Ndërlidhjet

logo-print

Bildt: Pavarësia ishte e lehtë, tani vjen pjesa më e vështirë


Carl Bildt

Carl Bildt

Pavarësia ishte e lehtë, tani vjen pjesa më e vështirë, ka thënë ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, i cili u bë shefi i parë i diplomacisë së një shteti të BE-së, që viziton Kosovën e pavarur. Dy- tre vitet e ardhshme do të jenë kritike, si në tejkalimin e ndasive brenda shoqërisë kosovare, ashtu edhe në aspektin ekonomik”, ka thënë Bildt.


Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, u ka thënë udhëheqësve kosovarë se pas pavarësisë, sfidat që Kosova i ka përpara, janë shumë të vështira.

“Pavarësia ishte e lehtë, tani vjen pjesa më e vështirë”, ka thënë Bildt, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku edhe i ka prezantuar dokumentet origjinale të njohjes së shtetit të Kosovës nga Suedia.

Diplomati suedez ka thënë se ndërtimi i institucioneve në këto 8 vjetët e fundit e ka bërë të mundur edhe pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Bildt është shprehur se jo e gjithë puna është kryer me pavarësinë.

“Tani fillojnë sfidat e vërteta për Kosovën për t’u bërë jo vetëm një shoqëri multietnike dhe funksionale e demokratike, por po ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe social, të cilat janë mjaft të theksuara në Kosovë, por do të thosha edhe në gjithë rajonin. Ju do të ballafaqoheni me sfidat e zhvillimit të Evropës Juglindore dhe ato janë trashëgimi e të së kaluarës, trashëgimi e luftërave të ndryshme, trashëgimi që kanë qenë të pranishme dhe që vazhdojnë të jenë të pranishme deri në një masë të caktuar, dhe kjo është duke ndikuar negativisht në zhvillimin socio-ekonomik të të gjitha pjesëve të rajonit pak a shumë. Kjo mund të vërehet më shumë në Kosovë, sepse ky është një shtet i ri me një ekonomi shumë të brishtë”, ka thënë Bildt, duke shtuar se do të nevojiten disa vite që të jetë e mundur të shihet një ndryshim.

“Dy- tre vitet e ardhshme do të jenë kritike, si në tejkalimin e ndasive brenda shoqërisë kosovare, po ashtu edhe në krijimin e kushteve për kornizën e funksionimit të ekonomisë”, ka thënë Bildt.

Ai ka marrë garanci nga udhëheqësit kosovarë se shteti i ardhëm i Kosovës do të jetë funksional dhe demokratik. Sidoqoftë, edhe presidenti Fatmir Sejdiu ka pranuar se me pavarësinë nuk janë zgjidhur të gjitha problemet.

“Për ne është e rëndësishme të theksojmë se do të kemi sfida të shumta para vetvetes, sidomos ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Nuk kemi krijuar dhe nuk do të krijojmë iluzione te qytetarët se do të hyhet menjëherë në një jetë që do të jetë parajsë. Ajo do të jetë një jetë e sfidave normale që i ka çdo shtet në ecjen e vet, por përkushtimin e kemi se pavarësia është çelësi themelor i këtij horizonti të ecjes sonë”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi e ka siguruar zotin Bildt se Kosova do të ecë rrugës së integrimeve euro-atlantike.

“I rikonfirmova ministrit zotimin tim dhe të Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, për funksionimin demokratik dhe efektiv të institucioneve të vendit, të respektimit të minoritarëve, të sundimit të ligjit, të zbatimit në jetë të kritereve demokratike, në kuptimin edhe politik, edhe legjislativ, edhe ekonomik, për perspektivë të sigurt në integrimin e strukturave të Bashkimit Evropian dhe në NATO”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, Carl Bildt, që është njohës i mirë i rajonit të Ballkanit, ka thënë se mosmiratimi i rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit e ka komplikuar situatën në terren.

Megjithatë, edhe pse me Rezolutën 1244 UNMIK-u do mbetet ende në Kosovë, ai e sheh këtë prani si të rëndësishme.

“Misioni i BE-së është i bazuar në Rezolutën 1244 dhe kjo rezolutë mbetet baza legale për praninë ndërkombëtare, si për misionin e BE-së, po ashtu edhe për Zyrën Ndërkombëtare Civile, si dhe për vazhdimin e mandatit të Kombeve të Bashkuara. Plani i Ahtisaarit parashihej të bazohet ose në marrëveshje ose në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Ai quhej zgjidhje, por, në fakt, nuk ka zgjidhje dhe kjo krijon disa sfida të reja, të cilat ndoshta nuk janë të adresuara në mënyrë të duhur, në çdo aspekt të mundshëm të planifikimeve që i kemi. Mendoj se Kombet e Bashkuara do të jenë këtu edhe për një kohë, sepse ne na nevojiten Kombet e Bashkuara për shumë gjëra, të cilat janë të nevojshme për Kosovën”, ka thënë Bildt, i cili për disa agjenci të huaja ndërkohë ka deklaruar se Kombet e Bashkuara mund të shërbejnë si urë ndërmjet atyre që e kanë njohur dhe do ta njohin Kosovën, por edhe të atyre qe nuk e kanë njohur, por, megjithatë, duan të kontribuojnë.

Carl Bildt e ka përjashtuar ndarjen e Kosovës në vija etnike, por, sidoqoftë, ka thënë se në mënyrë që të kapërcehen ndasitë, ndarja, që tani ekziston në shoqërinë e Kosovës, do të kërkojë një shkallë të lartë të vetëqeverisjes.

Carl Bildt është ministri i parë i Jashtëm i një shteti të Bashkimit Evropian, që viziton Kosovën pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt.
XS
SM
MD
LG