULEX do të ketë rreth 2000 pjesëtarë, 1400 prej të cilëve do të jenë policë, ndërsa pjesa tjetër prokurorë dhe oficerë doganash, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Urlih Uilhem. “Mbështetja ndaj Kosovës është ndihmesë e rëndësishme në plotësimin e qëllimit prioritar të BE-së, afrimin e Kosovës dhe vendeve fqinje në strukturat evropiane”, ka thënë Uilhem...

ZËRI
Burime të “Zërit” nga Lidhja Demokratike e Kosovës bëjnë të ditur se, sipas të gjitha gjasave, gjatë këtij muaji do të ketë lëvizje brenda Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës. Sipas paralajmërimeve nga këto burime, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, do të marrë postin e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, detyrë kjo të cilën tani për tani e mban nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu. Sipas një burimi të “Zërit” nga Kryesia e LDK-së, ky ndërrim i pozicioneve do të bëhet për shkak se nënkryetari Eqrem Kryeziu është i ngarkuar edhe me detyrën e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja,...

EPOKA E RE
Rusia i bën thirrje NATO-s që mos t’i shkelë përgjegjësitë e saj në Kosovë dhe që të mos jetë në anën e shqiptarëve të Kosovës, ka deklaruar të enjten përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Dimitrij Rogozin. “Ne, praktikisht, çdo ditë, bisedojmë për këtë që NATO nuk guxon ta thyejë mandatin e vet, të mos dalë jashtë kornizave të përcaktuara në OKB”, ka thënë Rogozin për kanalin rus “Vesti 24”. Sipas tij, Rusia po ashtu angazhohet për atë që forcat e Aleancës “mos të angazhohen në anën e shqiptarëve të Kosovës”...
XS
SM
MD
LG