Ndërlidhjet

"Fund strukturave paralele"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Dita e Flamurit kombëtar shqiptar, 28 Nëntori, edhe pse është propozuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë festë zyrtare e shtetit, është kontestuar nga ndërkombëtarët dhe shkaku i saj projektligji për festat zyrtare ende ka mbetur nën llupë. Më 3 tetor të vitit të kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Agim Çeku e miratoi në parim këtë projektligj, që përveç festës së 28 Nëntorit, parashihte edhe festat tjera, si ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës...festat fetare. Por, frika nga reagimet serbe ka bërë që Zyra Civile Ndërkombëtare t’i rekomandojë Qeverisë që këtë projektligj ta miratojë në parim, por të mos e procedojë në Kuvendin e Kosovës, që do të thotë se ky projektligj është ende i bllokuar për shkak të kësaj feste dhe Kosova s’ka bazë ligjore për ta festuar, edhe pse e festonte edhe gjatë okupimit...

EXPRESS
Cili detaj i cilës ditë mund t’i ketë ikur shefit të Shtyllës IV, Paul Acda? Ndoshta 17 shkurti, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Ose, i 18-ti, kur ky akt u legjitimua me njohje prej fuqive më të mëdha botërore, përfshirë edhe vendin e tij, Britaninë e Madhe. Nëse vërtet Acda e ka huq këtë periudhë, e keqja do të ishte më e vogël. Por, çka nëse ai e di se si janë rrokullisur ngjarjet dhe prapë insiston me fanatizëm që ta mbajë të ndezur fanarin e UNMIK-ut, duke insistuar që t’i mbajë në gjirin e tij kompanitë publike të Kosovës, përfshirë edhe RTK-në. Acda është mosbesues ndaj institucioneve të vendit për ta menaxhuar PTK-në ose Aeroportin, ani pse vendet më të fuqishme të botës po këtyre institucioneve ua kanë besuar menaxhimin e shtetit. Pra, këtu po ballafaqohemi me një paradoks...

NACIONAL
Në mbledhjen e rregullt të qeverisë, kryeministri Thaçi është shprehur i prerë në moslejimin e strukturave paralele në Kosovë dhe as të shtabeve të krizave. Ai tha se autoriteti i institucioneve të Kosovës do të shtrihet në tërë territorin e vendit. “Nuk do të lejojmë as shtabe krizash, as shtabe speciale, as struktura paralele, por do të ketë lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Kosovës, respektim dhe garantim të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe ftoj të rikthehen në jetën normale, në rrjedhën e realitetit të ri të shoqërisë”, tha Thaçi...

KOHA DITORE
Zyrtarë të SHPK-së dhe të UNMIK-ut kanë hedhur poshtë deklaratat e përfaqësuesve të shtabit të krizës në Graçanicë se marrëveshja mes UNMIK-ut dhe këtij shtabi është arritur për kthimin e policëve serbë në punë. Pas takimit të mbajtur të premten mes përfaqësuesve të shtabit të krizës së Graçanicës me komandantin rajonal të policisë së UNMIK-ut, Larry Wilson, përfaqësuesi i shtabit të krizës, Sllavisha Nikoliq, ka deklaruar për radion serbe KiM se është arritur një marrëveshje për vënien e policëve serbë, të cilët kanë lëshuar së voni SHPK-në, nën komandën e policisë së UNMIK-ut, me bashkëpunimin e ngushtë të kolegëve shqiptarë nga SHPK-ja. Sipas kësaj radioje, Nikoliq ka deklaruar që marrëveshja e arritur nuk nënkupton heqjen dorë nga kërkesat e mëhershme...

INFOPRESS
SHBA-të duan që çështjen kontestuese të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë, palët ta zgjidhin me dialog dhe në mënyrë paqësore. “Kur është fjala tek çfarëdolloj kundërthëniesh midis Kosovës dhe Maqedonisë, apo edhe vendeve të tjera, ne i inkurajojmë popujt t’i zgjidhin ato çështje në mënyrë paqësore dhe përmes bisedimeve. Jam i sigurt se edhe në këtë rast kjo mund të ndodhë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey... Casey, duke iu përgjigjur një gazetari grek se Kosova është një shtet – krijesë amerikane dhe kryeministri i Kosovës “një kukull e Uashingtonit”, tha se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, ashtu siç është njohur nga SHBA-të dhe shumë vende të BE-së, ka qeverinë e vet që flet në emër të saj dhe vepron mbi bazën e votës që ka marrë nga populli i Kosovës dhe i shërben interesave të atij populli dhe askujt tjetër...

BOTA SOT
Fqinji ynë verior nuk është i gatshëm ta pranojë realitetin e ri në Kosovë. Në një situatë të këtillë është lëshuar në aksion, së pari ta bindë popullatën e vet, e mandej botën demokratike, që “të heqë dorë” nga një punë e kryer, të mos pranojë pavarësinë e Kosovës, shtetit më të ri në botë. Në pamundësi që të pajtohet me të vërtetën, Serbia, pos tjerash, po shërbehet edhe me atu fiktive. Këto ditë, në media e në internet, është lëshuar lajmi se Serbia, gjoja, po paguaka çdo ditë nga 100 mijë dollarë në emër të borxheve të vjetra të Kosovës. Dhe, sipas trumbetuesve serbë, Kosova i paska mbi 1.2 miliard dollarë borxhe...

ZËRI
Refuzimi i qartë dhe kumbues i çfarëdo ndarjeje të Kosovës, i cili u dëgjua sërish prej një zyrtari të lartë perëndimor, kësaj radhe prej Daniel Fridit, ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për çështje të Evropës dhe Evro-Azisë, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, për të parën herë në shtetin e Kosovës, është i domosdoshëm në rrethanat kur po shihet që politika e vetme e Serbisë, është ndarja. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, i cili, përndryshe, është në proces të shkurorëzimit me partnerin e tij në Qeverinë e koalicionit (kryetarin Tadiq), ia ka mësyrë që me çdo kusht, t’i ndajë shqiptarët dhe serbët brenda Kosovës, ashtu që këta të mos mund të jetojnë bashkë. Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, duket që i është kthyer idesë për ndarjen territoriale të Kosovës, e cila gjithashtu do të kishte si pasojë pamundësinë e bashkëjetesës së shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë...

EPOKA E RE
Shefi i diplomacisë së Francës, Bernard Kushner, ka thënë të premten se nuk vihet në pyetje legjitimiteti i misionit civil të BE-së në Kosovë, ndërsa njohja e pavarësisë së Kosovës nga Parisi zyrtar nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ai, këto komente i ka bërë gjatë një konference për media në Ke d’Orse, me ç’rast ka thënë se sipas analizës së Francës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, do të ndodhë tranzicioni gradual nga UNMIK-u te misioni i EULEX-it, pasi kjo është paraparë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit...

KOSOVA SOT
Sot festohet 8 Marsi... Gruaja, nëna nuk është lajtmotivi i shtetit, por, thjesht, i disa tryezave. Femra kosovare është duke përjetuar dhimbjen e fortë të tranzicionit. Ajo ende nuk ka vend të merituar në pozita vendimmarrëse dhe nuk vlerësohet për aftësinë që ka të drejtojë, të zhvillojë, të prosperojë bashkërisht me meshkujt. Institucionet kosovare deri më tani fare pak kanë bërë që të drejtat e femrave t’i aplikojnë në realitet. Çka na duhet ligji për barazinë ligjore, që prej letrës, s’zbret dot në tokën kosovare?...


XS
SM
MD
LG