Ndërlidhjet

Fried hedh poshtë ndarjen e Kosovës


Daniel Fried

Daniel Fried

Pas pavarësisë, sfidë për Kosovën tani do të jetë ndërtimi i një shteti të bazuar në sundimin e ligjit, ka thënë, në Prishtinë, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried. Ai ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës, por ka shtuar se integrimi i serbëve do të marrë pak kohë.


Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Daniel Fried, u bë zyrtari i parë i lartë amerikan që vizitoi Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.

“Është nder dhe kënaqësi të jem në shtetin më të ri evropian dhe demokracinë më të re botërore, në Republikën e Kosovës. Kosova tanimë e ka pavarësinë e vet dhe pas gjithë këtyre viteve, lajmi i mirë është se ju jeni sërish këtu, ndërsa sfidë mbetet ndërtimi i një shteti për të cilin shumë kosovarë kanë luftuar”, ka deklaruar zoti Fried pas takimit që pati me presidentin Fatmir Sejdiu.

Ai ka thënë se kosovarët tani duhet të punojnë për ndërtimin e një shteti të bazuar në sundimin e ligjit, të një shteti që do të zhvillojë ekonominë, por edhe të një shteti që do të ecë drejt së ardhmes si një komb evropian.

Zoti Fried ka pohuar se problem dhe sfidë do të mbetet pjesa veriore e Kosovës dhe mosintegrimi i komunitetit serb. Por, ai ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike çdo lloj ndarjeje të Kosovës.

“Ne nuk besojmë në ndarje. Në fund të fundit, sa më shumë që mendoni për të, aq më pak merr kuptim. Më shumë se gjysma e popullatës serbe jeton në jug të lumit Ibër. Rusia e ka kundërshtuar ndarjen si pjesë e Grupit të Kontaktit. Prandaj, këto janë fjalë, por jo realitet. Natyrisht se ka probleme në veri dhe ata duhet të zgjidhen dhe do të marrin kohë, por nuk do të fokusohesha në fjalët e ambasadorit Curkin apo të tjerëve; do të fokusohesha në realitetin, të cilin po e ndërton Kosova, institucionet në kombin e pavarur; pavarësia është fakt, ky është realiteti, historia do të ecë përpara”, tha Fried, duke u përgjigjur pyetjeve rreth mundësisë së ndarjes.

Fried ka thënë se institucionet e Kosovës i janë përgjigjur me maturi provokimeve të serbëve pas shpalljes së pavarësisë.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit u ka thënë kosovarëve se nuk duhet marrë shumë me faktin se një pjesë e UNMIK-ut do të mbetet në Kosovë, pavarësisht arritjes së misionit të BE-së.

“Do të ketë një fazë tranzitore përderisa misioni i BE-së të vendoset. Një pjesë e UNMIK-ut do të mbetet në koordinim edhe me zyrat e tjera, siç është ajo e BE-së; do të kryhen detyrat dhe obligimet e secilës, ndërsa si forcë do të mbetet KFOR-i. Sidoqoftë, për kosovarët, gjëja kryesore është se ata janë të pavarur dhe institucionet e tyre do të funksionojnë”, tha Fried.

Diplomati i lartë amerikan e ka konsideruar si një gjë jo të një rëndësie të madhe çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“Kjo çështje do të zgjidhet dhe nuk është diçka që duhet shqetësuar. Besoj se Qeveria e Kosovës është relaksuar për këtë çështje dhe Maqedonia e Kosova do të punojnë për këtë në mënyrën e duhur”, tha Fried.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë kanë shprehur falënderimin për Shtetet e Bashkuara, duke premtuar se Kosova do të mbetet përgjithmonë shtet mik i Amerikës. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Kosova ka arritur pavarësinë falë ndihmës së madhe të shtetit amerikan.

“Natyrisht, falë kësaj ndihme të veçantë të SHBA-ve dhe të aleatëve të BE-së, kemi këtë realizim praktik, kemi pavarësinë e Kosovës; të ecim në vizionin tonë të ndërtimit të demokracisë, të shtetit funksional, të shtetit të të gjithë qytetarëve, që do të japë garanci të fuqishme dhe të zbatimit praktik të projektit të Ahtisaarit për komunitetet pakicë”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi, i cili i ka dhuruar flamurin kosovar zotit Fried, e ka siguruar atë se institucionet e Kosovës do të punojnë në ndërtimin e një shteti funksional, i cili do të krijojë fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

“Si shtet i ri, Kosova do të jetë shpejt edhe pjesë e familjes evropiane, e familjes euroatlantike, por gjithmonë mik i përjetshëm i SHBA-ve”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndryshe, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit ka konfirmuar sot ndihmën e SHBA-ve për Kosovën edhe në të ardhmen. Ai ka thënë se ndihma për Kosovën, që do të dalë nga Konferenca e donatorëve, do të jetë efikase, nëse Kosova ndërton institucione funksionale.

XS
SM
MD
LG